Kryeministri Kurti ndoqi koncertin përmbyllës të “Chopin Piano Fest”


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 30 qershor 2021

Zakonisht “Chopin Piano Fest” është organizuar në muajin prill. Kësaj here u mbajt në qershor. Edhe për prillin, edhe për qershorin, ashtu sikurse edhe për shkurtin, nëntorin e dhjetorin, mjeshtri i madh Tchaikovsky ka dhënë diçka nga vetja nëpërmjet veprave të tij që kemi privilegjin t’i dëgjojmë sonte duke u ekzekutuar, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të koncertit të pianistes Zoya Shuhatovich.

Masat muzikore nuk kërkojnë përkthim, andaj edhe ne mund te ndjehemi në këtë mbrëmje si të ishim kudo në vendet dhe kohët kur është krijuar dhe ushtruar muzika e lartë, tha kryeministri Kurti para adhuruesve të shumtë të muzikës klasike, në mbrëmjen përmbyllëse të edicionit të 11-të të “Chopin Piano Fest”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në “Chopin Piano Fest”

E nderuar pianiste, e respektuara artiste, znj. Zoya Shuhatovich,

I nderuar ambasador i Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly,

E nderuar znj. Lejla Haxhiu Pula, pianiste dhe drejtore artistike e Festivalit,

E nderuar znj. Besa Luzha, drejtore menaxhuese e Festivalit,

E nderuar zëvendësministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,

Të nderuar pianistë të rinj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju uroj mirëseardhje në këtë amfiteatër universitar të Prishtinës. Jam i lumtur që marr pjesë. Autorët e mëdhenj në virtuozitetin e teknikës suaj janë mënyra më e mirë për të shpëtuar nga kurthi i harresës dhe të përditshmes. Ne kemi nevojë të pashtershme për shembuj të perfeksionit dhe të finesës. Notat e muzikës klasike i prekin shpirtrat papritur. Do të donim të ishte ngjarje e rregullt ardhja mes nesh e artistëve të kalibrit tuaj. Falënderoj pianisten Zoja Shuhatovich për sjelljen pranë nesh të melodive nga stinët e Tchaikovsky, si dhe disa nga fantazitë e Mozartit, e pjesët e Chopin.

Para 10 dite isha në Festivalin “Pianisti i Ri” në Prizren, dhe aty e përjetova një pasdite të paharrueshme me ekzekutime të mahnitshme nga vajzat e djemtë e rinj, fëmijët e talentuar të vendit tonë. Megjithëse jemi një vend jo i madh e shumë i zhvilluar, kemi jo pak artistë e muzikantë tejet të talentuar që janë duke krijuar “diplomaci kulturore” nëpër vende të ndryshme të rajonit e botës. Aty ku po mungon fjala e shkrimi, aty është sharmi i muzikës me kompozim e tingull, që po depërton thellë në të padukshmen e të paemërtueshmen.

Andaj, u jemi falënderues për këtë, dhe detyra jonë si Qeveri është që me përkushtimin më të madh të punojmë në përmirësimin e kushteve dhe promovimin e sa më shumë talenteve që kanë aq shumë për të dhënë.

Shpresoj që pas kësaj mbrëmjeje ne të kthehemi më të fisnikëruar në shpirt dhe me një besim më të fortë te dita e nesërme. Masat muzikore nuk kërkojnë përkthim, andaj edhe ne mund te ndjehemi në këtë mbrëmje si të ishim kudo në vendet dhe kohët kur është krijuar dhe ushtruar muzika e lartë. Shpresoj se gjatë kësaj mbrëmjeje secili prej nesh do të hyjë në kontakt me notat dhe variacionet.

E dimë që zakonisht Chopin Piano Fest është organizuar në prill. Këtë herë jemi në qershor. Edhe për prillin, edhe për qershorin, ashtu sikurse edhe për shkurtin, nëntorin e dhjetorin, mjeshtri i madh Tchaikovsky ka dhënë diçka nga vetja nëpërmjet veprave të tij. Sonte, kemi privilegjin që t’i dëgjojmë këto vepra duke u ekzekutuar nga znj. Shuhatovich.

Ma lejoni diçka prej përdëllimit që fal muzika dhe sidomos pianoja. Në shkurt të Tchaikovsky-t ne do të rrokim kthjelltësinë e madhe të mendimit, në prill gjakftohtësinë e shpirtit, në qershor, pra tani, vështrimin më të gjatë mbi natyrën, dhe në fund të vitit, pra në dhjetor të kemi mbledhur një rezervë të madhe optimizmi. Edhe një herë ju faleminderit zonja artiste!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors