Kryeministri Kurti i dërgon letër ngushëllimi Kancelares Merkel

 

Prishtinë, 28 korrik 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër ngushëllimi Kancelares gjermane, Angela Merkel, pas vërshimeve shkatërruese në disa shtete federale të Gjermanisë.

Kryeministri Kurti ia ka shprehur ngushëllimet më të përzemërta për humbjet e jetëve dhe dëmet materiale që pësoi gjatë vërshimeve.

Ai ka shprehur solidarizimin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës me popullin gjerman dhe e ka falënderuar Gjermaninë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në kohë të vështira.

Letra e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Kancelare Merkel,

I kam pranuar me shumë dhimbje lajmet për vërshimet shkatërruese në disa shtete federale të Gjermanisë.

Teksa populli i Gjermanisë është duke u rikuperuar nga kjo fatkeqësi tragjike natyrore, dua të shpreh ngushëllimet më të përzemërta për Ju dhe të gjithë ata që pësuan humbje jetësh e dëme materiale.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit tonë, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe për popullin e Republikës Federale të Gjermanisë.

Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë që ua hapi dyert dhe zemrat refugjatëve nga Kosova, në kohë shumë të vështira. Lidhja ndërmjet dy popujve mbetet e fortë. Kosova solidarizohet me Ju në këto ditë të vështira.

Ju uroj forcë të gjitha familjeve që janë në zi dhe rikuperim të shpejtë e të plotë të gjitha rajoneve të prekura.

I juaji me shumë sinqeritet dhe respekt,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors