Malishevë, 28 mars 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, ka vizituar sot Komunën e Malishevës. Kryeministri Mustafa u prit në takim nga kryetari i Malishevës, Ragip Begaj dhe udhëheqja komunale, me të cilët bisedoi për zhvillimet dhe proceset e mëtejshme në Malishevë.
Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa tha se gjatë takimit është biseduar për çështjet jetike të qytetarëve, duke veçuar problemin e rriqrave, si një problem ndër vite, duke theksuar se për fat të mirë vitin e kaluar në këtë Komunë janë marrë masa dhe s’ka pas viktima.
Me këtë rast, kryeministri shprehu përkushtimin për të punuar që këtë vit, menjëherë të ulet grupi ndërministror dhe të bëjë planin e të dal në mbështetje të kësaj komune dhe të komunave përreth në mënyrë që të bëhet një aksion më i gjerë.
Kryeministri Mustafa poashtu shprehu nevojën e investimeve në infrastrukturë, në rrugën qarkore, në mënyrë që të lirohet Malisheva prej tensioneve, prej tollovisë së madhe, të investohet në shkolla, etj.
“Kanë mbetur disa mjedise, duke përfshirë edhe shkollën e mesme në qytet, ku duhet të bëhen investime për zgjerimin e hapësirave dhe kapaciteteve të shkollave nëpër fshatra si dhe do të përkrahen edhe investimet e tjera në infrastrukturën kulturore, sportive, shëndetësore që të barazohen kushtet e jetës në Malishevë me komunat e tjera. Unë mendoj se këtë mund ta bëjmë, natyrisht jo për një vit, por me një agjendë të përbashkët dhe me një bashkëpunim mund të kapërcehen të gjitha nevojat dhe poashtu të punojmë edhe më shumë në bujqësi dhe në përkrahjen e projektve bujqësore qoftë përmes granteve, subvencioneve ashtu siç do të punohet me komunat tjera për të hapur perspektivë për qytetarët”, theksoi kryemisnitri Isa Mustafa.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën.
“Jam shumë i kënaqur që patëm mundësi me i shpreh nevojat e Malishevës, të Komunës së Malishevës. Kemi kërkuar përkrahjen e kryeministrit dhe shpresojmë shumë se përkrhaja për Malishevën nuk do të mungoj. I jemi shumë mirënjohës kryeministirt Mustafa për vizitën”, tha kryetari Begaj, duke shtuar se ka kërkuar përkrahje për çështjen e rriqrave, për projektet për Malishevën, për shkollat, e të tjera.
