Kryeministri Isa Mustafa vizitoi komunat e Drenasit dhe Skenderajt


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 14 gusht 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe zyrtarë tjerë të lartë të Qeverisë, ka vizituar të premten Komunën e Drenasit dhe Komunën e Skenderajt.
 
Gjatë vizitës në Drenas, kryeministri Isa Mustafa u prit nga kryetari i Komunës, Nexhat Demaku. Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe kryetari Demaku vizituan objektin e ri të Komunës, që ndodhet pranë objektit aktual.
 
Në një deklaratë për gazetarë, kryeministri Mustafa premtoi përkrahje më të madhe për Komunën e Drenasit, duke shprehur interesimin që të kombinohen fushëveprimi i pushtetit lokal me atë ekonomik. “Pushteti lokal deri më tani ka qenë shumë i kufizuar në pikëpamje të politikave të zhvillimit ekonomik dhe të ofertës për zhvillim ekonomik. Këtu është bërë një hap mjaft i mirë, dëshirojmë që ky hap të zgjerohet edhe më tutje, të krijojmë mundësi zhvillimi edhe në fushën e bujqësisë. Edhe sa i përket zgjerimit të sistemit të ujitjes, sepse këtu siç u njoftova, kemi pesë mijë hektarë që ujiten nga sistemi i Ibër Lepencit. Dëshirojmë ta zgjerojmë edhe më tutje, në mënyrë që njerëzve t’iu krijojmë kushte që të rrisin rendimentin në të gjitha fushat e bujqësisë. Poashtu të zgjerojmë edhe parkun e biznesit në parkun industrial, karshi asaj që është ndërtuar deri më tani, sepse është një shembull i mirë dhe storje e mirë e suksesit” tha kryeministri Mustafa.
 
Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku u shpreh i kënaqur me përkrahjen e ofruar nga kryeministri Mustafa për projektet e kësaj Komune. “Veçanërisht në projektet e rëndësishme, sidomos projektet kapitale që janë të rëndësishme jo vetëm për Komunën tonë, por edhe për komunat përreth”, u shpreh Demaku.
 
Kryeministri Isa Mustafa më pas vizitoi Komunën e Skenderajt, ku u prit nga nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, dhe drejtuesit tjerë të Komunës.
 
Gjatë takimit është biseduar për zhvillimet aktuale në Komunën e Skenderajt dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të proceseve në të gjitha fushat.
 
Kryeministri Mustafa vlerësoi punën e bërë në shumë sfera, duke veçuar fushën e arsimit, fushën e kulturës, në ndërtimin e infrastrukturës, duke shprehur kënaqësinë me punën dhe përkushtimin e qytetarëve në pronat e tyre private në ndërtimin e vendit. “Janë projekte të rëndësishme të infrastrukturës të cilat po zhvillohen në këtë Komunë. Kemi këmbyer mendime edhe për atë se çfarë mund të bëjmë bashkërisht për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për krijimin e një ambienti më të volitshëm zhvillimor, sepse jemi të interesuar që në këtë periudhë përparësi t’i japim zhvillimit ekonomik, punësimit të njerëzve të rinj që janë këtu, që ata të  mbesin këtu, të gjejnë vend të punës dhe ta ndërtojnë edhe Komunën, por ta ndërtojnë edhe Kosovën. Në këtë aspekt shpreha edhe gatishmërinë time dhe të Qeverisë që ne të bashkëpunojmë në të ardhmen, të bashkërendisim të gjitha nevojat, të bashkërendisim të gjitha planet dhe në suaza të kapaciteteve dhe mundësive të cilat i kemi të punojmë në ndërtimin dhe në zhvillimin e të gjitha fushave, të cilat janë fusha të përbashkëta, sepse ne nuk kemi hapësirë tjetër të ndërtimit dhe të zhvillimit ekonomik, përpos kësaj hapësire që kanë komunat tona dhe kësaj përgjegjësie që ka pushteti lokal i ndërlidhur me pushtetin qendror”, tha kryeministri Mustafa.
 
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën, duke bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për tema të ndryshme, me theks të veçantë për investimet e përbashkëta, problemet dhe sfidat e ndryshme sa i përket fushës së administrimit të pushtetit lokal në Skenderaj. “Bashkërisht konkluduam se bashkëpunimi do të fuqizohet ndërmjet pushtetit lokal dhe autoritetit qendror”, tha Nura.
 
Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe nënkryetari Nura vizituan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, e cila është në ndërtim e sipër. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors