Kryeministri Isa Mustafa u takua me përfaqësuesit kryesorë të jetës institucionale dhe politike të Shqipërisë


Image

Tiranë, 9 mars 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Tiranë, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, është takuar edhe me liderët kryesorë institucionalë dhe politikë të Shqipërisë.

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala, u prit në takime të ndara nga presidenti Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Gjatë takimeve, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për mbështetjen dhe kontributin e madh që institucionet dhe populli shqiptar po japin për Kosovën, në vazhdimësi.

Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat me Shqipërinë, duke veçuar bashkëpunimin në ekonomi, në arsim, kulturë, e fusha të tjera të jetës.

Përfaqësuesit e jetës politike në Shqipëri, shprehën përkrahjen e mëtejshme të institucioneve shqiptare për Kosovën, duke theksuar angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri Isa Mustafa dhe delegacioni shtetëror i Kosovës, gjatë ditës kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë lulesh para shtatores së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Tiranë.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors