Prishtinë, 18 shtator 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, të kryesuar nga senatori Vannino Chiti,
Kryeministri Mustafa i informoi senatorët italianë për progresin në Kosovë, fokusimin e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, si dhe reformat në shumë sektorë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi angazhimin e Qeverisë Kosovës për avancimin e proceseve integruese euroatlantike, duke theksuar rëndësinë e nënshkrimit sa më të shpejtë të MSA-së dhe liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje për përkrahjen që shteti italian po jep për Kosovën në proceset integruese dhe aspekte tjera zhvillimore.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me Italinë, në shumë fusha.
Kryesuesi i delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, Vannino Chiti, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e senatit dhe shtetit italian për Kosovën.
Gjithashtu, senatori Chiti shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si dhe për mundësitë e investimeve italiane në Kosovë.
