Nju Jork, 27 shtator 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka filluar sot takimet e nivelit të lartë në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po zhvillohet në Nju Jork.
Të dielën, kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, si dhe shefin e delegacionit të Norvegjisë në punimet e AP të KB-ve, ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende.
Gjatë takimeve, kryeministri Isa Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për prioritetet e Programit Qeveritar për zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke vlerësuar përkrahjen që Luksemburgu dhe Norvegjia kanë dhënë deri më tani, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetje të mëtejshme për zhvillimin ekonomik si dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, me prioritet të veçantë në UNESCO dhe INTERPOL, si dhe agjendën integruese evropiane.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës për proceset integruese evropiane, duke bërë të ditur se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe se pret finalizimin këtyre proceseve.
Kryeministri Isa Mustafa gjatë takimeve po ashtu ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral me Luksemburgun dhe me Norvegjinë.
Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e shtetit të tij për Republikën e Kosovës.
Kryeministri Bettel po ashtu theksoi përkrahjen e Luksemburgut për proceset integruese të Kosovës si dhe ka shprehur vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Edhe ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Borge Brende, gjatë takimit ka theksuar përkrahjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
Kryeministri Isa Mustafa, po qëndron në Nju Jork, ku është ftuar nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, që të marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, që do të mbahet më 29 shtator.
Kryeministri Mustafa, me delegacionin qeveritar, do të zhvillojnë takime me liderë të shteteve të ndryshme të botës si dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e rajonale.
