Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik


Image

Prishtinë, 8 shtator 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Këshillit, kryeministri Mustafa tha se përkundër agjendës mjaft intensive politike, Qeveria e ka mbajtur fokusin themelor në zhvillimin ekonomik, në punësim dhe në intensifikimin e përpjekjeve që të ndihmoj bizneset në mënyrë që të filloj ngadalë zgjidhja e çështjeve ekonomike për të cilat është zotuar.
“Është duke u punuar në mënyrë intensive në Planin Nacional për Zhvillim, ku Qeveria, me ndihmën e të gjithë akterëve relevant, do të qartësojë rrugën, strategjinë, masat për zhvillim më të shpejt ekonomik, duke definuar shumë më qartë prioritetet në të cilat ne do të angazhohemi në periudhën e ardhshme kohore. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke punuar në disa sektorë strategjik, sa i përket përmirësimit të legjislacionit, dhe përmirësimit të politikave, të cilat mundësojnë tërheqjen e investimeve të huaja, do të nxisin investime të brendshme, nxisin punësimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu ka folur për pakon fiskale, Ligjin mbi Investimet Strategjike, Ligjin për Garantimin e Kredive, alternativat e furnizimit me energji elektrike, mundësitë e çuarjes përpara të projektit të ndërtimit të Kosovës së Re dhe alternativave tjera, marrëveshjet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me Bankën Evropiane për Investime për angazhimin e tyre në projekte të reja, projektin e Brezovicës, çështjen e zbatimit të kontratave, përfshirjen më të madhe të shoqërisë civile në politikbërjen ekonomike si dhe përkrahjen më të madhe të medieve që ato të luajnë një rol shumë më të madh në proceset e zhvillimit ekonomik. 

Gjeni të plotë fjalën e plotë të kryeministrit Isa Mustafa:
 

Faleminderit ministre Bajrami,
Ju përshëndes të gjithëve sot që jeni prezent në këtë takim,
Përfaqësues të bizneseve, asociacioneve të bizneseve, odave,
Ministra, deputetë,
Dhe të gjithë ju që jeni të ndërlidhur me punën e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Mund të them se ne, përkundër një agjende mjaft intensive politike që e kemi pasur kësaj vere, por edhe gjatë këtyre muajve të qeverisjes, kemi mbajtur fokusimin tonë themelor në zhvillimin ekonomik, në punësim dhe në intensifikimin e përpjekjeve që të ndihmojmë bizneset në mënyrë që të fillojmë ngadalë t’i zgjidhim çështjet ekonomike për të cilat ne jemi zotuar.
Është duke u punuar poashtu në mënyrë intensive në Planin Nacional për Zhvillim, ku Qeveria, me ndihmën e të gjithë akterëve relevant, do të qartësojë rrugën, strategjinë, masat për zhvillim më të shpejt ekonomik, duke definuar shumë më qartë prioritetet në të cilat ne do të angazhohemi në periudhën e ardhshme kohore.
Në të njëjtën kohë, ne jemi duke punuar në disa sektor strategjik, sa i përket përmirësimit të legjislacionit, dhe përmirësimit të politikave, të cilat mundësojnë tërheqjen e investimeve të huaja, do të nxisin investime të brendshme, do të nxisin punësimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Disa prej tyre i kemi realizuar bashkërisht dhe jam shumë i lumtur që kemi pasur një komunikim të mirë gjatë këtij viti, që kemi diskutuar politikat bashkërisht.
Është edhe pakoja fiskale, e cila ka filluar të implementohet nga fillimi i këtij muaji. Natyrisht se të gjithë nuk janë të kënaqur me këtë pako fiskale, për arsye se nuk ka asnjë masë fiskale që i kënaq të gjitha palët, por jemi të bindur se është në interes të zhvillimit të bizneseve, sepse mundëson lehtësimin e investimeve, për arsye të zbritjes së tatimeve doganore dhe TVSH-së në pajisje, makineri, material riprodhues i cili importohet nga jashtë, shkallëzon TVSH-në për të mirat për qytetarët dhe lehtëson shportën familjare, sidomos të atyre që kanë të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare, por jo edhe të të gjithëve, që nuk ka qenë edhe qëllimi i këtyre ndryshimeve fiskale.
Mendoj se me këtë ne kemi krijuar jo vetëm balancë zhvillimore, por kemi krijuar edhe balancë sociale, për arsye të gjendjes ekonomike në të cilën jemi dhe për arsye të nevojës që ne të sigurojmë kushte për nxitje të zhvillimit ekonomik.
Ne do të përcjellim me vëmendje efektet e pakos fiskale, do të nxisim dhe do të përkrahim punën e Komisionit të Konkurrencës, si institucion i pavarur, në mënyrë që të dëgjojmë edhe zërin e tyre dhe varësisht nga ndikimet në politikën e çmimeve, në çdo rast do të marrim masa në mënyrë që ato t’i harmonizojmë me nevojat e zhvillimit ekonomik dhe me nevojat sociale të vendit.
Jemi duke punuar tani në hartimin e Ligjit mbi Investimet Strategjike. Është një ligj që deri më tani nuk e kemi pasur në Kosovë, dhe të cilin e kanë vendet tjera përreth, dhe përmes këtyre masave ata po arrijnë që të tërheqin investime në vendet e tyre. 
Nuk kemi edhe ne asnjë arsye që të mbesim mbrapa me këtë ligj. Është punuar mjaft shumë. Tani jemi në fazën e drejtpërdrejt të hartimit të ligjit dhe do të konsultohemi edhe me të gjitha palët e interesuara për këtë. Jemi të interesuar që të përcaktojmë fushat strategjike apo lëmenjtë strategjik të zhvillimit në të ardhmen, të përcaktojmë poashtu edhe prioritetet e zhvillimit, përcaktojmë edhe projektet strategjike në pikëpamje të numrit të punësuarve dhe në pikëpamje të vlerës së investimeve në këto projekte, por edhe në pikëpamje të shtimit të vlerës së bizneseve dhe të efekteve të drejtpërdrejta ose efekteve indirekte që këto biznese do të kenë për zhvillimin ekonomik në të ardhmen.
E tha edhe ministrja që ne e kemi përgatitur Ligjin për Garantimin e Kredive, ky ligj është në procedurë të Kuvendit. Do të ndihmoj sidomos në përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të bizneseve të mesme, dhe veçmas ajo që është qëllimi ynë themelor, të përkrahen bizneset e të rinjve dhe të grave në këtë fazë të parë të zhvillimit.
Jemi poashtu në një fazë të shqyrtimit të alternative të furnizimit me energji elektrike, sepse të gjithë jemi koshient me problemet me të cilat ne po ballafaqohemi tani, por aq më tepër me problemet të cilat do të ballafaqohemi në të ardhmen në stabilitetin energjetik të vendit.
Me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik po punojmë pareshtur në mënyrë që të shohim mundësitë e çuarjes përpara të projektit të ndërtimit të Kosovës së Re, dhe poashtu të alternativave tjera të cilat do të mundësonin që ne të mbajmë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, duke i shfrytëzuar resurset, por natyrisht duke pasur parasysh se duhet të kujdesemi për ambientin, dhe duhet të kujdesemi për çmimin e energjisë elektrike të cilën do ta paguajnë qytetarët, e që do të gjenerohet në investimet e reja.
Pra, janë shumë balance të cilat ne domosdoshmërish duhet t’i bëjmë edhe si ekonomike, edhe si balance politike.
Jemi në marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe me Bankën Evropiane për Investime, për angazhimin e tyre në projekte të reja. Është arritur tani një Marrëveshje në Londër, mes ministrit të Financave dhe BERZH-it.
Do të bëjmë edhe marrëveshje të reja të cilat janë të ndërlidhura me projektet që ne i kemi paraparë në suaza të marrëveshjeve me vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë projekte të infrastrukturës, në rend të parë të hekurudhës. Do të kemi edhe ndërtimin e autostradës që na lidh me Nishin, do të thotë 23 kilometra të territorit tonë. Do të kemi projekte të cilat ne po i vlerësojmë lidhur me zgjerimin e sistemit të ujitjes të tokave bujqësore, përmes të cilit ne do të rrisim rendimentet në bujqësi dhe projektet tjera të qasjes në ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës tjetër, por gjithsesi do të përpiqemi që shfrytëzimi i mjeteve nga BERZH-i dhe nga Banka Evropiane për Investime të bëhen për projekte të cilat gjenerojnë zhvillim ekonomik. Do të thotë mos të jenë vetëm projekte të infrastrukturës, të cilat nuk e gjenerojnë zhvillimin ekonomik, sepse jemi të interesuar që investimet dhe detyrimet që merr buxheti në të ardhmen, të bëhen përmes efekteve të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik.
Është poashtu duke u punuar tani nga ana e Qeverisë në projektin e Brezovicës, po punon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në përmbylljen e fazës së parë të këtij projekti. Shpresojmë se investitori do t’i përmbush detyrimet e tij që i ka marrë brenda këtij 6 mujori, dhe mendojmë se fillimi pastaj i implementimit të këtij investimi në vitin e ardhshëm, që për tre vitet e ardhshme do të kap një shumë prej 163 milionë eurove, do të jetë një kontribut i rëndësishëm i ardhjes së investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë në vend, dhe poashtu i hapjes së mundësive të shfrytëzimit të potencialeve tona edhe natyrore edhe të atyre njerëzore.
Kemi disa çështje për të cilat Qeveria është e interesuar që t’i arrijë në të ardhmen, dhe që të bëjë ndryshime pozitive në mënyrë që të ndihmojmë veçmas investitorët e jashtëm.
Është çështja e zbatimit të kontratave, që deri më tani ka qenë njëra prej problemeve kyçe, që nuk është më vetëm problem i Qeverisë dhe problem i marrëdhënieve ndërmjet bizneseve, por është problem edhe i organeve të drejtësisë dhe i shtyllës së drejtësisë, që ne duhet të punojmë me ta, në mënyrë që të rrisim efikasitetin e trajtimit të kontesteve ndërmjet bizneseve dhe të japim shenja të qarta se bizneset do të kenë një trajtim shumë më të mirë.
Jemi të interesuar poashtu që të kemi një përfshirje më të madhe të shoqërisë civile, dhe të gjithë opinionit në politikbërjen ekonomike, jo vetëm të strukturave të ngushta.
Ajo që kemi punuar bashkërisht deri më tani dhe që po vazhdojmë të punojmë, për ne është me rëndësi shumë të madhe, por jemi të interesuar që ta zgjerojmë gamën e atyre që përfshihen në projektet zhvillimore dhe në politikbërjen ekonomike.
Poashtu, jemi të interesuar që të kemi një përkrahje shumë më të madhe të mediave, në pikëpamje të asaj që mediat si pushtet i katërt mund ta luajnë një rol shumë më të madh në proceset e zhvillimit ekonomik,  nga fakti se tani ne nuk mund ta orientojmë këtë zhvillim pa një përkrahje më të madhe të opinionit. Kjo përkrahje e opinionit bëhet edhe përmes mediave ose në masën më të madhe përmes mediave, dhe ne dëshirojmë që të kalojmë nga problemet e pastra politike, me të cilat deri më tani është marrë Qeveria, në problemet e drejtpërdrejta ekonomike që ndërlidhen me krijimin e kushteve për jetë më të mirë, për standard më të lartë, dhe poashtu të një perspektive më të shpejtë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Për çështje më konkrete sigurisht që do të vazhdojnë të flasin ministrat të cilët po punojnë konkretisht në fusha të ndryshme.

Ju falënderoj shumë.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors