Prishtinë, 8 korrik 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e pestë plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit.
Në takim, ku ishin të pranishëm edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet, ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore e evropiane, kryeministri Isa Mustafa theksoi se Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të shërbejë si themel i procesit integrues të Kosovës dhe mundësi për zhvillim ekonomik.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, kryeministri Mustafa vlerësoi përkushtimin e madh të të gjitha institucioneve të Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimin e rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian, duke shprehur besimin që vlerësimet e fundit të jenë pozitive dhe që Kosova më në fund të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në takim.
I nderuar drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet,
I nderuar përfaqësues i BE-së, z. Zhbogar,
Të nderur deputetë,
Ministra,
I nderuar kryeprokuror, kryetar i Këshillit Gjyqësor dhe të gjithë ju që jeni së bashku këtu me ne.
Ju uroj mirëseardhje në këtë takim plenar të dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit. Ky forum ka shërbyer gjithmonë si një mënyrë e shqyrtimit dhe vlerësimit të rrugës në kuadër të agjendës evropiane të Kosovës, prandaj presim që edhe në takimin e sotëm do të kemi mundësi që së bashku të vlerësojmë progresin dhe të arriturat e Kosovës gjatë këtij viti.
Kosova ka hyrë në një fazë tejet të rëndësishme të procesit të integrimit evropian. Tashmë kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve zyrtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociirn.
Miratimi nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe më pastaj nënshkrimi si dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të vitit 2016, do shënojë marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Miratimi i propozimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim nga ana Komisionit Evropian, është një arritje shumë e rëndësishme për Kosovën, që tregon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane, dhe tregon perspektivën evropiane të Kosovës.
Më këtë rast dëshiroj të falënderoj Komisionin Evropian në përkrahjen e agjendës evropiane të Kosovës dhe vendosjen e këtij gurë-themeli të rëndësishëm për këtë proces, duke siguruar se mbetemi të vendosur për partneritet të ngushtë në këtë drejtim.
Ne do të vazhdojmë zbatimin e agjendës evropiane me qëllimin madhor, arritjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat e qeverisjes dhe përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve tanë, dhe poashtu me qëllim të forcimit të shtetit ligjor, të forcimit të drejtësisë, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimit të demokracisë së brendshme.
Sot, puna e Qeverisë së Kosovës bazohet në një Program Qeverisës i cili synim parësor ka ndërtimin e një qeverisje efektive, kompetente dhe të përgjegjshme, që do të forcojë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në procesin e integrimit evropian, nga Kosova sikurse edhe vendet tjera të Ballkanit kërkohet të adresojnë reforma konkrete, të cilat përmblidhen në tre shtylla: Reforma e Administratës Publike, Qeverisja Ekonomike dhe Konkurrueshmëria, si dhe Sundimi i Ligjit dhe të drejtat themelore. Këto shtylla janë të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe janë vendimtare në mënyrë që vendi ynë të justifikojë gatishmërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur Reformën e Administratës Publike si një nga prioritetet kryesore të saj. Kjo është reflektuar në Programin Qeverisës, Programin për Reforma Ekonomike dhe do të trajtohet me theks të veçantë në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik. Prandaj, kjo tregon një përkushtim të lartë të adresimit të kësaj fushe.
Ne po ashtu kemi miratuar pjesën më të madhe të Kornizës Strategjike për Reformën e Administratës Publike dhe gjatë muajve në vijim presim ta kompletojmë atë në mënyrë që të paraqesim orientimet tona drejt përmirësimit të administratës dhe shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Synojmë një administratë profesionale, bashkëkohore, efektive dhe të pa politizuar.
Derisa Programi i Qeverisë është i qartë sa iu përket prioriteteve të zhvillimit ekonomik dhe përcakton veprimet e shumëfishta që do të zbatohen nga ministritë, ne gjithashtu jemi angazhuar edhe në dialogun për qeverisjen ekonomike me BE-në. Si pjesë e këtij dialogu, Kosova ka përgatitur Programin e Reformave Ekonomike (PRE), cili përcakton masat e politikave të planifikuara për implementim, në mënyrë që të përgatisim vendin tonë për të përballuar presionet konkurruese në rritje e sipër, si dhe poashtu me konkurrencën më të gjerë në arenën ndërkombëtare.
Aftësia jonë për të rritur eksportet dhe për të përmirësuar bilancin tregtar në masë të madhe varet nga implementimi i suksesshëm i zotimeve tona në kuadër të Programit të Reformave Ekonomike.
Ky dokument tashmë ka marrë vlerësime pozitive si nga institucione ndërkombëtare po ashtu edhe nga ato evropiane.. Gjatë muajit maj të këtij viti, Bashkimi Evropian i ka ofruar Kosovës vlerësimin e Programit të Reformave Ekonomike si dhe ka dhënë një sërë rekomandimesh që duhet të adresohen gjatë përditësimit të dokumentit në fund të vitit 2015.
Për të arritur objektivat e Qeverisjes Ekonomike dhe Konkurrueshmërisë dhe për të siguruar dialog me BE-në për këtë, kemi arritur një konsensus të fuqishëm kombëtar sa i përket prioriteteve të veprimeve tona, dhe kemi nisur procesin e përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Zhvillim (SKZh). Kjo Strategji është e shumëpritur jo vetëm nga institucionet tona dhe Partnerët tanë Zhvillimorë, por gjithashtu, është pritur dhe po pritet mirë edhe nga komuniteti i biznesit, nga investitorët potencialë dhe më gjerë. Me këtë dokument ne synojmë të adresojmë pengesat kryesore të rritjes ekonomike dhe të përzgjedhim prioritetet e prioriteteve që kanë ndikim në rritjen ekonomike, rritjen e konkurrencës dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Besoj fuqishëm se Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të shërbejë si themel i procesit integrues të Kosovës dhe si mundësi për zhvillim ekonomik. Kjo marrëveshje është e rëndësishme, sepse i kontribuon forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë, forcimit të stabilitetit politik dhe ekonomik, zhvillimit të marrëdhënieve të ngushta politike ndërmjet Kosovës dhe institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare veç e veç, nxitjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës, harmonizimit të legjislacionit me BE-në dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal. Të gjitha këto dimensione janë thelbësore për zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave jemi dëshmitar të një përkushtimi të madh të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimi i rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian.
Për këtë dëshiroj të shpreh mirënjohjen për të gjitha institucionet e Kosovës për punën e madhe dhe angazhimin e treguar në përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve në këtë proces. Progresi të cilin e kemi arritur së bashku vitet e fundit, qoftë në konsolidimin e kornizës ligjore dhe strategjike, pastaj në konsolidimin e mekanizmave institucional dhe rezultatet e prekshme të arritura në të gjitha blloqet e Udhërrëfyesit, është reflektuar në raportet e fundit të Komisionit Evropian. Për këtë presim që vlerësimet e fundit të jenë pozitive dhe Kosova më në fund të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave.
Për fund, edhe njëherë dëshiroj të falënderoj Komisionin Evropian dhe të gjitha vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar Kosovës në kuadër të procesit të integrimit në përgjithësi. Dhe poashtu të nënvizoj që Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të zbatoj obligimet e saj karshi kërkesave të agjendës evropiane, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë vlerat e shumta të familjes së bashkuar Evropiane, dhe poashtu të kontribuojnë edhe në pasurimin e këtyre vlerave.
Ju faleminderit.
