Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në takimin e Komisionit për Hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës


Image


Image


Image

Prishtinë, 30 mars 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e parë të Komisionit për Hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa:

Faleminderit i nderuar ministër,

E përshëndes z. Zhbogar që është sot së bashku me ne,

Përfaqësuesit e EULEX-it,

Kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës,

Ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit,

Kryetarin e Gjykatës Supreme,

Të gjithë juve, sepse e vlerësoj pjesëmarrjen edhe kontributin e veçantë dhe të përbashkët që po jepni për këtë fushë të cilën ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme.

Ne në Qeveri kemi vendos që të themelojmë një ekip i cili do të përgatit Kodin Civil, një dokument të cilin e konsiderojmë tepër të rëndësishëm për fazën në të cilën ne tani po kalojmë në Kosovë.

Të gjithë ne, mendoj se pajtohemi që duhet të krijojmë kushtet që të sundoj ligji në Kosovë, që të zbatohet ligji dhe këtë ne e kemi dhënë si parim themelor të Programit Qeverisës që e kemi hartuar më parë.

Kemi arritur që gjatë kësaj periudhe njëqind ditore të kalojmë në Qeveri rreth 25 ligje dhe t’i procedojmë në Kuvendin e Kosovës, por poashtu rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edhe përgatitjes së Kodit Civil, i cili do të paraqes dhe do të ofroj një bazament të veçantë të zgjidhjes së problemeve tek ne, karshi kritereve dhe metodave të cilat aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian.

Si Qeveri ne mbështesim të gjitha reformat të cilat ndërmerren në reformimin e sistemit gjyqësor në mënyrë që të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, të kemi një sistem gjyqësor efikas dhe kredibil, që garanton sundimin e ligjit, që garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe poashtu që garanton që ligjet e vendit të jenë në harmoni me ligjet ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë edhe për vendin tonë.

Përkrahim gjithsesi unifikimin e legjislacionit civil në drejtim të krijimit të një kodi të përbashkët civil ku do të përfshihen ligjet e fushave të ndryshme civile. Mirëpo, si Qeveri poashtu marrim mbi vete që të krijojmë kushte teknike dhe kushte të tjera të domosdoshme duke përfshirë edhe rritjen e numrit të punonjësve në gjykata dhe atyre që ju shërbejnë gjykatave për të siguruar që sistemi gjyqësor te ne të jetë efikas, të jetë efiçient dhe që ne të mburremi me punën që po e bëjmë.

Prandaj ju uroj sukses në këtë punë, uroj që bashkërisht të punojmë edhe ne, edhe ndërkombëtarët në mënyrë që të nxjerrim një kod i cili do të jetë funksional dhe i cili do të jetë në shërbim të vënies së sistemit të drejtësisë tek ne.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors