Prishtinë, 4 maj 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane.
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në takim.
Faleminderit e nderuar presidente Jahjaga,
I nderuar kryetar i Kuvendit z. Veseli,
I nderuar përfaqësues i Bashkimit Evropian, z. Zhbogar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, ministra, përfaqësues të organeve të drejtësisë, prokurorisë, të asociacionit të bizneseve, të shoqërisë civile.
Ne sot po paraqesim dhe po vlerësojmë progresin e arritur në agjendën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë sa i përket liberalizimit të vizave. Mirëpo, po e shfrytëzoj këtë rast të përgëzoj institucionet e Republikës së Kosovës për miratimin e propozimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim nga ana e Komisionit Evropian.
Kjo në fakt, është një arritje shumë e madhe për Kosovën. Kjo tregon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane dhe në anën tjetër heq çfarëdo dyshimi rreth perspektivës evropiane të Kosovës. Miratimi nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian dhe më pastaj nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të vitit të ardhshëm paraqet marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim kërkon një angazhim të madh të gjitha institucioneve të vendit dhe mund të them, me përkushtimin më të madh, që puna do të vazhdoj edhe më tutje me ritëm të shtuar dhe në mënyrë konkrete në mënyrë që ne të ballafaqohemi dhe t’i mundim të gjitha sfidat me të cilat do të ballafaqohemi gjatë kësaj periudhe.
Poashtu, jemi dëshmitar të një përkushtimi të të gjitha institucioneve të Kosovës për zbatimin e të gjitha kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave si dhe për zbatimin e rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian. Për këtë dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për punën e madhe dhe angazhimin e treguar në përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve në këtë proces.
Progresi i cili është arritur viteve të fundit qoftë në konsolidimin e kornizës ligjore dhe strategjike, pastaj në konsolidimin e mekanizmave institucionalë dhe rezultatet e prekshme të arritura në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit, është reflektuar në raportet e fundit të Komisionit Evropian.
Njëkohësisht dëshiroj të theksoj se ky progres është vlerësuar edhe nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Megjithatë, jemi poashtu të vetëdijshëm për kriteret e mbetura dhe të paadresuara për të cilat institucionet tona janë zotuar t’i përmbyllin deri më 15 maj. Jemi zotuar që institucionet tona ta dorëzojnë raportin final deri në fund të majit, ku do të pasqyrohet progresi në përmbylljen e kritereve të mbetura.
Si kryeministër do ta përcjell këtë proces me vëmendje të shtuar dhe do të kërkoj raport të rregullt deri tek finalizimi i raportit nga ministritë përkatëse. Një fushë tjetër ku kërkohet progres dhe rezultat konkrete është gjendja civile dhe përmbyllja e sistemit të ri të gjendjes civile që është zvarritur për pasojë të sistemit të tenderimit.
Pakoja e ligjeve të gjyqësorit, të drejtave të njeriut, të prokurimit publik do të kaloj në Kuvend së bashku me ligjin për përgjimet dhe krahas aprovimit do të merren masa të menjëhershme për zbatimin e këtyre ligjeve sepse ndërlidhen me aspekte të caktuara të liberalizimit të vizave.
Të nderuar të pranishëm,
Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për efektet që mund të ketë pasur fluksi tepër i lartë i migrimit nga Kosova në fillim të këtij viti drejt vendeve të Bashkimit Evropian, por poashtu dua të theksoj se ne kemi arritur ta ndalim këtë fluks dhe ta normalizojmë gjendjen dhe kemi treguar gatishmërinë tonë që t’i pranojmë të gjithë ata që kanë migruar. Po marrim masa të politikave ekonomike për të krijuar kushte për jetë dhe punë në Kosovë, dhe perspektivë afatgjate të qytetarëve tanë. Mund të them se të gjitha ministritë po e bëjnë punën e tyre në këtë proces.
Marrja e vizave në Kosovë është një proces shumë i vështirë dhe i ndërlikuar, si për ata që bëjnë biznese, si për ata që dëshirojnë të shkojnë dhe të shkollohen dhe të studiojnë jashtë, ata që kanë nevojë të shërohen kur nuk gjejnë zgjidhje në Kosovë, e poashtu edhe ata që shkojnë të vizitojnë të afërmit e tyre.
Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që kosovarët të mbesin edhe një kohë në geto, sepse vazhdimi i një gjendjeje të tillë do të ishte i dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës do të bëj përpjekje maksimale që t’i përmbush të gjitha detyrimet, që t’i kryejë detyrat që i ka bazuar në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Prandaj, vlerësoj se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet t’i sigurojnë Kosovës një vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, as më shumë as më pak se sa çfarë është bërë me vendet tjera të rajonit.
Ju faleminderit!
