Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve, kërkoi që të bëhet organizim më efikas, duke kërkuar fokusim, si në pikëpamje organizative ashtu edhe në pikëpamje funksionale, të luftës kundër korrupsionit.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa:
Faleminderit shumë zonja Presidente,
Të nderuar të pranishëm,
Z. Ambasador i SHBA-ve, z. Delawie,
Ambasadorë të vendeve tjera mike,
Përfaqësues të shtyllës së drejtësisë,
Ministra që jeni këtu së bashku me ne,
Përfaqësues të shoqërisë civile.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar konsideroj se janë ndër temat dhe problemet të cilat e tërheqin vëmendjen dhe mbajnë aktualitetin në jetën institucionale dhe në jetën politike të Kosovës. Por, edhe përkundër kësaj, mendoj se ne në shoqëri ende nuk kemi ndërtuar kritere të mjaftueshme, as ligjore dhe as morale, për ta luftuar korrupsionin. Sepse, për korrupsionin flasin shumë ata që e kanë për detyrë ta luftojnë, dhe krijohet pastaj përshtypja se në Kosovë çdo njeri është i korruptuar. Dhe kur krijohet përshtypja se çdo njeri është i korruptuar, atëherë korrupsioni fillon të trajtohet si shkathtësi, trajtohet si zotësi, si vlerë, dhe jo si dukuri e dëmshme ligjore, si dukuri jo morale, si dukuri e cila dëmton shoqërinë, u mundëson individëve pasurim të pamerituar dhe ju shkakton qytetarëve dhe bizneseve dëme kolaterale.
Në Kosovë ne nuk jemi të mangët sa i përket shumë trupave të cilat merren me çështjen kundër korrupsionit. Kemi mjaft të tilla. Mirëpo, perceptimi për korrupsion, siç u tha këtu, është shumë i lartë. Dhe jo vetëm perceptimi, por edhe korrupsioni është prezent, është prezent në institucione, edhe qendrore edhe lokale, është prezent në arsim, është prezent në shëndetësi, është prezent edhe në shtyllat tjera. Këtu nuk është fjala vetëm për kontratat e prokurimit apo për sistemin e prokurimit, është fjala për kulturën korruptive të cilën ne duhet ta eliminojmë. Kjo është themelore.
Prandaj, unë mendoj se krahas vullnetit tonë dhe deklarimit tonë që ne duhet ta luftojmë korrupsionin, ne duhet të mendojmë edhe se si duhet të organizohemi në mënyrë më efikase që këtë korrupsion ta luftojmë, si ta fokusojmë edhe në pikëpamje organizative edhe në pikëpamje funksionale luftën kundër korrupsionit. T’i marrim përvojat e vendeve tjera dhe të shohim se si duhet ta bëjmë, sepse kur luftën e shpërndajmë në shumë organe, në shumë agjencione, në shumë institucione, atëherë shtrohet pyetja se çfarë koordinimi kemi ndërmjet tyre, sepse atëherë përgjegjësia po bartet prej një organi në organin tjetër.
Edhe me Programin Qeverisës jemi përcaktuar se do ta luftojmë korrupsionin dhe do të krijojmë kushte normale të konkurrencës. Ne nuk mund të flasim për zhvillim të mirëfilltë ekonomik, në qoftë se kemi korrupsion, sepse pastaj firmat nuk janë të barabarta në treg.
Dhe ne poashtu mendoj se nuk mund ta luftojmë korrupsionin, duke kërkuar “kokë turku”, ose duke kërkuar “peshq të mëdhenj”, ashtu siç deri më tani kemi vepruar, sepse, konsideroj se “peshk i madh” është çdo njeri i cili është i korruptuar. Dhe ne, ashtu duhet ta fillojmë këtë betejë, në mënyrë që mos të shkojmë në mënyrë selektive, por atë ta kërkojmë në institucione, ta kërkojmë në kompani publike, ta kërkojmë në agjencionet e pavarura, ta kërkojmë në të gjitha organizatat dhe ta kemi një betejë të përbashkët me qytetarë dhe me shoqërinë civile në luftimin e kësaj.
Mund të them se gjatë këtyre muajve ne nuk kemi pasur ndonjë rast të veçantë, ose të shënuar të korrupsionet në organet e Qeverisë. Kemi pasur disa probleme të cilat i kemi diskutuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, me të cilët kemi ndarë brengosjen tonë lidhur me këtë. Por, unë mendoj se pa marrë parasysh, percepcioni ekziston, ne duhet të ndërtojmë institucionet tona dhe duhet të kemi bashkëpunim shumë më të ngushtë në luftimin e kësaj dukurie.
Në Qeveri e kemi sjellë një vendim para disa javësh, me të cilin kemi obliguar të gjitha ministritë dhe organet qeveritare, që ta rishqyrtojnë dhe ta shohin çdo kontratë dhe çdo marrëveshje, e cila ka krijuar ose krijon konflikt interesi, dhe e cila ju mundëson individëve ose firmave që të kenë pozitë monopolistike në treg, dhe që të gjitha ato të fillojnë të anulohen, dhe të krijohet mundësi për konkurrencë transparente në treg.
Kemi anuluar disa vendime tona, përmes të cilave ne kemi krijuar kushte që të shkohet me negocim në kontraktim, dhe i kemi detyruar organet tona që të shkojnë në procedurë të hapur dhe pa negocim.
Kemi marrë veprime ndaj disa zyrtarëve në shërbimin civilë, ndaj të cilëve janë iniciuar procedurat penale, që ata në bazë të ligjit të suspendohen, dhe të mos mund të ushtrojnë ndikim në këtë fushë.
Kemi preventuar nënshkrimin e disa kontratave, për të cilat nuk kemi qenë të sigurt se si janë zhvilluar procedurat, dhe unë mendoj se ministritë dhe individët në ministri kanë bërë veprime të mira që janë sjellë kështu.
Kemi përgatitur tani ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit dhe për Prokurimin Publik. Do ta procedojmë në fillim të tetorit në Parlament, dhe nga fillimi i vitit të ardhshëm, ashtu siç u tha këtu nga Presidentja, do të kalojmë në aplikimin e prokurimit elektronik në nivel qendror. Ndërkaq, duhet menjëherë t’i bëjmë përgatitjet përmes mbështetjes, që këtë ta bëjmë edhe në nivele lokale.
Do t’i ndryshojmë edhe plotësojmë edhe të gjitha ligjet tjera dhe do t’i propozojmë Kuvendit që ato të bëhen, në dobi të menaxhimit më të mirë të kontratave, në dobi të çmimeve referente, të cilat do të jetë funksionale, në mënyrë që mos të konkurrohet me çmime me të cilat nuk mund të realizohen projektet dhe investimet, dhe mos të krijojmë dëmtim të parasë publike me këto procese.
Ne jemi të interesuar që të thjeshtëzojmë të gjitha procedurat ligjore të cilat rregullojnë bizneset, të zvogëlojmë burokracinë, të zvogëlojmë numrin e njerëzve dhe të barrierave të cilat na paraqiten ndërmjet bizneseve dhe zyrtarëve, në mënyrë që të lëmë sa më pak hapësirë të marrëveshjeve ose hapësirë të korrupsionit, të mitos, në komunikimin ndërmjet sektorit privat dhe sektorit publik, sepse mendoj se ky është një faktor i madh destabilizues i ardhjes së investimeve të jashtme, mirëpo është një faktor mjaft negativ edhe sa i përket funksionimit të lirë të tregut, sepse kjo krijon pabarazi në treg.
Unë ju ftoj të gjithë juve që të kemi përkrahje, ju ftoj që të punojmë bashkërisht, të gjitha institucionet e vendit, në mënyrë që këtë dukuri ta eliminojmë. Nuk është e mjaftueshme që të themi se toleranca do të jetë zero, por është e mjaftueshme që të veprojmë, që mos të tolerojmë që të ketë korrupsion në të ardhmen.
Faleminderit znj. Presidente dhe të gjithë juve.
