Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në përkujtimin e Masakrës së Mejës e Korenicës


Image


Image


Image


Image


Image

Mejë, 27 prill 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përkujtimin e Masakrës së Mejës e Korenicës, e ndodhur më 27 prill 1999, ku u vranë dhe u zhdukën 377 shqiptarë.
 
Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Isa Mustafa.
 
Të nderuar familjarë dhe familje të heronjve dhe dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,
Të nderuar familjarë të personave të pagjetur,
Të nderuar zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës, deputetë, ministra,
E nderuar kryetare e Komunës së Gjakovës,
I nderuar kryetar Haradinaj, z. Kurti, qytetarë nga rrethina e Gjakovës dhe trevave tjera të Kosovës,
Të nderuar pjesëmarrës të këtij takimi.
 
“Lëndina e Pikëllimit” është dhe do të mbetet përgjithmonë sinonim i dhembjes, i krenarisë, por edhe i kujtesës tonë kombëtare.
 
Mëngjesin e hershëm të 27 prillit të vitit ’99 të mbijetuarit e masakrës më të madhe dhe më makabre të forcave okupuese serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë, e kanë përshkruar si ‘kalvar vdekjeje’. Në drejtim të Mejës, golgotës së Dukagjinit, sipas një plani të përgatitur në mënyrën më kriminale nga forcat serbe, i orientuan banorët e fshatrave Necaj, Nivokaz, Dobrosh, Sheremet, Jahoc, Ponoshec, Racaj, Ramoc, Madanaj dhe Orize në këtë “Lëndinë Pikëllimi” ku u vranë dhe u masakruan 377 shqiptarë, disa prej të cilëve edhe sot, 16 vjet pas, konsiderohen të pagjetur.
 
Masakra e Mejës është një nga dëshmitë më të forta që Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e popullatës shqiptare.
 
Përpara një monumenti të tillë të dhembjes dhe kujtesës kombëtare, ne përulemi me respekt dhe ndjehemi të detyruar të bëjmë çfarë është e mundur për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
 
Poashtu, mbamendja dhe respekti e përkujtimi, nuk janë të vetmet detyrime tona.
 
Ju garantoj se në përputhje me obligimet ligjore e kushtetuese, në harmoni me konventat ndërkombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës do të insistojë për t’ua krijuar kushtet e përshtatshme mekanizmave të sundimit të ligjit dhe të rendit, për të zbardhur në tërësi këtë ngjarje makabre dhe për të vendosur përpara drejtësisë ideatorët dhe ekzekutuesit e masakrës së Mejës dhe të gjitha masakrave tjera anembanë Kosovës.
 
Kosova ka demonstruar dhe po demonstron gatishmërinë e bashkëpunimit me drejtësinë për të zbardhur të gjitha dyshimet dhe akuzat që rëndojnë mbi njerëzit e saj.
 
Unë besoj se Kosova ka siguruar tashmë të drejtën që ta ketë mbështetjen e krejt botës për ta detyruar Serbinë të dorëzojë të gjitha viktimat shqiptare që i mban të fshehura.
 
Krahas kësaj, jam i bindur se bota do të përkrahë edhe kërkesën  tonë që Serbia të shtrëngohet për t’i dorëzuar fajtorët për krimet që janë kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë, në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale.
 
Çështja e të pagjeturve dhe çështja e vendosjes para drejtësisë të ideatorëve dhe kryesve të krimeve, ende nuk ka gjetur vendin dhe trajtimin që meriton.
 
Do të punojmë me ngulm për të pagjeturit tanë, që të kërkohet zgjidhja në të gjitha instancat ndërkombëtare. Unë mendoj poashtu se përkushtimin më të madh në zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës sonë, duhet ta kemi të gjithë ne, se këto çështje duhet të trajtohen seriozisht dhe duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur dhe zgjidhjen që ju e pritni.
 
Unë e di që keni pritur gjatë dhe çdo ditë e juaja është ditë e ankthit.
 
Por, tash jemi në një tjetër gjendje, jemi një shtet i organizuar, jemi një shtet me shumë miq dhe me miqtë më të fortë që udhëhiqen nga parimet e drejtësisë dhe parimet e njerëzisë.
 
Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, ju ftoj të gjithë juve që të bashkëpunojnë me institucionet kompetente për të plotësuar të gjitha detyrimet tona, në mënyrë që ta përshpejtojmë procesin e identifikimit dhe procesin e kthimit të njerëzve tanë, të mbledhim faktet, të ndërtojmë dosjet e krimeve, t’i argumentojmë akuzat dhe të avokojmë për përshpejtimin e procesit të vënies para drejtësisë të kryesve të krimeve në Kosovë.
 
Jeni të bindur, se ne do të punojmë së bashku me ju dhe do të mundësojmë që ata që kryen këto masakra, të përgjigjen për masakrat e tyre.
 
Poashtu, ju premtoj se ne do të bëjmë çdo gjë që ky vend të duket ashtu siç kemi premtuar, që ky vend të shënohet në mënyrë dinjitoze dhe që ne t’i përmbushim detyrimet tona.
 
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Zoti ju bekoftë të gjithë juve!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors