Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Aktivizimi i burimeve të rritjes ekonomike në Kosovë”, e organizuar nga Instituti Riinvest


Image


Image


Image

Prishtinë, 15 maj 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Aktivizimi i burimeve të rritjes ekonomike në Kosovë”, e organizuar nga Instituti Riinvest.

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në këtë konferencë.

Të nderuar pjesëmarrës,
I nderuar kryetar dhe themelues i Institutit “Riinvest”, profesor Muhamet Mustafa,
Të nderuar menaxherë dhe punonjës të Institutit,
Të nderuar përfaqësues të Bashkimit Evropian,
Bashkëpunëtorë shumëvjeçar të Institutit,
Të gjithë ju përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të vendit dhe nga jashtë.

Dua të theksoj se sot Instituti e shënon një përvjetor të rëndësishëm të hulumtimeve të tij zhvillimore. Janë njëzet vjet të punës së këtij instituti, është një moment i veçantë që njerëzit t’i urojnë njëri-tjetrit për këtë punë të madhe që e kanë bërë në Institut. Të urojmë për qëndresën, për shumë hulumtime, për shumë studime, për shumë analiza, për personelin që e kanë krijuar, që po shërben sot jo vetëm për këtë Institut, por në institucionet më të rëndësishme të vendit, si në ato qeverisëse, institucionet financiare, institucionet ndërkombëtare; për urat e bashkëpunimit që ky Institut i ka ndërtuar me universitetet nga jashtë, me institutet tjera të dijes, me ekspertë dhe hulumtues kulminant.

Dëshiroj të shfrytëzoj rastin që të uroj në veçanti profesor Muhamet Mustafën, i cili në kohët më të rënda të këtij vendi e ka themeluar këtë institut të dijes, dhe të gjithë ata që patën guxim dhe kurajo që ta përkrahin për këtë ide.

Mund t’iu them se i lumtur ndjehem edhe unë sot këtu, për një periudhë shumë të rëndësishme të jetës time që e kam kaluar me bashkëpunëtorët e mi në këtë Institut, me punën e një ekipi të mrekullueshëm, në të cilin çdo njeri ka garuar që të tregohet më i suksesshëm.

Mund të them se të merret iniciativë për hulumtime dhe dizajnim të politikave ekonomike para njëzet viteve, ka qenë një vizion tepër i rëndësishëm, ka qenë një këmbëngulësi, por edhe një energji dhe një motivim i jashtëzakonshëm që sot po manifestohet me këtë njëzet vjetor, në të cilin Instituti po trajton tema shumë të rëndësishëm të aktivizimit të burimeve të zhvillimit, burime në të cilat ne kemi llogaritur gjithmonë, por të cilat nuk kemi arritur t’i shndërrojmë në faktor të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik.

Në vendin tonë nuk mund të drejtojmë politika efikase, pa politika të bazuara shkencore dhe profesionale, sidomos në fushat e zhvillimit makroekonomik.

Riinvesti ka bërë një punë shumë të madhe gjatë gjithë kësaj periudhe, ka dhënë rekomandime tepër të rëndësishme, çështje tjetër është se këto rekomandime sa kanë rënë në veshin e duhur, edhe sa janë akceptuar ato në momentet e caktuara, por ajo që ka bërë Instituti është këmbëngulësia e tij, është argumentimi, dhe është një punë e cila ka vazhduar edhe po vazhdon edhe deri më tani si punë tepër e suksesshme.

Qeverisja e vendit sot kërkon një bashkëpunim më të ngushtë me të gjitha institucionet e dijes. Kemi nevojë të gjejmë zgjidhje për çështjet që na preokupojnë më së shumti në këto momente, këto çështje janë çështjet e rritjes ekonomike; çështjet e papunësisë së lartë, dhe gjetjes së mundësive dhe perspektivave për punësim; çështjet e ekonomisë konkurruese, të nxitjes së zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; të identifikimit të sferave të zhvillimit në të cilat vendi ynë dhe njerëzit tanë kanë përparësi krahasuese në zhvillim në krahasim me ekonomitë regjionale, me ekonominë evropiane dhe atë botërore; të kemi institucione të cilat krijojnë dije, të cilat ofrojnë cilësi, të kemi një arsim të lartë cilësor, qoftë publik apo privat.

Ne kemi përcaktuar drejtimet tona themelore, kemi përcaktuar se duhet të punojmë në politika zhvillimore, të cilat korrespondojnë mes veti në mënyrë efikase qoftë në fusha të ndryshme ekonomike, qoftë në sektore të ndryshme, qoftë edhe në korrelacione ndërmjet sektorit publik dhe sektorit privat, duke i dhënë gjithmonë përparësi sektorit privat, dhe nxitjes së këtij sektori, sepse e kemi përcaktuar si bazë të zhvillimit ekonomik.

Poashtu na nevojitet një strategji e cila mundëson një ndërlidhje shumë më të ngushtë të zhvillimit ekonomik, dhe të forcimit të shtetit ligjor sepse konsiderojmë se zhvillimi ekonomik e forcon shtetin ligjor, por edhe forcimi i shtetit ligjor poashtu është parakusht i zhvillimit ekonomik, i tërheqjes së investimeve të huaja direkte, dhe i stabilitetit ekonomik tek ne.

Dëshiroj poashtu që përmes dijes dhe përmes bashkëpunimit tonë me institucionet e dijes siç është Instituti Riinvest, të kalojmë nga një situatë në të cilën ne me kritika të përditshme e përdhosim vetveten dhe e nënçmojmë vetveten, për dobësitë të cilat po shprehen, dhe të hyjmë në një gjendje në të cilën ne do të mburremi me sukseset tona, dhe do të mburremi me përparimet tona, në një situatë ku ne do të flasim për sukseset, do të flasim për përparimet e jo gjithmonë ta cilësojmë veten si të paaftë, jo të mirë dhe me shumë dobësi.

Unë konsideroj se një kontribut të veçantë ky Institut e ka dhënë në ndryshimin e vetëdijes sa i përket konceptit ekonomik. Në Institut për herë të parë jemi ballafaquar me konceptin e zhvillimit demokratik ekonomik, që nënkupton se nuk ka shoqëri të zhvilluar dhe shoqëri demokratike dhe demokraci të zhvilluar, në qoftë se kjo demokraci dhe ky zhvillim nuk bazohet në marrëdhënie ekonomike.

Këto janë koncepte që janë zhvilluar njëzet vite në Institutin “Riinvest” , koncepte të cilat fillojnë ta respektojnë iniciativën private dhe ndërmarrësin më shumë se sa është respektuar deri më tani; ka vlerësuar iniciativën private, dhe përgatitjet e njerëzve të cilët janë në gjendje të vetëpunësohen; ka përkrahur privatizimin dhe shndërrimin e aseteve të privatizuar në asete të vërteta ekonomike të cilat krijojnë një vlerë të shtuar dhe krijojnë zhvillim ekonomik, e jo të shfrytëzohen vetëm si prona të atyre që i kanë privatizuar; të ndërlidhin interesin e sektorit të prodhimit dhe sektorit të shërbimeve me sektorin bankar dhe me sektorin qeveritar; të krijojmë një klimë në të cilën të gjithë ne do të mburremi me suksesin e bizneseve private dhe për pasurimin e këtyre bizneseve; dhe se të gjithë ne duhet të luftojmë kundër pasurimit të atyre që shfrytëzojnë paranë publike në mënyrë jo ligjore, por të mburremi me atë që pasurinë e tyre e bëjnë në bazë të punës dhe në bazë të iniciativës private.

Qeveria ka përcaktuar disa prej orientimeve themelore zhvillimore, ka përcaktuar interesin tonë që të rrisim normën vjetore ekonomike, përkatësisht normën e rritjes së bruto produktit vendor e cila do të mundësonte një normë të punësimit që do të përfshinte fluksin e të papunëve që hyjnë gjatë vitit në tregun e punës, duke siguruar kushte që më vonë të përfshihen edhe ata që sot gjenden në tregun e punës, përkatësisht të bilancit të papunëve që sot është në tregun e punës.

Pastaj që me prioritet t’i japim rëndësi resurseve njerëzore të cilat ne i kemi, përkatësisht burimeve bujqësore për zhvillim, dhe jo vetëm sektorit primar të prodhimit bujqësor, por edhe të përpunimit të produkteve bujqësore, dhe të ndërrojmë bilancin tregtar me jashtë, dhe GDP-në, mbi bazën e asaj se do të importojmë më pak produkte të tilla, dhe në qoftë se nuk arrijmë të eksportojmë aq sa ne dëshirojmë, atëherë do të arrijmë që të plotësojmë nevojat tona. Do t’i japim përparësi sektorit të energjetikës, sepse nuk kemi energji të mjaftueshme në mënyrë që të përballojmë qoftë investimet e jashtme qoftë nevojat e ekonomisë vijuese në vendin tonë. Do të përkrahim sektorin e IT-së, në të cilin kemi burime shumë të rëndësishme njerëzore dhe të përgatitura, ta aftësojmë “Trepçën”, në një projekt shumë të rëndësishëm me strategji të cilën ne do ta ndërtojmë së bashku me ekspertët e “Trepçës”, së bashku me ekspertët vendor dhe me ekspertët ndërkombëtar, në të cilën ne minierat do t’i përgatisim dhe do t’i aftësojmë që ato të funksionojnë në mënyrë efikase, dhe mineralet do t’i shfrytëzojmë jo vetëm t’i eksportojmë si të tilla, por të eksportojmë produktet e gatshme të cilat ne do t’i prodhojmë. Dhe poashtu të zhvillojmë një arsim i cili do të siguroj cilësi dhe jo vetëm përfshirje të gjeneratës.

Do të kalojmë nga intenca që të kemi përfshirje më të madhe të gjeneratës, kjo natyrisht do të mbetet një prej objektivave tona, por objektivi ynë themelor do të jetë që ne ta përmirësojmë cilësinë.

Dëshirojmë të kemi bashkëpunime shumë më të mira me institucionet financiare ndërkombëtare, të kemi një përkrahje më të madhe të tyre në zhvillimin ekonomik, sepse sektori i  brendshëm bankar është e pamundur që të përballoj në mënyrë cilësore të gjitha nevojat tona, pasi është në një pozitë të tillë.

Neve kjo përkrahje na nevojitet për këtë periudhë në të cilën ne praktikisht nuk kemi ngarkesë të GDP-së të madhe, përkatësisht e kemi shumë të ulët në borxhin e jashtëm, kemi hapësira që të shfrytëzojmë huat ndërkombëtare, dhe që këto hua t’i zhvillojmë për qëllime zhvillimore.
Këto janë politika të Qeverisë, të cilat kryesisht janë të orientuara në politika zhvillimore.

Natyrisht se ne nuk mund të ikim nga përgjegjësia jonë për përballimin e gjendjes sociale ekzistuese, sepse gjendja është reale e tillë, me varfëri të madhe dhe me papunësi të madhe, mirëpo këtë varfëri të madhe dhe këtë papunësi ne do ta tejkalojmë me politika aktive sociale, dhe jo me politika pasive sociale, jo duke ndarë ndihma, por duke siguruar vende pune.

Unë ju uroj për këtë iniciativë që e keni marrë. Uroj që debatet të cilat do të zhvillohen në panele do të japin përgjigje të merituara në shumë kërkesa që i shtron shoqëria kosovare, jo vetëm Qeveria, dhe që ky debat gjatë këtyre ditëve të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik.

Urime dhe suksese.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors