Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në konferencën ceremoniale për kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve


Image


Image


Image

Prishtinë, 8 prill 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën ceremoniale për kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, që u zhvillua të mërkurën në Prishtinë.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa në konferencë.

E nderuar ambasadore Jacobson,
Të nderuar ministra,
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike,
I nderuar ambasador i OSBE-së,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit rom,
Të gjithë ju që jeni prezent këtu,
Zonja dhe zotërinj.

Dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ua uroj 8 Prillin, Ditën Ndërkombëtare të Romëve, datë kjo që shënon ditën e flamurit dhe të himnit rom, që së bashku me gjuhën rome, shprehin vlera të pasura dhe të veçanta etno-kulturore tuajat.

Kosova është përcaktuar për një shtet multietnik, që respekton dhe ndërton vlera multikulturore, por edhe synon përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike për minoritetin rom. 

Këtë ditë e kuptojmë edhe si një apel ndaj të gjithë neve, që kemi përgjegjësi për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për më shumë vëmendje nga shteti dhe shoqëria, për integrimin e romëve në jetën sociale dhe ekonomike të vendit, mundësi më të mëdha për punësim, për strehim dhe arsimim, dhe për t’i dhënë fund varfërisë që e karakterizon këtë komunitet.

Jam i vetëdijshëm se duhet të punojmë shumë, por poashtu krenohem që në vendin tonë kemi deputetë nga radhët e komunitetit rom, kemi edhe zëvendësministra.

Kjo nuk është vetëm simbolikë për ne, është një realitet të cilin ne po e ndërtojmë, si shprehje e orientimit për ndërtimin e një shoqërie, e cila krijon hapësirë për të gjithë, që të marrim të gjithë ne së bashku, përgjegjësinë për qeverisjen e vendit.

Komuniteti rom si pjesë integrale e koloritit etnik dhe kulturor të Kosovës, është kontribuues dhe vlerë e shtetit tonë të ri. Prandaj edhe kjo festë shpreh ndjenjën tonë të përbashkët për vlerat e veçanta që përfaqëson komuniteti rom në hapësirën tonë kulturore.

Realizimin e të drejtave të barabarta të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve, e konsiderojmë jo vetëm si obligim kushtetues dhe ligjor, por para së gjithash si përcaktim tonin politik dhe përcaktim njerëzor.

Do të punojmë që të drejtat e parapara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, të zbatohen për të gjitha komunitetet njëlloj, dhe të avancojmë në implementimin e këtyre të drejtave.

Si kryeministër i vendit do të angazhohem që të krijohen mundësi të barabarta për të gjithë, sidomos për punësim, për shkollim në të gjitha nivelet, në fushën e shëndetësisë dhe në jetën sociale në përgjithësi.

Ne të gjithë kemi nevojë të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët, në të cilën do të ketë hapësirë për të gjithë, sepse të gjithëve iu takon kjo hapësirë e barabartë.

Këtë të ardhme nuk mund ta ndërtojmë veç e veç, por duke bashkëpunuar dhe duke pasur mirëkuptim dhe besim në njëri-tjetrin. Prandaj, na nevojitet të ndërtojmë mirëbesim dhe të jemi të hapur gjithmonë ndaj njëri-tjetrit. 

Asnjë sukses i asnjë komuniteti në Kosovë, nuk do të mund të vlerësohet si sukses, nëse nuk përcillet edhe me sukseset e komuniteteve të tjera.

Ne vlerësojmë se sukseset tona janë të kushtëzuara dhe se sukses i yni do të jetë vetëm në qoftë se ne bashkë arrijmë një perspektivë të zhvillimit të Kosovës.

Kosova është shtet i ri, ka ende shumë punë për të bërë në rrugëtimin drejt zhvillimit dhe integrimit euroatlantik, duke përfshirë këtu edhe qasjen në avancimin e të drejtave të njerëzve dhe të drejtave të gjithë komuniteteve të saj.

Për këtë, ne si Qeveri kemi themeluar mekanizma të përhershëm për koordinimin e programeve të ndryshme, që shërbejnë për avancimin e të drejtave të komuniteteve në përgjithësi në Kosovë, duke përfshirë edhe qytetarët tanë romë. Në këtë drejtim, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës sime, janë pararendës të rëndësishëm për avancimin e punëve në këtë fushë.

Poashtu edhe në programet e deritanishme të hartuara si dhe në ato që po punojmë tani në Qeveri, prioritet i theksuar do t’i jepet thellimit të multikulturalizmit dhe marrëdhënieve multietnike në Kosovë.  

Këtë prioritet do ta përcaktojmë edhe në realizimin, përkatësisht implementimin e Programit Qeverisës të cilin e kemi miratuar, dhe i cili ofron një fushë të rëndësishme dhe mjaft të hapur të realizimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Prandaj, në fund, dëshiroj të përmbyll fjalën time duke theksuar se jam i lumtur që jemi së bashku me ju sot këtu në ditën tuaj ndërkombëtare, me dëshirë që vitin e ardhshëm kur takohemi, të shënojmë dhe të krenohemi me sukseset që i kemi realizuar për një vit.

Prandaj, juve, familjeve tuaja, ju dëshiroj shumë suksese dhe ju uroj këtë festë të rëndësishme.

Urime dhe faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors