Gjilan, 21 shtator 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të objektit të Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Në ceremoninë solemne të zhvilluar me këtë rast, ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcillar, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, e zyrtarë të tjerë institucionalë dhe qytetarë.
Gjatë ceremonisë u tha se objekti i ri i Prokurorisë Themelore në Gjilan do të krijojë kushte shumë më të favorshme e më të mira për punonjësit e Prokurorisë, gjë që pritet të ndikojë në rritjen e efikasitetit në luftë kundër krimit dhe shkelësve të ligjit.
