Prishtinë, 4 mars 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në diskutimin e radhës në kuadër të Forumit FOL Hapur, të organizuar nga Lëvizja FOL.
Fillimisht, kryeministri mbajti një fjalë hyrëse, me fokus në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sundimin e rendit dhe të ligjit dhe proceset integruese evropiane, duke përfshirë nënshkrimin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave. Më pas, kryeministri Mustafa iu është përgjigjur pyetjeve dhe ka diskutuar me të pranishmit.
Gjeni të plotë fjalën hyrëse të kryeministrit Isa Mustafa në këtë forum.
Ju faleminderit shumë.
Dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve dhe të shpreh kënaqësinë time që jam së bashku me ju këtu dhe mundësinë që të diskutojmë bashkërisht, të shprehim opinionet tona lidhur me këto tre fusha, të cilat i konsideroj që janë tepër të rëndësishme për Kosovën.
Ne javën e kaluar kemi aprovuar Programin Qeverisës në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Është një dokument i cili është përgatitur për një periudhë të gjatë kohore, të cilin ne e kemi punuar edhe më parë dhe e kemi harmonizuar edhe me partnerin tonë kryesor qeverisës, Partinë Demokratike të Kosovës, e kemi harmonizuar edhe me subjektet tjera, me të cilat jemi në koalicion dhe, tani, e kemi aprovuar si dokument të përbashkët, të orientimeve themelore të qeverisjes së vendit gjatë këtyre katër viteve.
Rëndësi themelore i kemi dhënë zhvillimit ekonomik, sepse konsiderojmë se kjo është një çështje, e cila meriton kujdes më të madh të Qeverisë dhe jo vetëm të Qeverisë, por të të gjithë akterëve të vendit.
Ndër problemet themelore të zhvillimit ekonomik, janë ato të tërheqjes së investimeve të huaja, të sigurimit të burimeve më të volitshme për financim të investimeve; është problemi i hapjes së vendeve të reja të punës; është pastaj problemi i strukturës ekonomike, të cilën ne duhet ta përshtatim karshi konkurrencës jo vetëm brenda vendit, por edhe me vendet në rajon dhe tregjet evropiane dhe ndërkombëtare; dhe po ashtu është niveli i lartë i varfërisë, të cilën ne duhet ta ulim me politika aktive sociale dhe jo vetëm me politika pasive përmes dhënies së ndihmave të ndryshme, sepse ato nuk ndihmojnë në pikëpamje të zhvillimit ekonomik.
Instrumentet, të cilat ne dëshirojmë që t’i praktikojmë në nxitjen e zhvillimit, kryesisht kanë të bëjnë instrumentet e politikës fiskale, në të cilat ne dëshirojmë t’i bëjmë disa ndryshme dhe sa i përket Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe lirimit të importit të pajisjeve, të cilat janë të orientuara për zhvillim ekonomik, mirëpo edhe sa i përket lirimit të bizneseve në vitet e para të fillimit të punës së tyre nga pagesa e tatimit në fitim, përkatësisht tatimit në fitim të korporatave.
Janë subvencionet dhe grantet, të cilat ne mendojmë t’i japim për bujqësi sidomos, pastaj është fondi për zhvillim, për të cilin sot kemi marrë një vendim në Qeveri, që të themelojmë një grup profesional, i cili do ta përgatisë konceptin e themelimit të fondit për zhvillim, që ne pastaj do ta bëjmë si institucion të veçantë, i cili duhet të drejtohet nga unë si kryeministër, sepse i japim një rëndësi të veçantë këtij fondi dhe do të identifikojmë edhe burimet e tij.
Po ashtu, janë marrëveshjet, të cilat do t’i bëjmë me institucionet financiare ndërkombëtare, lidhur me kushtet e volitshme të financimit të bizneseve, sidomos atyre të të rinjve dhe biznesit të grave, sepse janë dy fusha, të cilat kemi nevojë të sigurojmë më shpejt vende të punës dhe, po ashtu janë dy fusha tek të cilat është e shprehur në mënyrë ekstreme papunësia, në krahasim me strukturat e tjera të të papunëve.
Janë edhe çështje të tjera që ndërlidhen pastaj me zhvillimin ekonomik, sepse duhet ta harmonizojmë, përkatësisht ta bashkërendisim edhe politikën arsimore dhe atë shëndetësore, karshi politikës zhvillimore. Por ne fokusimin e veçantë tani për tani e kemi tek politikat zhvillimore dhe tek instrumentet, të cilat ne duhet t’i marrim për zhvillimin ekonomik.
Konsiderojmë se situata e tanishme është mjaftë e rëndë. Ne kemi vlerësime të ndryshme lidhur me papunësinë në vend. Kemi po ashtu edhe vlerësime lidhur me fluksin e të papunëve, të cilët hyjnë në tregun e punës, që tani për tani sillet ndërmjet 25 mijë dhe 30 mijë. Kemi po ashtu vlerësime lidhur me rritjen vjetore të bruto produktit vendor, përkatësisht GDP-së dhe, ne vlerësojmë se një rritje stabile e vendit, e cila do të mundësonte së pari përballjen me fluksin e të papunëve që hyjnë në tregun e punës çdo vit, duhet të jetë në mes 6.5 deri në 7 për qind të rritjes së bruto produktit vendor, përkatësisht të GDP-së, e cila pastaj do të siguronte një normë mesatare të punësimit, si normë vjetore prej 5 për qind, që do të nënkuptonte se mund të përballojë fluksin vjetor të atyre që hyjnë në tregun e punës. Dhe më vonë mbetet zgjidhja e çështjes së kontingjentit të të papunëve, të cilët janë të paraqitur në zyrat për punësim ose që nuk janë të paraqitur fare, sepse e kanë humbur shpresën.
Mendoj se në këtë formë ne mund të ballafaqohemi me këtë problem.
Ndër prioritetet themelore në zhvillimin ekonomik, ndarë sipas sektorëve, ne mendojmë që t’i japim prioritet bujqësisë, sepse ka mundësi të hapjes më të shpejt të vendeve të punës përmes granteve dhe subvencioneve.
Të nxisim sektorin e ndërtimeve, sepse është një industri e cila akoma po funksionon tek ne, për arsye se kemi kërkesa agregate në treg. Ky sektor pastaj lidh edhe sektorët e shërbimeve dhe sektorin e tregtisë që aktivizon, dhe në qoftë se ky sektor pasivizohet, pasivizon edhe tjerat.
Është sektori që ka të bëjë me informatikën dhe me teknologjinë informatike që ndërlidhet kryesisht me të rinjtë, dhe ne mendojmë se ne duhet t’i përkrahim të rinjtë në atë sektor. Ai nuk është sektor që punëson shumë, por është sektor që angazhon pjesën kreative të të rinjve.
Është sektori i energjetikës në të cilën ne mendojmë të investojmë në Kosovën C, por të shohim edhe mundësinë e rehabilitimit të Kosovës A, varësisht nga marrëveshjet që ne i kemi me Bashkimin Evropian dhe mundësia e ndryshimit të këtyre marrëveshjeve.
Dhe është sektori i xehetarisë dhe minierave, i cili kryesisht është i lidhur me Trepçën, që mendojmë se këtë duhet ta rregullojmë me një ligj të veçantë.
Sa i përket çështjes së sigurisë, dhe çështjes së shtetit të së drejtës, është një fushë e cila meriton kujdes të veçantë, në të cilën Qeveria pastaj duhet në mënyrë të kujdesshme ta analizoj rolin e vet, pasi që nuk guxon të interferohet në çështjet e drejtësisë.
Por ajo për të cilën ne jemi përcaktuar me Programin tonë Qeverisës, është të krijojmë kushte në mënyrë që drejtësia, edhe prokuroria edhe gjyqësia të veprojnë të pavarura, por t’i kenë kushtet për këtë veprim, edhe sa i përket hapësirave, edhe sa i përket kuadrit dhe nxitjes apo stimulimit material, që këtë punë ta bëjnë.
Çështjet e tjera është vështirë që t’i merr Qeveria, të thotë kaq njerëz do të shkojnë në përgjegjësi, apo nuk do të shkojnë. Ajo që ne do ta bëjmë si Qeveri, në të gjitha strukturat tona, jo vetëm në ministri por edhe në agjencionet që janë të lidhura drejtpërdrejt me Qeverinë, apo kompanitë publike tek të cilat Qeveria është aksionar, por edhe në fusha të tjera, është që ne të sigurojmë njerëz që janë profesionist, të cilët nuk janë të ndikuar politikisht, dhe të cilët në mënyrë profesionale i drejtojnë sidomos kompanitë publike dhe agjencionet e pavarura, që në strukturën qeverisëse të mos kemi njerëz që janë të ndjekur penalisht apo që kanë kryer vepra penale.
Për atë jemi munduar edhe tek zgjedhja e anëtarëve të Qeverisë, por edhe të zëvendësministrave, të aplikohen standarde të tilla.
Jemi duke punuar tash në kompletimin rreth 15 bordeve të kompanive publike, të cilat do t’i përfundojmë gjatë muajit mars, dhe poashtu diku rreth 15 bordeve të agjencive të pavarura, sepse i kemi të gjitha agjencitë publike dhe agjencionet e pavarura pa borde të kompletuara.
Po bëjmë përpjekje që sa më shpejt ta përmbyllim këtë, që të kemi njerëz profesionist të cilët nuk do të jenë të ndikuar politikisht, dhe poashtu të cilët nuk kanë asnjë trashëgimi penale apo të kryerjes së veprave të cilat nuk do t’ia mundësonin që të bëjnë këto punë.
Do të punojmë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në mënyrë që pjesa hetimore e Ministrisë së Punëve të Brendshme ta bëjë punën e vet maksimalisht, dhe poashtu të jetë e pavarura nga politika në kryerjen e kësaj pune, në mënyrë që të krijojmë një distancim të plotë të politikës dhe ndikimit qeveritar në këtë pjesë të realizimit të drejtësisë.
Është punuar me faktorin ndërkombëtar dhe është arritur një partneritet mjaft i mirë në orientimet themelore. Janë përmbyllur të gjitha përgatitjet për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kemi biseduar tani edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që kanë qenë këtu, kam biseduar edhe në Bruksel në vizitën time që kam pasur atje muajin e kaluar.
Ekziston disponimi që të shkohet me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje. Nuk mund të them sot saktësisht se kur do të ndodh ajo, sepse nuk na është dhënë datë e saktë. Është premtuar se do të ndodh në pjesën e parë të këtij viti, ne shpresojmë se do t’i përmbahen atij premtimi.
Janë edhe disa çështje teknike që janë prezantuar nga Brukseli, lidhur me përgatitjen teknike të dokumentit, përkthimin e dokumentit, e tjera, pasi duhet të bëhet para nënshkrimit të tij, por mendoj se do të nënshkruhet shumë shpejt, dhe me këtë do të hapet mundësia e marrëveshjeve kontraktuese me Bashkimin Evropian.
Kemi biseduar sidomos tani gjatë kësaj periudhe të ballafaqimit me migrime shumë të mëdha nga Kosova, me shumë përfaqësues të Bashkimit Evropian, të shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian, të pjesëve të shteteve të ndryshme, për shembull nga Gjermania, kemi pasur nga lande të ndryshme vizita të zyrtarëve të lartë të këtyre landeve, sepse disa prej tyre kanë qenë më të ngarkuar me njerëz nga Kosova që kanë shkuar atje, dhe e kemi theksuar si një prej faktorëve që mund ta ketë nxitur këtë migrim, edhe problemin e izolimit të Kosovës, sidomos të dy strukturave që janë shumë të shfaqura: të rinjve, sepse ata nuk po mund të lëvizin për shkollim jashtë, ose për studime, ose për studime Master ose të Doktoratës. si dhe bizneset, sepse kemi mbetur vend i veçantë, që bizneset edhe përkundër asaj që ne kemi shpallur ekonominë tonë si ekonomi të tregut, e cila duhet të komunikoj me ekonominë e tregut të vendeve në rajon, me vendet e Bashkimit Evropian dhe vendeve tjera, ata nuk janë të barabartë me konkurrentët tjerë, prandaj duhet t’iu krijohet kjo mundësi që të jenë të barabartë në sheshin e bashkëpunimit ekonomik. E kemi trajtuar edhe këtë problem.
Ka pasur mendime të ndryshme sa i përket liberalizimit të vizave, që procesi i migrimit ilegal e vështirëson liberalizimin. Por, poashtu ka pasur edhe mendime tona se ky është një argument i cili duhet të kërkoj vëmendje nga vendet e Bashkimit Evropian se Kosova duhet të dal nga ky izolim, dhe duhet t’iu mundësohet njerëzve që ata të dalin.
Ata mund të dalin, ta shohin se çka është Evropa dhe çfarë janë vendet e ndryshme evropiane, dhe të kthehen në vendin e tyre. Askund s’mund të jetohet pa punuar dhe vetëm me anë të ndihmave, dhe as kosovarët nuk dëshirojnë që vetëm të shkojnë atje të kërkojnë ndihma, por të kërkojnë punë.
Kemi kërkuar që ky problem të zgjidhet edhe përmes liberalizimit të vizave, por edhe përmes punëve sezonale, të cilat mund t’iu ofrohen qytetarëve kosovarë në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian. Tani po punojmë edhe me ta, që në mënyrë preventive edhe në mënyrë të përkohshme ta tejkalojmë këtë problem përmes punësimeve sezonale, që ne tash po mundohemi të zhvillojmë biseda me disa vende të Bashkimit Evropian. Janë disa premtime. Te disa nuk ka premtime për marrëveshje ndërshtetërore për punësim sezonal, por ka premtime për hapjen e kanaleve të ndryshme, ku njerëzit tanë mund të shkojnë, mund të punojnë, por përmes kanaleve zyrtare, kurrsesi përmes migrimeve informale, apo migrimeve të parregullta të qytetarëve tanë.
