Mitrovicë, 10 qershor 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë qendrore me rastin e rivarrimit të Heroit Kombëtar, Isa Boletini, e cila u zhvillua në Mitrovicë.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në ceremoni:
Të nderuar anëtarë të familjes Boletini,
I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli,
I nderuar president Shqipërisë, z. Bujar Nishani,
I nderuar kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha,
Të nderuar mysafir,
Të nderuar përfaqësues të familjeve të heronjve dhe të dëshmorëve,
E nderuara Familje Jashari, baca Rifat,
I nderuar Princ Leka,
Të nderuar ministra dhe deputetë,
Zonja dhe zotërinj.
Sot, në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit po nderojmë Heroin e Kosovës, tribunin e kombit shqiptar, Isa Boletini.
Ashtu siç ngjet gjithmonë me njerëzit e epokave, edhe kësaj radhe, Isa ynë bëhet urë bashkimi për ne të gjithë, pavarësisht nga bindja jonë politike, apo nga prejardhja jonë rajonale.
Përtej ngurtësive të pragmatizmit politik, Isa Boletini, ishte njeriu i idealeve madhore kombëtare. Duke qenë i këtyre përmasave, ai na bashkon edhe sot, në ditën kur po mbyllet udhëtimi i tij i gjatë pothuajse shekullor drejt Boletinit të tij, aty ku lindi dhe aty ku e pret toka e tij, vendi nga i cili nga sot do të bëhet një panteon i ri i shqiptarizmit, një vend i shenjtë, ku të gjithë ne do të përkulemi me nderim në të ardhmen.
Heroi Isa Boletini po i rikthehet sot vendlindjes pasi ka udhëtuar simbolikisht nëpër qendrat kryesore kosovare, nëpër të cilat edhe njëherë përçoi mesazhin e madh të unitetit dhe të dashurisë pa kushte në mes të vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe, në mes të vëllezërve të një fati e të një ëndrre.
Të dashur pjesëmarrës të këtij manifestimi,
Zonja dhe zotërinj.
Brezi i Isa Boletinit luftoi me ëndrrën e lirisë për të gjithë shqiptarët. Luftoi për një njësi shtetërore kombëtare, përgjatë mbarë viseve në të cilat me shekuj kishin jetuar pararendësit. Por rrethanat e kohës dhe rreshtimet e fuqive të mëdha pamundësuan që kjo ëndërr të bëhej në tërësi realitet, ndaj Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në vjeshtën e tretë të vitit 1912, nuk arriti të ruante as çerekun e tokave në të cilat shqiptarët historikisht dhe pashkëputshëm ishin popullsi me shumicë.
Sidoqoftë, pavarësia e vitit 1912, shënon aktin e madh të historisë sonë kombëtare, sepse pas plot pesë shekujsh, shqiptarët arritën të kenë një shtet të tyre sovran, të kenë një Qeveri të veten.
Së këndejmi, themi se 28 nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është akti më i rëndësishëm i historisë sonë kombëtare në fillim të shekullit njëzet, siç është Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, gati një shekull më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008.
Të dyja këto data detyrimisht lidhen me emrin e Heroit tonë të madh Isa Boletini. 28 nëntori për faktin se Isa ishte vetë shtylla kryesore e lëvizjes së asokohshme të shqiptarëve për liri dhe mëvetësi, ndërsa 17 shkurti për faktin se figura e Isa Boletinit ka qenë model i jetës dhe i flijimit për lirinë e Kosovës për shumë patriotë shqiptarë gjatë gjithë shekullit të njëzet.
Të dashur bashkëqytetar,
Zonja dhe zotërinj.
Përtej simbolikës, kthimi i eshtrave të Heroit të Kosovës, Isa Boletini, në Kosovë, në vendlindjen e tij, është detyrim i yni shtetëror, ndaj këtij vigani të historisë sonë kombëtare, jeta dhe vepra e të cilit ka qenë, është, dhe do të mbetet përgjithmonë inspirim për brezat tonë të rinj.
Isa po i kthehet përfundimisht Kosovës, po i kthehet Boletinit të tij të dashur, në të cilin pushtues të ndryshëm rrënuan çdo gjë, ia dogjën kullat disa herë, porse ai dhe Boletinët e tij i ringritën sërish nga e para të gjitha ato që u rrënuan, siç është ringritur shqiptari prore që nga koha e Skënderbeut e këtej.
Isa do të prehet në dheun e vendlindjes së tij në Boletin, po rivarroset aty nga u nis në beteja me trimat e tij, aty nga shtegtoi në Vlorë për të shpall pavarësinë e shtetit shqiptar.
Isa Boletini është Hero i Kosovës, dhe si i tillë duhet të ketë nderimin e të gjithë neve dhe të gjithë qytetarëve.
Isa Boletini nuk është vetëm simbol i unitetit shqiptar, simbol i vetëflijimit për lirinë dhe prosperitetin e kombit të tij, por është edhe një simbol i jashtëzakonshëm i luftës dhe flijimit për lirinë universale njerëzore.
Zoti e bekoftë Isa Boletinin dhe familjen e tij heroike!
Zoti i bekoftë të gjithë ata që punuan dhe ndihmuan që heroi ynë të kthehet dhe të varroset në tokën e tij!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!
