Prishtinë, 26 gusht 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, do të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015, i cili do të zhvillohet në Vjenë.
Në këtë samit shumë të rëndësishëm për rajonin, do të jenë të pranishëm edhe kancelarja Federale Gjermane, Angela Merkel, kancelari Federal Austriak, Werner Faymann, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera evropiane, të mekanizmave të BE-së dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, në samitin e Vjenës, i cili është i ndarë në tre nivele, do të jenë edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Në sesionet e këtij samiti, do të trajtohen tema të rëndësishme që lidhen me situatën ekonomike, proceset e reformave, rininë, edukimin, energjinë, transportin, e tema të tjera me rëndësi për vendet dhe qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ky samit pritet të ketë rezultate konkrete në fushën e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë samitit do të prezantojë progresin që po arrihet në Kosovë në shumë fusha dhe hapat e mëtejshëm të Republikës së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu do të ketë takime të nivelit të lartë dhe do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij samiti.
