Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mbajti të premten një konferencë për media, pas vizitës në Nju Jork, ku ndër të tjera mori pjesë në Samitin Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
Fjala hyrëse e kryeministrit Isa Mustafa në konferencë:
Përshëndetje të gjithëve,
Dëshiroj sot t’iu njoftoj lidhur me takimet të cilat këto ditë i kemi pas në Nju Jork, si delegacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Nga data 26 shtator deri më 1 tetor, në cilësinë e kryeministrit të vendit, së bashku me zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni, kemi zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë këtyre 5 ditëve, kemi zhvilluar dhjetëra takime dhe aktivitete të nivelit të lartë, të cilat besoj se kanë dhënë fryte të rëndësishme për Kosovën, veçanërisht në raport me rolin e saj në bashkësinë ndërkombëtare.
Suksesi i kësaj vizite konsiston në faktin se delegacioni qeveritar ka zhvilluar takime të nivelit të lartë me autoritetet të larta të:
– Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
– Bashkimit Evropian dhe organizatave tjera ndërkombëtare; dhe
– Shteteve të ndryshme, qofshin atyre evropiane, apo shteteve tjera.
E veçanta e kësaj vizite ka qenë pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në Samitin Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Në këtë samit, i cili ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimet ndërkombëtare, Republika e Kosovës është trajtuar me kapacitet të plotë shtetëror, si të gjitha vendet tjera të botës. Ne kemi qenë pjesë e barabartë e këtij Samiti, i cili është mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Andaj i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Obama për përkrahjen ndaj Republikës së Kosovës dhe mund të them se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit, e ka dëshmuar faktin se Republika e Kosovës po bëhet faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Sa i përket takimeve me zyrtarë të lartë të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne jemi takuar me zëvendës sekretarin amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken. Në këtë takim ka qenë e pranishme edhe znj. Victoria Nuland, ndihmës sekretare, dhe ne jemi përgëzuar për lidershipin në raport me proceset e rëndësishme të cilat i kemi kapërcyer këtë periudhë.
Kemi marrë po ashtu përkrahje të plotë për vendimin që e ka marrë edhe Qeveria edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, përkatësisht Dhomave të Veçanta, kemi marrë përkrahje të plotë për procesin e dialogut dhe katër marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Kemi marrë po ashtu përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, angazhimit dhe anëtarësimit të saj në INTERPOL, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe po ashtu kemi marrë përkrahje edhe në proceset tjera integruese në strukturat euroatlantike, që ka të bëjë edhe me transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, por gjithherë duke i respektuar procedurat dhe duke marrë një vendim të tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë përgëzuar Republikën e Kosovës për hapat të cilat i kemi marrë në luftën kund radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke e konsideruar Kosovën si shembull të veçantë edhe sa i përket Strategjisë që ne e kemi aprovuar kundër terrorizmit, dhe po ashtu Ligjit që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar me të cilin është ndaluar bashkimi i qytetarëve tanë në konfliktet e jashtme.
Jemi takuar po ashtu edhe me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan Hoyt Yee, me të cilin po ashtu kemi biseduar për çështjet e dialogut, kemi biseduar për çështjet e modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) si dhe për përfundimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në këtë proces.
Gjatë vizitës, jemi takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, me komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos. Kemi diskutuar çështjet e integrimeve tona në Bashkimin Evropian, kemi diskutuar veçmas procesin liberalizimit të vizave dhe çështje tjera integruese si dhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim.
Mund të them se kemi një përkrahje të plotë, nuk mund të flas tani për afatet, veçmas për liberalizimin e vizave, por konsideroj se ne do t’i përmbushim deri në fund të nëntorit të gjitha kriteret. Ju e dini se nga 95 kritere teknike të cilat janë parashtruar para nesh, ne i kemi plotësuar krejtësisht 87. Kanë mbet edhe disa prej tyre për të cilat do ta bëjmë tani një Task Forcë dhe do të procedojmë me to deri në fund të nëntorit, në mënyrë që të gjitha kriteret t’i kemi të plotësuara krejtësisht, dhe të presim që të merret vendimi politik në nivel të Bashkimit Evropian.
Jemi takuar edhe me sekretarin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, nga i cili kemi kërkuar që të sigurohet përkrahja e vendeve që i përkasin këtij komuniteti, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe po ashtu edhe për anëtarësimin tonë në INTERPOL.
Sa i përket takimeve me liderë të shteteve të ndryshme të botës, mund të them se takimet kanë qenë të rëndësishme.
E kemi takuar presidentin e Bullgarisë, tek i cili kemi has në një mirëkuptim tepër të madh, edhe sa i përket UNESCO-s, edhe sa i përket liberalizimit të vizave, edhe sa i përket Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por po ashtu edhe përkrahjes së tyre që të punohet me vendet e Bashkimit Evropian të cilat akoma nuk na kanë pranuar, në mënyrë që ato ta njohin Kosovën si shtet. Jemi takuar me kryeministrin e Turqisë, kryeministrin e Luksemburgut, jemi takuar po ashtu edhe me shefa të delegacioneve, në cilësinë, qoftë të zëvendëskryeministrave qoftë të ministrave të Punëve të Jashtme, atë të Norvegjisë, ministrin e Jashtëm të Greqisë, ministrin e Jashtëm të Zvicrës. Kemi pas takime po ashtu të rëndësishme me sekretarin për marrëdhënie me Shtetet të Selisë së Shenjtë, i cili ka shpreh përkrahje për proceset në Kosovë, dhe po ashtu kemi marrë përkrahje sa i përket nevojës që ne të jemi pjesë e UNESCO-s, në të cilën Kosova do të realizoj nevojat e saj në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, në fushën e shkencës, dhe do të bëhemi pjesë e komunitetit botëror në trajtimin e këtyre fushave.
Gjatë këtyre takimeve ne kemi lobuar për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe fuqizimin e marrëdhënieve me këto shtete, gjithmonë duke pas parasysh edhe nevojën që ne të kemi marrëdhënie ekonomike me të gjitha vendet, të tërheqim investime të huaja, dhe që perspektiva e Kosovës të jetë perspektivë e përbashkët në regjion edhe në Evropë, dhe perspektivë botërore.
Ministrat kanë pasur takime të veçanta në fushat e tyre, edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Integrimeve Evropiane.
Është shfrytëzuar maksimalisht koha, kryesisht në të gjitha këto takime janë biseduar çështje aktuale që kanë të bëjnë me pranimin e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë pranuar, me anëtarësimin tonë në UNESCO, në INTERPOL. Kemi biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit me EUROPOL-in, sepse atje njëherë nuk mund të anëtarësohemi përderisa s’bëhemi anëtar i Bashkimit Evropian, mirëpo modalitetet janë diskutuar dhe mendoj se edhe aty do të arrijmë një bashkëpunim të mirë.
Kemi marrë pjesë po ashtu edhe në disa takime dhe pritje formale dhe joformale të organizuara në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me liderë të ndryshëm dhe përfaqësues të ndryshëm të këtyre vendeve.
Një pjesë të takimeve zyrtare i kemi zhvilluar edhe në Selinë e Kombeve të Bashkuara, ku mund të them se kemi pasur një trajtim shumë të mirë, një trajtim krejtësisht të barabartë me vendet tjera, që ka qenë një risi për trajtimin e Kosovës në Nju Jork dhe në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Unë mendoj se bashkëpunimi ynë me këto vende është tepër i rëndësishëm, përkrahja që kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për ne për proceset që po i kalojmë, por edhe për sfidat të cilat ne i kemi në të ardhmen.
Faleminderit.
