Kryeministri i Republikës së Kosovës. Hashim Thaçi uron qytetarët e Kosovës me rastin Ditës së Paqes, 12 qershorit


Image

Prishtinë, 11 qershor 2013

Në urimin e kryeministrit thuhet:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

12 Qershori, Dita e Paqes, është datë historike e shënimit të kurorëzimit të suksesshëm të luftës çlirimtare dhe në të njejtën kohë shënon hapjen e kapitullit të paqes para 14 vjetësh.

Në këtë ditë të shënuar për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, me pietet dhe krenari të lartë kujtojmë luftën dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të lirisë, heronjve tanë, optimizmin, shpresën dhe rezistencën e gjithë qytetarëve të Kosovës që kontribuan me të gjitha format e qëndresës për Ditën e Paqes, Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe e pastër, që arriti të fitojë mbështetjen gjithëpopullore, si dhe mbështetjen e aleancës veriatlantike të NATO-s.

Sot, me respektin më të lartë institucional dhe qytetar, shprehim mirënjohjen dhe falënderimet më të thella në mënyrë të veçantë për të gjithë luftëtarët dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftuan për çlirimin e Kosovës.

Në Ditën e Paqes Kosova ka hyrë në vitin e gjashtë të Pavarësisë, me institucione demokratike më të konsoliduara, me përkushtimin institucional për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, me vendosmërinë për implementimin e reformave të gjithmbarshme në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, të gjitha këto angazhime në funksion të përmbushjes së plotë të agjendës evropiane të Kosovës.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, institutucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës shprehin falënderimin e thellë për fushatën e bombardimeve të NATO-s, si intervenimin më të suksesshëm ushtarak dhe humanitar në fund të shekullit njëzet.

Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, është duke luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë shënon hapin historik të europianizimit të rajonit. Duke mos harruar asnjëherë të kaluarën, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur për të ndërtuar të ardhmen prosperuese të shtetit të pavarur të Kosovës në kuadër të procesit të integrimeve europiane dhe euroatlantike.

Katërmbëdhjetë vjet nga Dita e Lirisë, Dita e Paqes, Republika e Kosovës është gjithnjë më e sigurt dhe më afër përmbushjes së kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euratlantike, në Bashkimin Evropia, NATO dhe OKB.

Urime Dita e Paqes!

Hashim ThaçiKryeministër i Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors