Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u takua me Zëvendëssekretarin e Shtetit, William Burns


Image

Washington, 11 qershor 2013
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u prit në Departamentin e Shtetit nga Zëvendëssekretari i Shetit, z. William Burns
 
Kryeministri Thaçi fillimisht, në emër të Qeverisës së Republikës së Kosovës  falënderoi zëvendëssekretarin e Shtetit, Burns për ndihmën e vazhdueshme dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ndihmuan dhe përkrahën Kosovën në momentet vendimtare, si në të kaluarën ashtu edhe në konsolidimin e shtetit të ri.
 
Kryeministri Thaçi e njoftoi zëvendëssekretarin e Shtetit Burns për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel, dhe tha se kjo marrëveshje duhet të fillojë të implementohet nga të dyja palët.
 
Në tërë procesin e arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë jo vetëm mbështetës, por e garantues se një marrëveshje e arritur midis dy vendeve me një konflikt të vjetër, do të jetë në dobi të të dyja vendeve, që synojnë, të pavarura integrimin në institucionet euratlantike. Ndihma e SHBA-së gjithmonë ka qenë vendimtare, tha kryeministri Thaçi.
 
Kryeministri Thaçi tha se Kosova është e gatshme për fillimin e implementimit të kësaj Marrëveshjeje, duke bërë edhe ndryshimet legjislative, që do të miratohen në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës është duke dërguar mesazhe te qytetarët e veriut, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës.
 
Në takim kryeministri Thaçi foli edhe për agjendën e Kosovës për njohjet ndërkombëtare, dhe falënderoi administratën e SHBA-ve për kontributin e dhënë në drejtim të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga shumë shtete të botës.
 
Duke folur për perspektiven evropiane të Kosovës, kryeministri Thaçi i tha z. Burns se Kosova të ardhmen e saj në BE nuk e kërkon duke u thirrur në parime morale, por edhe duke i përmbushur kriteret e caktuara. Qytetarët  e Kosovës janë të vetmit në rajon që kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE.

Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të përmbush të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e institucioneve të BE-së dhe NATO-s, duke prodhuar argumente për mbështetje nga administrata e SHBA-ve, tha mes tjerash kryeministri Thaçi.
         
Zëvendëssekretari i Shtetit, Burns, shprehu mirënjohje për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Thaçi për arritjen e Marrëveshje dhe shprehu besimin se do të fillojë implementimi i saj. Zëvendëssekretari Burns siguroi përkrahjen e SHBA-ve për Marrëveshjen e arritur, dhe se në të ardhmen nuk do të mungojë asnjëherë kontributi i SHBA-ve që kjo Marrëveshje të jetësohet.
 
Po ashtu, zëvendëssekretari Burns  theksoi se SHBA-të përkrahin agjendën e integrimeve evropiane për Kosovën si dhe do të kontribuojnë në rritjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
 
Në takim me zëvendësekretarin Burns, ishin të pranishëm ministri Jashtëm i Kosovës, z. Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve evropiane, znj. Vlora Çitaku.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors