Prishtinë, 19 maj 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot vizitoi Kolegjin “AAB”, dega në Ferizaj, ku u prit nga rektori i Kolegjit, Lulzim Tafa, nga stafi i mësimdhënësve dhe studentët e kolegjit.
Në kuadër të mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës për avancimin e arsimit të lartë, ngritjes së cilësisë dhe krijimit të lehtësirave për të gjithë studentët, kryeministri Thaçi para studentëve dhe mësimdhënësve potencoi vendimet që ka marrë Qeveria e Kosovës për krijimin e lehtësirave për të gjitha nivelet e studimeve në të gjitha Universitetet Publike, në Kosovë.
Kryeministri Thaçi shpalosi një pjesë të programit nga Fondi i Punësimit, një fond ky prej 1.5 miliardë euro, dhe i ftoi njëkohësisht studentët që përmes ideve të tyre krijuese të aplikojnë dhe të jenë përfitues.
“Ne kemi arritur që të përmbyllim në mënyrë të suksesshme dy kapitujt e parë dhe shumë të rëndësishëm për vendin tonë, për qytetarët tanë, që të fitojmë lirinë dhe që të ndërtojmë pavarësinë. Kemi hyrë në një fazë të rëndësishme të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë. Tani duhet të vazhdojmë me kapitullin e tretë, që është shumë i rëndësishëm apo betejën e tretë, fuqizimin e zhvillimit ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve” theksoi kryeministri Thaçi para studentëve.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi shprehu bindjen e tij të plotë se edhe këtë betejë do ta fitojmë së bashku dhe shtoi “kemi fituar edhe beteja më të rënda. Tani ne kemi programin, e kemi agjendën, e kemi Misionin e Ri, një mision ky i cili del përtej kornizave partiake, një mision ky që është në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që është në përputhshmëri me orientimet tona euroatlantike, me vlerat tona tradicionale, me vlerat tona civilizuese, e në të njëjtën kohë me vlerat tona shtetformuese” u shpreh kryeministri Thaçi.
“Në kuadër të vendimeve të rëndësishme dhe të mëdha që kemi marrë edhe si Qeveri e Kosovës një nga ato ndërlidhet drejtpërdrejt me edukimin. Në edukimin gjithmonë e kemi vlerësuar si ekonomi si mundësi për të krijuar vende të reja të punës. Për të krijuar këtë mundësi sa më adekuate, së më të lehtë, sa më të përshtatshme për familjet tuaja dhe për ju, ne kemi vendosur për t’i ulur pagesat për semestra për ju studentë të nderuar 50 për qind, për ata që banojnë në konvikte 50 për qind, për ata që ushqehen në mensë 50 për qind”- tha kryeministri Thaçi.
“Unë kam besim se qyteti i Ferizajt është një mundësi e madhe që të jetë përfitues nga Fondi i Punësimit, që këto biznese që i keni qofshin të mëdha të mesme, të vogla apo ju si shpirt i ri ndërmarrës me hap biznese të reja” tha kryeministri Thaçi
