Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot u takua me Zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos
Prishtinë, 23.09.2013
Në kuadër të vizitës në Nju Jork në margjinat e Punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, kryeministri Thaçi sot takoi Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë z. Evangelos Venizelos, në selinë e Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Thaçi në takim ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Z. Enver Hoxhaj.
Në takim, kryeministri Thaçi theksoi se Republika e Kosovës dhe Greqia kanë relacione në fushën e ekonomisë, tregtisë, edukimit dhe shkencës, të cilat relacione duhet të vazhdojnë të fuqizohen. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për hapjen e zyrës ekonomike tregtare ne Athinë, si hap të parë në formalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, gjë e cila do të jetë në dobi të ekonomisë së dy shteteve.
Kryeministri Thaçi gjithashtu ripërsëriti kërkesën per formalizimin e pranimit të pasaportave të Kosovës si nevojë e domosdoshme për lëvizje të lirë dhe se ky akt do të ishte ne dobi te mirëbesimit reciprok.
Zëvendëskryeministri Venizelos, theksoi se Greqia e përkrah agjendën e integrimeve Evropiane për gjithë rajonin, e gjithashtu edhe të Kosovës.
