Prishtinë, 1 tetor 2013
Në vazhdim, po e prezantojmë të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi, mbajtur në manifestimin tradicional “Dita e Patates”
I nderuari kryetar i komunës, Bajram Mulaku,
E nderuara zëvendëskryeministre Kusari-Lila,
I nderuari ministër Stavileci,
Deputetë të nderuar, Izmaku dhe Kajtazi,
Përfaqësues të dy odave ekonomike,
I nderuar ambasador Republikës i Shqipërisë z. Islam Lauka,
I nderuari z.Kosumi,
Të nderuar ju përfaqësues të biznesit të komunës së Vushtrrisë dhe të gjithë Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të USAID-it,
Të nderuar të gjithë ju të pranishëm,
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes në këtë ditë të rëndësishme për komunën e Vushtrrinë, për gjithë Kosovën dhe për të gjithë fermerët e Kosovës “Ditën e Patates”.
Ekonomia jonë është në fazën e zhvillimit dhe përkundër sfidave, sektori i bujqësisë mbetet si njëri prej sektorëve më të rëndësishëm i ekonomisë së vendit tonë. Këtë sektor e konsiderojmë si motor të zhvillimit ekonomik dhe në këtë drejtim, rol thelbësor janë duke luajtur edhe agrobizneset vendore anekënd vendit tonë si një ndër më të suksesshmet që është kompania “Pestova”.
Më lejoni që të përgëzoj Bedriun për suksesin e tij të jashtëzakonshëm.
Gjatë viteve të fundit është punuar shumë në sektorin e bujqësisë dhe janë krijuar procese të punës dhe skema të përkrahjes së nevojshme për zhvillim më efikas dhe më të qëndrueshëm.
Prodhimtaria e patates është identitet i komunës së Vushtrrisë dhe për t’ju krijuar mundësi më të mira fermerëve të kësaj ane, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Bujqësisë, ka investuar edhe në tri projekte të ujitjes që arrijnë vlerën prej rreth gjysmë milionë euro, ku si rezultat nën ujitje janë përfshirë edhe 2,450 hektarë tokë bujqësore.
Ndërsa, në kuadër të skemave të përkrahjes së drejtpërdrejtë, deri më tash, grante dhe subvencione kanë përfituar rreth 2300 fermerë të komunës së Vushtrrisë në vlerë prej rreth 1.5 milionë euro.
Nëse i analizojmë këto të dhëna dhe shikojmë në retrospektivë, në vitin e kaluar kemi pasur rritje të numrit të përfituesve në Vushtrri për 21% dhe rritje të përkrahjes financiare për 35%, krahasuar me vitin paraprak.
Ne ju kemi premtuar fermerëve, pos përkrahjes me grante investive dhe subvencione edhe lehtësim të qasjes në kredi bujqësore dhe siç e dini, Ministria e Bujqësisë, USAID-i dhe sektori bankar në Kosovë, kanë nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e programit 10 vjeçar të kredive bujqësore, ku bashkë me USAID-in kemi siguruar mbi 20 milionë euro kredi bujqësore dhe tashmë kanë filluar të ulen edhe normat e interesit.
Të nderuar të pranishëm,
Gjithashtu, kemi premtuar heqjen e TVSH-së për prodhimtarinë primare dhe tani ka filluar të aplikohet edhe taksa e sheshtë në bujqësi, e cila ndihmon drejtpërdrejtë zhvillimin e sektorit.
Për më tepër, tani është duke u finalizuar edhe ndërtimi i tri qendrave të mëdha për ruajtjen, ftohjen, klasifikimin dhe ambalazhimin e produkteve bujqësore, të cilat do të ndikojnë pastaj edhe në rritjen e qëndrueshmërisë dhe në zgjatjen e jetës së produkteve tona vendore.
Para se të vija këtu u interesova edhe për projektin për sigurimin e kulturave bujqësore, sepse i kam dëgjuar në vazhdimësi kërkesat e juaja.
Ministri Stavileci, është duke u punuar edhe në këtë projekt dhe së shpejti do të bëhet edhe sigurimi i kulturave strategjike bujqësore, ku pjesë e tyre do të jetë edhe patatja, që të mos jeni të rrezikuar si deri më tash nga fatkeqësitë natyrore.
Të gjitha këto masa që janë implementuar dhe ato në të cilat jemi duke punuar, ndikojnë fuqishëm edhe tek ju si prodhues dhe përpunues të patates.
Megjithatë, neve së bashku na mbetet edhe shumë punë për të bërë në të ardhmen, për të rritur prodhimin dhe për të ngritur cilësinë. Por, patjetër që duhet potencuar edhe faktin, se prodhimtaria bujqësore nuk mund të rritet vetëm duke investuar, por edhe duke e konsumuar atë. Pra, rol kyç në krijimin e mundësive të reja zhvillimore kanë edhe konsumatorët, të cilët duke konsumuar produkte vendore arrijnë të jenë kontribuues aktiv në proceset zhvillimore të ekonomisë së vendit tonë.
Për fund, dua t’ju them se të gjithë ne, duke filluar nga fermerët, institucionet qendrore dhe lokale, agrobizneset, agjencitë dhe grupet e ndryshme të interesit, duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit dhe vetëdijesimit për t’i përshpejtuar këto procese, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë deri tek një zhvillim i qëndrueshëm bujqësor, agroindustrial dhe ekonomik.
Ju përgëzoj të gjithëve për punën e bërë dhe rendimentet e arritura.
Ju falënderoj i nderuari i kryetar i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë, që keni pasur me të gjithë fermerët e Vushtrrisë dhe Kosovës, ju falënderoj z.Kosumi, gjithashtu ju falënderoj të gjithë juve fermerë të nderuar dhe ju siguroj se do të vazhdoni ta keni mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Urime “Dita e Patates”!
