Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar


Image


Image


Image

Prishtinë, 16 tetor 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Me këtë rast, z. Zhbogar edhe në mënyrë zyrtare i dorëzoi kryeministrit Thaçi Raportin e Progresit për Kosovën.

Kryeministri Thaçi falënderoi Komisionin Evropian, për punën që po bënë në mbështetje të institucioneve dhe shoqërisë kosovare, dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me përmbushjen e obligimeve për rrugën e integrimeve evropiane.

Raporti i Progresit është pozitiv dhe real, që vlerëson raportet e Kosovës me shtetet fqinje, si një e arritur për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi – theksoi kryeministri Thaçi gjatë pranimit të Raportit të Progresit.

Kryeministri Thaçi, theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë fuqishëm me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë në implementimin e të gjitha prioriteteve tona të përbashkëta, për zbatimin në jetë të të gjitha kritereve demokratike, qoftë reformat në drejtësi, në ekonomi, dhe në politikë.

Ne do t’i marrim të gjitha këto rekomandime me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore dhe institucionale, sepse kjo është një etapë e re për Kosovën. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara maksimalisht për të punuar në përmbushjen e këtyre kritereve  dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen – u shpreh kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar, falënderoi kryeministrin Thaçi për përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës, për punën e bërë në realizimin e obligimeve dhe të sfidave që dalin nga Raporti i Progresit, dhe theksoi nevojën e thellimin e angazhimeve të institucioneve të Kosovës për përshpejtimin e proceseve, që të hapet perspektiva evropiane për Kosovën.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors