Prishtinë, 26 korrik 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkevicius, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon dhe për marrëdhëniet bilaterale në mes dy vendeve tona.
Kryeministri Thaçi e njoftoi ministrin e Jashtëm të Lituanisë, për të arriturat e shtetit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me theks të veçantë për marrëveshjen e 19 prillit, për procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, dhe për rëndësinë që ka kjo marrëveshje në rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës.
Republika e Kosovës ka shënuar progres të theksuar në shumë fusha, në rrugën e integrimeve evropiane duke marrë datën për fillimin negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe për këtë institucionet e Kosovës, janë duke punuar vazhdimisht që në një afat rekord të plotësohen të gjitha obligimet që dalin nga Komisioni Evropian, – theksoi kryeministri Thaçi na takim.
Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë kontributin e shtetit të Lituanisë në mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Republikës së Kosovës. Lituania është ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën dhe për këtë Qeveria dhe populli i Kosovës janë falënderues – tha Kryeministri Thaçi gjatë takimit dhe ka shprehur bindjen që Lituania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e integrimit evropian, posaçërisht tani kur kryeson presidencën e BE-së.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, vlerësoi të arriturat e Republikës së Kosovës, në të gjitha sferat dhe theksoi se bashkëpunimi në mes Lituanisë dhe Kosovës do të thellohet edhe më tutje në të gjitha fushat me interes të përbashkët, për të dy vendet tona.
