Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle


Image


Image


Image


Image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle.

Pas takimit, Kryeministri Thaçi dhe z.Westerwelle janë deklaruar për media.

Deklarata e Kryeministrit Thaçi:

I nderuar ministër Westerwelle,

Mirë se keni ardhur në Kosovë.

Ju falënderoj shumë për vizitën tuaj në Kosovë dhe në rajon, në Serbi. Ju falënderojmë dhe çmojmë lartë angazhimin tuaj personal në gjithë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të kancelares Merkel, gjithashtu edhe të shtetit gjerman dhe gjithë Bashkimit Evropian, në mbështetje të përpjekjeve të baroneshës Ashton, që të arrihet marrëveshja historike mes dy vendeve tona, Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill.

I nderuari ministër,

Marrëveshja ka një rëndësi të veçantë për vendet tona, për Kosovën, Serbinë, popujt tanë, për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe për perspektivën euroatlantike edhe të Kosovës edhe të Serbisë.

Për këtë marrëveshje të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, ka fituar edhe Kosova, edhe Serbia dhe rajoni, si dhe Bashkimi Evropian, pra, të gjithë janë fitues, por para së gjithash fituesit më të mëdhenj janë qytetarët në veri që do t’i bashkëngjiten përkushtimeve tona të përbashkëta për një jetë të re në Kosovën e re, në Kosovën evropiane, në Kosovën dhe rajonin euroatlantik.

Ne kemi arritur marrëveshjen pas një procesi të gjatë, jo të lehtë, por me besimin dhe mbështetjen  tuaj të vazhdueshme.

Si kryeministër i vendit, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju jemi shumë mirënjohës për kontributin tuaj edhe në kuadër të KFOR-it, të EULEX-it, por edhe në kuptimin e bashkëpunimit të ngushtë bilateral.

Kosova si një vend evropian do të ndërtojë raporte specifike me Gjermaninë, si një partner i sigurt, natyrisht në kuadër të përkushtimeve që kemi aktualisht.

Të nderuar të pranishëm,

Unë informova ministrin Westerwelle për hapat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës, institucionet e saj edhe për procesin e implementimit të marrëveshjes së arritur në prill në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo që është shumë me rëndësi për Kosovën, është që skena politike kosovare ka ndërtuar një konsensus të gjerë të aprovimit te kësaj marrëveshje, që është një mbështetje dhe vullnet edhe i qytetarëve të vendit.

Prandaj, unë sot pas takimit me ministrin Westerwelle, do të udhëtoj për Bruksel, ku do të takohem nesër me kryeministrin e Serbisë, për të diskutuar për periudhat kohore të implementimit të marrëveshjes, akterët implementues, që do të jenë institucionet e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i dhe natyrisht në rolin lehtësues edhe të Serbisë, në bazë të përgjegjësive që dalin nga marrëveshja.

Jam optimist dhe me shpresë se nesër do të arrihet edhe marrëveshja për implementim dhe do të shohim hapat konkret të ndryshimit të gjendjes edhe në terren, natyrisht hap pas hapi, në mënyrë graduale, me vullnetin e institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve në veri, në mënyrë që të jetojmë një jetë të re, të përbashkët.

Natyrisht se do të kemi sfida dhe vështirësi, por këto sfida dhe vështirësi nuk janë vetëm të veriut, por janë sfida të gjithë Kosovës, por unë jam optimist se gjërat do t’i tejkalojmë bashkërisht. Dhe, siç e kemi pasur mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, mbështetjen unike edhe të pesë vendeve, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do ta kemi këtë mbështetje unike të BE-së edhe në procesin e implementimit të marrëveshjes.

E di që nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të mund të arrihet shumë shpejt, por implementimi do të ndodhë në mënyrë graduale, në mënyrë paqësore dhe të vullnetshme.

Gjithashtu, me ministrin Westerwelle diskutuam edhe për mundësitë e reja, që ka ofruar Kosova për investitorët gjermanë dhe uroj që edhe në të ardhmen të vazhdohet me investime gjermane në Kosovë.

Kosova është shtet i ri, është shtet i mundësive të mëdha.

Deklarata e Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Ju falënderoj përzemërsisht z.Kryeministër.

Më kujtohet kur për herë të parë isha këtu para tre viteve dhe duke shikuar pas, mund të them se këto nuk kanë qenë vite të lehta, por kemi përpara vendime vërtetë të rëndësishme dhe me rezultate konkrete.

Ju përgëzoj për largpamësinë tuaj, për angazhimin tuaj, dhe dëshiroj t’ju falënderoj, pasi që ne jemi të bindur se një zhvillim paqësor i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë,  nuk është vetëm në interes të qytetarëve të dy vendeve tuaja, por edhe gjithë hapësirës evropiane.

Që nga momenti i pavarësisë së Kosovës, ne gjithmonë kemi qëndruar pas jush dhe jemi të bindur se i gjithë ky proces do të arrijë rezultate konkrete paqësore.

Marrëveshja e datës 19 prill, është një marrëveshje më rëndësi të veçantë, dhe ndoshta një ditë do të quhet marrëveshje me rëndësi historike dhe do të qëndrojë si e tillë.

Kjo është një marrëveshje që ka gëzuar një mbështetje mjaft të gjerë jo vetëm në Parlamentin e Kosovës, por edhe në opinionin publik, ndaj mua më duket një sinjal mjaft i rëndësishëm, është një pikë kthese e gjithë historisë së rajonit, gjithë historisë së Evropës Juglindore.

Ju përgëzoj dhe gjithashtu përgëzoj të gjitha palët për qetësinë dhe kurajën e tyre, dhe dëshiroj që nga të gjitha palët të tregohet tanimë një shkallë e mjaftueshme fleksibiliteti, durimi dhe mençurie.

Bisedat e ditës së nesërme shpresoj të zhvillohen në këtë frymë.

Pas marrëveshjes së arritur tani kalohet në hapat e zbatimit të saj, në mënyrë që të tregohet pikërisht para mbledhjeve të rëndësishme të BE-së, se si është zbatuar marrëveshja në hapa konkret. Kjo zbatueshmëri duhet të jetë e dukshme për të gjithë pjesëmarrësit

Do të jetë një detyrë e vështirë. Kjo do të thotë se strukturat paralele në veri të Kosovës duhet të largohen, që padyshim është një kriter kyç i marrëveshjes së datës 19 prill. Por, nga ana tjetër kjo do të thotë gjithashtu që Kosova do të duhet të ofrojë lehtësira për qytetarët në veri të Kosovës, në mënyrë që të lehtësojë integrimin e tyre.

Ne si Republikë Federale e Gjermanisë do të angazhohemi në nivel ndërkombëtar për njohjen e Kosovës. Ne e mbështesim Kosovën në objektivat e saj për konkurruar në forumet ndërkombëtare.

Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Kosovës në Bashkimin Evropian për sa i përket tregtisë dhe ekonomisë dhe sigurisht se ne e lidhim këtë me një mbështetje financiare.

Bisedat i shërbejnë një objektivi të vetëm, pikërisht përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Kosovës dhe të të gjithë rajonit, në mënyrë që të mund t’ju ofrohen atyre shanse më të mira për të ardhmen. Pra, ky është thelbi i angazhimit tonë.

Ju uroj për bisedat e mëtejme!
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors