Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë në takimin e dytë të ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit


Image


Image


Image

Prishtinë, 17 shtator 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në takimin e dytë të ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në takimin e sotëm kryeministri kërkoi nga resorët përkatës qeveritarë që të angazhohen maksimalisht në përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i negocimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Thaçi në fjalën e tij theksoi se i tërë procesi është i bazuar në tri shtylla, për të cilat theksoi se duhet të kenë vëmendjen gjatë gjithë procesit: e para: efiçienca kohore; e dyta: negociatat duhet të bazohen në fakte dhe në statistika; dhe e treta: llogaridhënia.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në takimin e dytë të ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit:

Faleminderit e nderuara ministre,
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra, guvernatorë,
Zonja dhe zotërinj,
Të gjithë ju të pranishëm

Më lejoni që fillimisht t’ju dëshiroj të gjithëve, mirëseardhje të takimin e dytë të procesit të negocimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Tanimë kemi folur për rëndësinë e kësaj marrëveshje për shtetin tonë. Jam i sigurt që është për të gjithë individët dhe institucionet e përfshira në këtë proces, rëndësia e madhe e kësaj marrëveshje për çka edhe jemi duke punuar maksimalisht.

Marrëveshja ka implikime praktike e konkrete në përmbushjen e qëllimeve tona në procesin e integrimeve evropiane. Na ka mbetur edhe pak kohë, deri në hapjen e negociatave dhe duhet të sigurohemi që të ndërmarrim me kohë hapat e nevojshëm për të siguruar një proces të shpejtë dhe kualitativ të negociatave me Bashkimin Evropian.

Duhet mos harruar që gjatë procesit negociator do të diskutohen interesat e drejtpërdrejta të shtetit tonë, të biznesit vendor, industrisë, sektorit të bujqësisë, të prodhueseve dhe përfundimisht të gjithë qytetarëve të cilët do të përfaqësohen.

Andaj është me rëndësi që të kemi një qasje të bazuar në studime të mirëfillta të mundësive dhe potencialit tonë dhe të jemi të fokusuar në gjetjen e një formule në mënyrë që më efektshëm t’i  mundësojmë shtetit tonë të përmbush të gjitha kushtet e marrëveshjes.

S’do mend që do të mbështetemi në përvojën e fundit në negocimin e marrëveshjes tregtare me Turqinë. Por,  të mos harrojmë se dimensioni i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si në aspektin tregtar, por edhe në aspektet tjera politike dhe përafrimit të legjislacionit është më i madh.

Nga diskutimet e shumta që kemi pasur deri më tani, për mua është e qartë se ky proces duhet të jetë i bazuar në tri shtylla, të cilat duhet t’i kemi ndërmend përgjatë këtij procesi.

E para: Efiçienca kohore.
Kjo marrëveshje duhet të negociohet, dhe gjithë procesi duhet të përfundohet, në një afat kohor sa më të shkurtër. Tani, ne në bashkëpunim me Komisionin Evropian jemi dakorduar që i gjithë procesi duhet të përmbyllet deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Është e vërtetë që viteve të fundit kemi pasur një dinamikë të madhe progresive në kuadër të agjendës evropiane, por nuk kemi kohë për vetëkënaqësi, por punën duhet të vazhdojnë me intensitet të vazhdueshëm.

E dyta: Negociatat duhet të bazohen në fakte dhe në statistika.

Duhet të kemi qasje të bazuar në studime empirike të mirëfillta. E kemi përmbushur një parakusht, kur e kemi nxjerr dokumentin e quajtur “Vlerësim i ndikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”. Tani është me rëndësi që vlerësimi të përditësohet sipas nevojës për t’u siguruar që si përfundim do të kemi një marrëveshje që do t’i qëndrojë kohës dhe do të reflektojë nevojat e industrisë dhe të sektorit të bujqësisë.

Dhe e treta: Llogaridhënia.

Për shkak të rëndësisë të madhe që kjo marrëveshje ka dhe faktit që ka ndikim afatgjatë në vendin tonë, duhet të sigurohemi që të gjitha institucionet e përfshira të jenë të përgjegjshme për pjesën e punës së tyre dhe të gatshëm  në çdo moment të japin llogari.

Andaj dëshiroj t’iu uroj suksese në këtë takim, dhe të jetë takim i frytshëm.

Dëshiroj që të përmbyll fjalën duke kërkuar prej juve angazhime të vazhdueshme dhe të rritura.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors