Prishtinë, 08 qershor 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga bashkëshortja, Lumnije Thaçi, ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë. Pas kryerjes së obligimit qytetar, kryeministri Thaçi uroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe i ftoj për pjesëmarrje në zgjedhje.
Më poshtë po e japim të plotë deklaratën e kryeministrit Thaçi:
“Sot është një ditë e veçantë për shtetin tonë, për Kosovën, në historinë e re të vendit tonë. Në këtë proces shumë të rëndësishëm të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë. Shteti ynë është një shtet i ri evropian, i mundësive të mëdha zhvillimore, këto mundësi jemi zotuar që t’i shfrytëzojmë për të mirën e qytetarëve.
Sot është një ditë e veçantë për shtetin tonë, për qytetarët e Kosovës. Uroj të gjithë qytetarët e vendit dhe ftoj për pjesëmarrje në zgjedhje, që ky proces të jetë fer, i lirë, demokratik, për çka kam besim të plotë.
Kam besim të plotë se sot Kosova, qytetarët e saj, spektri politik, do të dërgoj mesazhin më të mirë për botën se në Kosovë demokracia është në veprim, demokracia po zhvillohet, jeta plurale po ngadhënjen. Është një betejë e konkurrencës, në të njëjtën kohë sot është ditë e veçantë, ditë historike, dita e Misionit të Ri. Faleminderit!”, deklaroi kryeministri Thaçi pas votimit.
