Prishtinë, 24 tetor 2011
Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Austrisë, thellimin e këtyre marrëdhënieve, për investimet austriake në Kosovë dhe për perspektivën europiane të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës i shprehu kancelarit austriak, Faymann, mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Qeveria e Austrisë i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga periudha e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës dhe tani në periudhën e integrimit dhe zhvillimit.
Në takim, kryeministri Thaçi prezantoi të arriturat e institucioneve të Kosovës, përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë dhe angazhimet institucionale për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.
Kryeministri Thaçi në takim ritheksoi ftesën për investitorët austriakë për të ardhur për të investuar në Republikën e Kosovës.
Në takimin e sotëm, Kryeministri Thaçi theksoi se dialogu teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për institucionet e Kosovës është vlerë europiane, që do të ndikojë substancialisht në integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, kancelari i Austrisë, Werner Faymann shprehu konsideratat më të larta të tij dhe të Qeverisë së Austrisë për përkushtimet e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të integrimit europian, dhe vlerësoi se qasja pozitive dhe konstruktive e Republikës së Kosovës sa i përket dialogut teknik me Serbinë tregon pjekurinë e lartë të institucioneve të Kosovës në raport me përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit.
