Prishtinë, 6 korrik 2009
Në takimin e përzemër të kryeministrit Thaçi me kryeparlamentarin e Turqisë, Toptan është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë për raportet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ritheksuar mirënjohjen dhe falëmnderimin për Republikën e Turqisë për njohjen e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, duke shprehur vlerësimet më të larta për angazhimet e shtetit turk në rritjen e numrit të vendeve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Thaçi siguroi kryeparlamentarin Toptan se marrëdhëniet me Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë do të thellohen edhe më tej, posaçërisht në funksion të zhvillimit ekonomik të shtetit të ri të Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ripërsëriti ftesën e institucioneve të Republikës së Kosovës për komunitetin turk të biznesit që të rrisë investimet e veta në vendin tonë, duke theksuar se tanimë me krijimin e kushtet e duhura dhe miratimin të bazës ligjore, Republika e Kosovës është shndërruar në një vend atraktiv për investime.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Turqisë, Köksal Toptan falënderoi kryeministrin Thaçi për mikëpritjen dhe e përgëzoi për arritjet e Kosovës, duke potencuar sukseset e fundit me pranimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
Kryeparlamentari i Republikës së Turqisë e siguroi kryeministrin Thaçi se do të rrisë angazhimet e tij në funksion të inkurajimit të biznesit turk për të investuar në Republikën e Kosovës.
