Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Zëvendës-Ndihmësin Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 5 korrik 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim Zëvendës-Ndihmësin Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker. Pas takimit, kryeministri Thaçi dhe z.Reeker janë deklaruar para gazetarëve në një konferencë për media në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës

Në vazhdim po e japim të plotë, deklaratën e Kryeministrit Thaçi në konferencën e përbashkët për media me Zëvendës-Ndihmësin Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker

Ishte një kënaqësi jashtëzakonisht e madhe që sot e takova z. Reeker përsëri, ne jemi takuar edhe dje, duke e falënderuar për vizitën në Republikën e Kosovës, për mbështetjen e tij edhe personale dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjithë progres që po arrin Kosova por edhe rajoni.

Kjo vizitë e z. Reeker  në Kosovë por edhe në rajon, ndërlidhet me shumë lajme të mira për Kosovën dhe rajonin; për Kosovën hapjen e procesit të Stabilizim-Asociimit, që është një e arritur jashtëzakonisht e madhe, që definitivisht Kosovën e ka vënë në vijë të sigurt drejt perspektivës euro-atlantike.

Në të njëjtën kohë, z. Reeker sot e informova edhe për hapat e mëtutjeshëm që po i bënë Republika e Kosovës, institucionet e saj, qytetarët e vendit, për vazhdimin e implementimit të Marrëveshjes së arritur më 19 prill në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, do të vazhdojnë të punojnë këmbëngulësisht duke respektuar në plotëni agjendën por edhe periudhat kohore të implementimit.

Ne sapo kemi ratifikuar Marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë në Parlamentin e Kosovës. në të njëjtën kohë, dje kemi zhvilluar një debat interesant sa i përket Ligjit të Amnistisë.

Pas sqarimeve që kanë ndodhur edhe sot në mes të spektrit politik, kemi vendosur si Qeveri e Republikës së Kosovës që ta riprocedojmë këtë projektligj, dhe do të lëvizim si skenë politikë bashkërisht në mënyrë që të tejkalojmë edhe këtë çështje të ndjeshme që lidhet drejtpërdrejt me implementimin e Marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Andaj, kam besim të plotë se ne do të lëvizim sigurt, do të lëvizim bashkërisht drejt implementimit të agjendës sonë të përbashkët.

Edhe njëherë, i nderuari z. Rekeer, dëshiroj t’iu falënderoj juve, gjithë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i keni dhënë mbështetje të fuqishme dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, për fqinjësi të mirë. Kjo marrëveshje është mirëpritur prej shumicës së partive politike në Kosovë, qytetarëve të Kosovës, dhe po ka efektet e veta në implementim edhe në veri, por mund të them reflektime në perspektivën evropiane edhe për krejt rajonin.

Në të njëjtën kohë, unë dëshiroj të theksoj, se tani ka filluar implementimi në shumë segmente edhe në veri. Mbetet edhe shumë për t’u bërë. Por jam optimist se gjërat do të lëvizin në përputhshmëri me agjendë, dhe gradualisht do të krijohen edhe kushtet dhe rrethanat që të kemi një komunikim edhe më të afërt, më normalë dhe më të pranueshëm edhe me serbët në veri, në mënyrë që më tre nëntor edhe atje të organizohen zgjedhjet lokale, me pjesëmarrjen e qytetarëve serb dhe të tjerëve në atë pjesë. Dhe Kosova definitivisht, pas 14 viteve, do të organizojë zgjedhjet në gjithë territorin e vet, dhe do të marrin pjesë të gjitha komunitetet.

Ky është një sukses i përbashkët, dhe jam shumë mirënjohës për angazhimin dhe mbështetjen e fuqishme të juve personale dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Zëvendës-Ndihmësi Sekretarit Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker në konferencën për media me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Faleminderit shumë Kryeministër Thaçi,

Faleminderit zonja dhe zotërinj që keni ardhur sot këtu.

I kam thënë edhe kryeministrit gjatë takimit tonë pak më herët dhe gjatë takimit me presidenten Jahjaga, është kënaqësi që jam kthyer sërish në Prishtinë.

Herën e fundit kam qenë për të kremtuar përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, kurse pastaj patëm sekretaren e shtetit  zonjën Clinton këtu, së bashku më zonjën Ashton, duke ju nxitur që të angazhoheni nëpër këtë proces, që ka qenë shumë i suksesshëm.

Përgëzoj zotin kryeministër dhe tërë popullin e Kosovës për përparimin e arritur në marrëveshjen për Stabilizim -Asociim me BE-në. Ky është një hap i jashtëzakonshëm dhe SHBA-të janë krenare për përparimin e arritur dhe për mbështetjen që ju kemi dhënë lehtësuesve të dialogut nga BE-ja.

Mendoj që është shumë e përshtatshme që pas përmbylljes së mbikëqyrjes së  pavarësisë,  të kthehem këtu dhe të festojmë 237 vjetorin  e pavarësisë së SHBA-ve dhe më vjen shumë mirë që kam rastin t’i bashkohem ambasadores Jacobson dhe një ekipi fantastik të diplomatëve amerikan që kanë punuar pa përtesë për ta ndihmuar Kosovën në shumë fusha .

Përparimi që kemi pasur mes dialogut dhe marrëveshja e 19 prillit, që është një hap i madh për Kosovën,  për rajonin dhe për tërë Evropën, dhe është i rëndësishëm edhe për SHBA-në.

Kemi parë përparim të madh gjatë muajve të fundit në këtë rajon.

Presidenti Obama të dielën e kaluar më ka dërguar në Zagreb për ta përfaqësuar atë në kremten e hyrjes së Kroacisë në BE, dhe sekretari i shtetit, Kerry më ka kërkuar që të udhëtoja në Beograd dhe në Prishtinë për të theksuar përkrahjen tonë për hapat dhe përparimin e arritur.

Kemi parë zgjedhje pozitive në Shqipëri dhe të gjitha këto hapa janë pozitiv me të cilët rajoni po ec përpara.

Më duhet ta them që e kam thënë edhe më herët, më shumë Evropë nuk do të thotë më pak Shtete të Bashkuara, dhe na vjen shumë mirë që jam këtu për të shprehur lavdërimin tonë për kryeministrin Thaçi për lidershipin e tij dhe për arritjen e marrëveshjes dhe për përkushtimin dhe kurajon e tij dhe ekipit të tij për të marrë pjesë dhe për të demonstruar se negociatat e drejtpërdrejta me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, mund të arrihen zgjidhje për këtë rajon, dhe këtë e kemi parë me Serbinë dhe Kosovën.

Dua të falënderoj edhe Kuvendin e që përfaqëson popullin, qytetarët e Kosovës, mbi ratifikimin e marrëveshjes javën e kaluar, si pjesë e rëndësishme në zbatimin e marrëveshjes. Sepse fundja zbatimi është çelësi kryesor dhe për këtë shpresoj që kryeministri dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të punojnë. Për këtë po punojnë ekipet çdo ditë në Bruksel dhe për ta mbështetur këtë ,dhe SHBA-të do të vazhdojnë  ta mbështesim këtë proces sepse sekretari Kerry e ka thënë se ne do të vazhdojmë ta mbështesim procesin e lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu dëshiroj të përgëzoj edhe kurajën e deputetëve të Kosovës për ratifikimin, që vunë përpara interesat e qytetarëve të Kosovës ,sepse ratifikimi i kësaj marrëveshje forcon sovranitetin e Kosovës,  do t’i sjell stabilitet rajonit, dhe siç e kemi parë do ta dërgoj edhe Kosovën në Evropë të lirë dhe paqësore.

Kryeministri  e përmendi Ligjin për amnisti që është pjesë kritike dhe shumë e rëndësishme e marrëveshjes së 19 prillit, dhe më vjen mirë që po e shoh që Kuvendi dhe Qeveria do të vazhdojnë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre ,sepse ky  do të jetë një hap thelbësor në zbatimin e marrëveshjes .

Mendoj se debati i djeshëm ka treguar se ka disa njerëz që janë të keq informuar, sepse disa media e kanë shtrembëruar se çka do të thotë ky ligj.

I nxis të gjithë qytetarët që ta lexojnë dhe ta kuptojnë se ky ligj ka dal përmes dialogut, dhe është arritur pajtimi për të në Bruksel, ka qenë i mbështetur edhe nga ekspertiza e SHBA-ve dhe BE-së. Edhe vetë këshilltarët tanë ligjorë kanë ndihmuar në këtë proces, dhe ju nxis që të tregoni seriozitetin që Kosova e ka treguar gjatë kohës së kaluar.

Dua të them poashtu se SHBA-ja dënon veprat e dhunshme që kemi parë, vepra shumë fatkeqe nga ato parti që thjesht duan ta shtrembërojnë procesin, që nuk kanë ide të vërteta të tyre, dhe dëshirojnë të tregojnë vetëm mungesë të plotë respekti për institucionet, përfshirë edhe Kuvendin dhe poashtu edhe për diplomatët dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Ne vazhdojmë që t’i nxisim të gjithë faktorët legjitim dhe relevant që të përmbahen nga zgjidhja jo demokratike dhe e papranueshme,  dhe që të punojmë në mënyrë konstruktive me institucionet tuaja dhe demokracinë tuaj të re.  

Prandaj, dëshiroj t’iu falënderoj edhe njëherë. I nderuari kryeministër, faleminderit shumë për mikpritjen tuaj të ngrohtë. Në emër të sekretarit Kerry dhe presidentit Obama, urime edhe njëherë juve dhe popullit të Kosovës për përparimin e jashtëzakonshëm që është arritur, sepse ky është një hap shumë i madh përpara, dhe duhet të vazhdoni punën tuaj përpara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu qëndrojnë përkrah në të gjitha këto përpjekje.

Ju faleminderit shumë. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors