Prishtinë, 2 nëntor 2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer.
Në takimin e parë njoftues me ambasadorin e ri gjerman në Kosovë, pasi i uroi për detyrën e re, Kryeministri Thaçi u shpreh me vlerësimet më të larta për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe për rolin mbështetës të Gjermanisë për forcimin dhe konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës.
Kryeministri Thaçi e informoi ambasadorin gjerman në Kosovë për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e plotë të agjendës evropiane të integrimit, duke potencuar se kjo është agjenda kryesore e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në këtë kuadër të këtij procesi, kryeministri Thaçi ka theksuar disa nga prioritetet kryesore të Qeverisë, që janë fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, implementimi i vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve dhe shtyerja përpara e reformave të gjithmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer pasi falënderoi Kryeministrin Thaçi për pritjen theksoi vazhdimin e mëtejmë të mbështetjes së Qeverisë së Gjermanisë për proceset zhvillimore në Kosovë.
