Në takimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me ish-zëvendës kryenegociatorin për statusin e Kosovës, Ambasadorin Albert Rohan u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe për çështje tjera me interes.
Pasi e ka falënderuar z. Rohan për kontributin e tij të çmueshëm në procesin negociator për statusin politik të Kosovë, Kryeministri Thaçi e njoftoi atë lidhur me punën që po e bën Qeveria e Republikës së Kosovës në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit.
Republika e Kosovës ka të ardhme të sigurtë evropiane dhe në këtë kuadër shteti i Kosovës është unik në rrafshin politik dhe gjithëetnik në vizionin integrues euro-atlantik – ritheksoi qëndrimin e tij Kryeministri Thaçi.
Ish-zëvendës kryenegociatori për statusin e Kosovës, Ambasadori Albert Rohan u shpreh i kënaqur me punën që është bërë në Kosovë, dhe shprehu bindjen e tij që fundi i këtij viti do të gjejë Kosovën me një proces të përmbylljes së suksesshme të mbikqyrjes së pavarësisë.
Ambasadori Rohan edhe njëherë shprehu bindjen e tij që shteti i Kosovës është një storie suksesi dhe e ardhmja e Kosovës pas asnjë dyshim do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.