Kryeministri Hashim Thaçi: Viti 2012 – vit i procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën


Image


Image

Prishtinë, 25 nëntor 2011
 
Në vazhdim po e prezantojmë të plotë fjalimin e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Takimin e Nëntë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian
 
Të nderuar Zëvendëskryeministra
Të nderuar ministra

 
Pas publikimit të Raportit të Progresit për vitin 2011, Qeveria menjëherë ka iniciuar procese të rëndësishme me qëllim të adresimit të sfidave të Raportit të Progresit.
 
Dy ditë pas publikimit të Raportit të Progresit, unë u kam komunikuar gjithë ministrave objektivat kyçe në kuadër të adresimit të sfidave të dala nga ky Raport.
 
Sot takohemi me qëllim të diskutimit të progresit të arritur në adresimin e disa nga objektivat më prioritare.
 
Dëshiroj të nënvizoj se diskutimi mbi të gjeturat e Raportit të Progresit nuk është diskutim vetëm sezonal, por është përcaktim i fuqishëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve tjera kosovare.
 
Siç edhe e kam theksuar,  Qeveria e konsideron Raportin e Progresit si mjet kyç në ndërmarrjen e reformave të nevojshme në të gjitha fushat e qeverisjes.
 
Kjo do të jetë agjenda e Qeverisë gjatë tërë vitit 2012, por edhe viteve në vijim.
 
Pra, të gjitha punët në Qeveri, do t’i subkoordinohen Agjendës Evropiane dhe asaj zhvillimore.

Pas publikimi të Raportit të Progresit, Qeveria ka filluar procesin e rishikimit të Planit të Veprimit të Partneritetit Evropian për vitin 2012.
 
Ne synojmë që plani i Veprimit të Partneritetit Evropian të miratohet në Qeveri deri në fund të vitit 2011.
 
Deri më tani të gjitha procedurat e përgatitjes janë duke shikuar sipas afateve të parapara kohore dhe vlerësohet lartë kontributi i ministrave të linjës përkatëse.
 
Pas finalizimit të Planit të Veprimit të Partneritetit Evropian, dhe duke pas parasysh intensifikimin e punës së strukturave ndërqeveritare për integrim evropian, theksi do të kalon në monitorimin e zbatimit të objektivave që kemi sot para vetes.
 
Ministria e Integrimit Evropian, duke filluar nga muaji janar 2012, do të ofroj pasqyra tremujore të përmbushjes së objektivave kyçe.
Kjo do të jetë bazë e vlerësimit të punës së secilit ministër, sekretar dhe departament.
 
Të nderuar të pranishëm
 
Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave. Në vitin 2011, institucionet qendrore dhe lokale, kanë shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e riintegrimit të personave të riatdhesuar.
 
Kjo është konfirmuar edhe në Raportin e Progresit 2011 për Kosovën, dhe Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
 
Qeveria konsideron se janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.
 
Njëkohësisht, Qeveria mbetet e përkushtuar për zbatimin efektiv dhe në afat rekord të të gjitha kritereve pas hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave.
 
Në anën tjetër, pres që Bashkimi Evropian ta trajtojë Republikën e Kosovës si partner të barabartë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
 
Ne nuk presim favore apo lehtësime, ne presim qasje dhe trajtim të barabartë, si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u bazuar në kritere strikte dhe fer.
 
Një qasje e njëjtë si me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, do të ishte një shtytje e rëndësishme për gjithë shoqërinë kosovare dhe Qeverinë, për të vazhduar me iniciativat rajonale dhe me zbatimin e reformave të nevojshme.
 
Dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian, i cili në vazhdimësi është duke përkrahur procesin integrues të Republikës së Kosovës.
 
Në këtë drejtim, ftoj Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të tregojnë hapat konkret dhe vendimmarrës në përmbushjen e perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Duke pasur parasysh edhe agjendën e sotme, duke mos dashur që t’iu marrë edhe më shumë kohë, ju ftoj që sipas agjendës, të vazhdojmë me diskutimin e progresit në fushat relevante të institucioneve të Kosovës.
 
Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors