Prishtinë, 3 shtator 2009
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e saj të 80-të, dhe ka aprovuar vendime nga fushë veprimtaria e saj kushtetuese. Në mbledhja janë miratuar rekomandimet e grupit ndërministror për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdarë dhe ka ndarë mjete për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës.
Ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka njohur kabinetin qeveritar me takimin e fundit të Komitetit Ndërministror për Ndërtimin e Autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdarë, në të cilën janë aprovuar rekomandimet për fillimin e ndërtimit të kësaj autostrade. Rekomandimet e këtij komiteti janë përmbledhur në përcaktimin që financimi i ndërtimit të autostradës të bëhet në bazë të partneritetit publiko-privat, ka rekomanduar që shfrytëzimi i autostradës të bëhet me pagesë dhe ka rekomanduar një listë të ngushtë të kompanive të kualifikuara për ndërtimin e kësaj autostrade.
Kryeministri ka vlerësuar lartë punën e komitetit ndërministror dhe përgatitjen e kuadrit ligjorë për implementim të projektit për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdarë. Duke u mbështetur në kapacitetet tona dhe në mbështetje edhe të faktorëve kyç ndërkombëtarë do ta realizojmë këtë projekt që ka qenë ëndërr e brezave të vendit tonë. “Nga sot do të fillojmë të numërojmë ditët për fillimin e punës në autostradë dhe në realizimin e këtij projekti madhor për vendin tonë”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare, në shumën prej 300.000 (treqind mijë) euro, për rindërtimin e shtëpive në Komunën e Mitrovicës. Qeveria e Kosovës ka ritheksuar në këtë rast se do të vazhdojë të mbështes me prioritet qytetarët e vet që do të kthehen ne shtypit dhe pronat e veta, krahas edhe përmirësimit të klimës së sigurisë dhe stabilitetit në të gjitha regjionet e vendit. Qeveria do të angazhohet edhe në krijimin e klimës së sigurt për jetën e të gjithë qytetarëve të vet kudo në Kosovë.
“Ka qenë gjithmonë parim yni që të ofrojmë mbështetje dhe të krijojmë siguri për t’u kthyer në pronat dhe shtëpitë e veta, për të gjithë qytetarët tanë. Është me rëndësi që është duke ndodhur një progres që duhet vlerësuar. Është krijuar një klimë më e mirë e mirëbesimit në mes të njerëzve të të gjitha komuniteteve në atë trevë. Prandaj ne i kemi dhënë përkrahje të plotë, dhe kemi marrë përgjegjësitë e duhura, që procesi i fillimit të rindërtimit dhe kthimit të njerëzve në shtëpitë e pronat e veta të vazhdojë”, ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria ka vendosur që të ndaj mjete financiare për nevoja të trajtimit shëndetësor të kryetarit të Komunës së Istogut, Fadil Ferati.
