Prishtinë, 11 gusht 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përgëzuar z. Recep Tayyip Erdogan, me rastin e zgjedhjes në postin e Kryetarit të Republikës së Turqisë.
Në telegramin e urimit thuhet:
I nderuar Kryetar i zgjedhur,
Ju lutem pranoni urimet e mia të ngrohta për Ju si Kryetar i sapozgjedhur i Republikës së Turqisë dhe urimet e mia më të mira për suksesin Tuaj tani kur po përgatiteni për të marrë përgjegjësitë dhe për t’i dalë ballë sfidave në krye të vendit.
Republika e Kosovës gjithmonë do ta kujtojë dhe çmojë rolin kyç që Ju personalisht, qeveria dhe populli turk keni luajtur për çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë, si dhe për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit. Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen Tuaj dhe për marrëdhëniet e ngushta në mes vendeve tona.
Zgjedhja Juaj në postin më të lartë të Republikës së Turqisë do të shërbejë për thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Ju shpreh dhe një herë urimet e mia të përzemërta. Ju lutem pranoni konsideratat e mia më të larta. E mirëpres thellimin e marrëdhënieve midis vendeve tona dhe popujve tanë.
I juaji sinqerisht,
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
