Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në konferencën e sotme për medie, në lidhje me protestën e djeshme
Prishtinë, 23 tetor 2012
Të nderuar përfaqësues të medieve
Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës,
Jam thellësisht i tronditur nga pamjet e djeshme në kryeqytetin tonë.
13 vite pas çlirimit të Kosovës, dhe 5 vite pas bërjes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, asnjëherë nuk kam menduar që sheshi i kryeqytetit tonë do të ishte arenë e pamjeve të tilla rrëqethëse.
Protestues të lënduar, deputet të lënduar policë të lënduar,.
Për mua ka rëndësi, shpreh dhimbje dhe keqardhje që njerëzit të këtij shteti të ri, për të cilin kemi luftuar e derdhur gjak, janë lënduar panevojshëm.
Policia e Kosovës, djemtë dhe vajzat më të mira të këtij vendi, vëllezërit tanë, motrat tona, po bënin detyrën e tyre.
Ata i obligon ligji që të ruajnë integritetin dhe dinjitetin e institucioneve të shtetit tonë.
Policët e Kosovës dhe qytetarët nuk janë palë-ata janë një.
Ne kemi luftuar për të pasur të drejtën për të protestuar lirshëm. Ne kemi dhënë shumë jetë për të thënë mendimin lirshëm.
Por, liria dhe demokracia nuk nënkuptojnë anarkinë. Nuk nënkuptojnë dhunë. Nuk nënkupton që mund të përdhosen institucionet, nuk nënkupton që duhet të bllokohet dhe pengohet puna e tjetrit.
Ne kemi një ligj të standardeve më të larta evropiane për organizimin e protestave.
Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë deri më tani nuk i ka respektuar rregullat e këtij ligji.
Prandaj, qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Unë e ftoj sot, publikisht kryetarin e Vetëvendosjes që debatin e humbur në Parlamentin e Kosovës mos ta zhvendosë në rrugë.
Që idetë dialoguese të mos i zëvendësoj në veprime të dhunshme.
Betejat e humbura në parlament nuk mund dhe nuk duhet të zhvendosën në rrugë.
Kjo nuk është demokraci dhe veprimet e tilla e rrezikojnë lirinë tonë.
E ftoj liderin e Vetëvendosjes që të jetë i përgjegjshëm politikisht dhe t’i ndaloj manipulimet me qytetarë.
Të ndërpres njollosjen e policisë së Kosovës dhe institucioneve të rendit. Policia e Kosovës është institucioni më i respektuar prej të gjitha policive në rajon nga bota demokratike, dhe është policia më profesionale. Ata janë vëllezërit dhe motrat tona. Ata janë në shërbim të rendit dhe qetësisë, në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Askush nuk duhet të ndjellë vëllavrasje. Askush nuk ka të drejtë të ndjellë kaq shumë urrejtje të panevojshme.
E ftoj liderin e Vetëvendosjes të vij dhe të debatoj sërish në parlament, të dëgjoj argumentet tona dhe të ngrisë në parlament shqetësimet e tij.
Po jo në rrugë. Jo në rrugë dhe jo dhunshëm.
Jo duke cenuar institucionet, me veprime anarkike dhe të dhunshme.
Nuk e mbanë askush monopolin e patriotizmit dhe të së vërtetës. Monopoli dhe absolutizmi nuk janë kategori të demokracisë.
Dhe nëse e duan protestën me çdo kusht, le të komunikojnë me policinë, të marrin leje, dhe të sigurohet lokacioni përkatës.
Policia do t’i mbrojë dhe sigurojë të gjithë protestuesit.
Policia kanë qenë, janë dhe do të mbesin vetëm dhe vetëm në shërbim të sigurisë së vendit dhe qytetarëve.
Të nderuar qytetarë,
Këtu nuk ka palë. Nuk ka konflikt.
Të gjithë e kemi një qëllim: konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës. E kemi një vizion integrimin e Kosovës sa ma shpejt në NATO dhe Bashkim Evropian.
Këtu ka një grup politik që nuk pajtohet me një agjendë politike. Që ka humbur argumentet politike dhe i ka zëvendësuar me veprime të dhunshme.
Që nuk pajtohet me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë- Serbinë. Që nuk pajtohet me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, që është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Që nuk pajtohet me konsensusin e gjerë politik.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Unë i falënderoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, spektrin politik, liderët e opozitës, të LDK-së, përfaqësuesit e AAK-së, botën civile dhe akademike, për mbështetjen e këtij procesi.
Edhe reagimi i kësaj partie, në kuptimin politik është legjitim.
Por nuk është e ndershme dhe e përgjegjshme të manipulohet me opinionin publik dhe qytetarët tanë.
Përtej kalkulimeve elektorale është ligji dhe shteti për të cilin kemi luftuar, për të cilën jemi meritor të gjithë, kudo që jetojmë, në Kosovë dhe diasporë. .
Dhe sot shtrohet pyetja: Si thoni ju qytetarë të dashur të sillemi ne?
T’i lëmë institucionet të cenohen dhe degradohen, të lejojmë anarki? Dhunë?. Jo, kjo nuk do të ndodhë.
Të nderuar qytetar,
Pamjet si ato të ditës së djeshme janë të papranueshme.
Si kryeministër i vendit, si prind jam tronditur thellësisht ashtu siç jeni tronditur edhe ju.
Unë e ftoj liderin e Vetëvendosjes që mos të manipuloj me ndjenjat e njerëzve.
Mos ta zhvendosë debatin në rrugë.
Nuk është hera e parë, që debatet e humbura në parlament synohet të zhvendosen në rrugë.
Por ne nuk duhet të harrojmë që ka diçka përtej kalkulimeve elektorale dhe agjendave partiake politike.
Ajo është përgjegjësia ndaj shtetit, ndaj të kaluarës, e mbi të gjitha përgjegjësia ndaj së ardhmes së fëmijëve tanë.
Ju ftoj për maturi dhe sjellje të përgjegjshme dhe dashuri ndaj vendit tonë, për veprime demokratike. Ne të gjithë jemi krenar me vendin tonë.
Interesi nacional duhet të na bashkoj dhe jo të konfrontojë asnjë qytetarë tonin. Besoj shumë në fuqinë e vendit tim, besoj shumë në fuqinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, besoj fuqishëm në demokraci, besoj fuqishëm në zhvillimin dhe progresin e vendit tonë, besoj fuqishëm në mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, mbi të gjitha besoj në vullnetin tuaj, qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, në energjitë tuaja për të ardhmen e sigurt të shtetit dhe shoqërisë sonë.
Ju faleminderit.
