Prishtinë, 20 dhjetor 2017
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në takime të ndara, i ka dorëzuar raportin 100 ditor të punës së Qeverisë, presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Kryeministri Haradinaj tha se ndihet i nderuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe në emër të gjithë kolegëve ta dorëzojë dhe prezantojë raportin 100 ditor të punës së Qeverisë të cilën e udhëheq.
“Janë të veçuara disa punë të Qeverisë së Kosovës, për shkak se ka shumë më shumë punë të kryera. Më vjen mirë që raporti i sotëm koincidon edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së kontratës për investimin në Termocentralin “Kosova e Re”, që është investim prej 1 miliard e 300 milionë euro”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ky është investimi më i madh i huaji dhe projekti më i vlefshëm i Kosovës në historinë e vet, dhe po ashtu ndër projektet më të vlefshme në rajon e më gjerë.
“Dikur kam ardhur këtu për t’i dhënë raportin Presidentit Rugova dhe më kujtohet atëherë nuk kemi qenë ende shtet i pavarur, ndërsa sot si shtet i pavarur, Republika e Kosovës, jam i bindur që të gjitha përgjegjësitë që i ka do t’i mbaj me nder dhe unë do të jem i nderuar që të vazhdoj t’u shërbej qytetarëve të vendit dhe që e kam besimin e juaj dhe të institucioneve të tjera të vendit”, tha kryeministri Haradinaj gjatë takimit me presidentin Thaçi.
Ndërsa, Presidenti Thaçi e vlerësojë lartë punën që është bërë në këto 100 ditë të angazhimeve për të bërë reforma në legjislacion, ekonomi dhe politikë, një angazhim ky dhe një punë e unitetit politik, qytetar dhe multietnik.
“Në të njëjtën kohë gjithë ato vendime, projektligje që janë nxjerr, që i janë dërguar edhe Kuvendit të Kosovës, ka qenë një risi dhe përkushtim për një seriozitet të gjithë kësaj pune të përbashkët të Kuvendit, Qeverisë, Presidencës dhe të opozitës dhe gjithë njerëzve të angazhuar në këtë drejtim”, tha presidenti Thaçi, pas marrjes së raportit 100 ditor, duke falënderuar po ashtu për punën e bërë të gjithë zëvendëskryeministrave dhe të ministrave.
Ndërsa, gjatë dorëzimit të raportit 100 ditor kryetarit të Kuvendit, kryeministri Haradinaj tha se e ka për nder që këtë raport t’ia dorëzojë edhe për të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është një mënyrë për të shprehur falënderimin për besimin e dhënë nga Kuvendi për të qeverisur, por njëkohësisht llogaridhënie e Qeverisë ndaj Parlamentit.
“Nuk kanë qenë 100 ditë të lehta e të mira. Ka pasur shumë punë, vështirësi. Jam i bindur që do të ecim përpara për të mirën e qytetarëve të vendit, me suksese për vendin”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se raporti sot do t’ju dorëzohet deputetëve, në mënyrë që të jenë të njoftuar me të gjitha vendimmarrjet dhe punën që e ka bërë kjo Qeveri e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj. “Është një njëqind ditësh me sfida, por ajo që e shquan këtë qeverisje, është vendimmarrje dhe sinqeritet i drejtpërdrejt ndaj qytetarit”, tha kryeparlamentari Veseli.
