Prishtinë, 31 korrik 2014
Bordi Drejtues i Peticionit ka shpallur në një konferencë për media rezultatet e nënshkrimit të peticionit “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”. Bashkëngjitur gjeni edhe tekstin e peticionit. Gjeni më poshtë të plotë fjalën e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, drejtuar medieve:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Mirë se keni ardhur në këtë konferencë për media ku do të shpallim rezultatet zyrtare për peticionin për gratë e dhunuara gjatë në Kosovë “KËRKOJMË DREJTËSI NDËRKOMBËTARE PËR GRATË E DHUNUARA GJATË LUFTËS NË KOSOVË”
Siç e dini, ka një kohë që Bordi Drejtues i Grave për Peticionin ka nisur punën për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve të shtetit të Kosovës, në mbështetje të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë si dhe për të dhënë mesazhin që Kosova sot foli edhe përmes peticionit, u bë zëri i vërtetë i kësaj kategorie të grave, të cilat pësuan më së shumti gjatë luftës sonë për liri dhe pavarësi. Mesazhi ynë për to është që lufta e shqiptarëve për vetëvendosje dhe pavarësi ka qenë gjithnjë një golgotë shqiptare, me shumë rezistenca dhe sakrifica, deri në ato më sublime, ku njerëzit kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë të Kosovës dhe shqiptarëve, por ka pasur edhe fenomene të shkallës së lartë të gjenocidit, siç ka qenë edhe dhunimi i grave si instrument lufte, për qëllime makabre, siç i kanë bërë forcat serbe në Kosovë.
Prandaj, ne gratë e politikës dhe shoqërisë civile u bashkuam, për të vazhduar mbështetjen për këtë kategori të grave, që pësuan këtë tragjedi, në kuadër të angazhimeve edhe tjera, siç ka qenë edhe miratimi i Ligjit për Vlerat e Luftës, ku tashmë gratë e dhunuara kanë status të mbrojtjes dhe të mbështetjes, por kanë qenë edhe shumë iniciativa dhe angazhime tjera të shoqërisë civile dhe të shoqatave, të botës së artit, që kanë gjetur mënyra të ndryshme për ngritjen e zërit të tyre, në mbështetje të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, theksoi Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri
Me këtë dëshiroj të them se peticioni është një angazhim në vazhdim, por do të ketë edhe angazhime tjera. Pasi që do të shpallim rezultatet, unë do të bëj të ditura edhe hapat tjerë që Bordi Drejtues i Grave për Peticionin do t’i ketë, derisa ky peticion të dorëzohet në OKB.
Ne synojmë që ta dorëzojmë te Sekretari Gjeneral Ban Ki Moon, atij i drejtohet, prej tij kërkohet që të bëhet një raport zyrtar, për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës, në raport me gratë, dhe në veçanti dhe dhunimin e grave si instrument lufte. Ne shpresojmë dhe besojmë se sigurisht do të bëhet një raport zyrtar i cili ka qenë i munguar, sepse ju kam njoftuar edhe më herët, OKB dhe zoti Ban Ki Moon kanë bërë shumë raporte për vende ku kanë ndodhur luftë apo konflikte, por nuk e kanë bërë për Kosovën dhe Kroacinë, tha ajo.
Ne përmes këtij peticioni do ta kërkojmë atë raport, dhe unë jam e bindur se do ta realizojmë, sepse me këtë rast OKB do të tregoj se mbështet të drejtën ndërkombëtare humanitare në radhë të parë, se i mbështet gratë, dhe se e dënon dhe gjykon dhunimin e grave si instrument të luftës.
Më lejoni që së pari të shikojmë së bashku tekstin e peticionit në këtë slajdë, ky tekst do t’ju dërgohet sot mediave. Teksti do të nënshkruhet nga anëtarët e Bordit, e më pas do të mbështetet nga nënshkrimet e qytetarëve.
Tani po shpallim rezultatet zyrtare të nënshkrimit të peticionit. Janë grumbulluar gjithsejtë 115,759 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë) nënshkrime të qytetarëve, të grave dhe burrave të shtetit tonë, të cilët me këtë rast dhe me këtë dalje masovike dëshmuan sa thellë është plaga e dhunimit të grave, por edhe sa thellë ne e ndjejmë këtë plagë. Caku ynë ka qenë njëqindmijë nënshkrime, dhe e kemi realizuar me sukses. Ju e dini që periudha e mbajtjes së këtij peticioni ka qenë prej 14 deri më 18 korrik, pra 5 ditë pune, ku janë angazhuar ekipet e komunave.
Tani më lejoni që t’iu jap rezultatet sipas komunave dhe në vazhdim do t’iu jap informacione për të gjitha institucionet, strukturat e shoqërisë civile, mediat dhe sektori privat që kanë dhënë kontribut për realizimin me suksesshëm të këtij peticioni.
REZULTATET: 115,759
Nënshkrimet e mbledhura në tërë Kosovën nga Peticioni “Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë “ 14 – 18 korrik 2014

Caku ynë ka qenë 100 mijë, ne e dimë që e gjithë Kosova ka dashur të nënshkruaj, por e kemi vlerësuar se pesë ditë mjaftojnë. Dhe poashtu që pushimet verore ndikojnë pak në këto dinamika. Sido që të jetë, ka qenë një diskutim në forumin mbështetës, a thua vera është e përshtatshme për nënshkrime, unë u pata thënë është obligim qytetar, secili e din se çfarë obligimesh ka, pra duhet prishet edhe rahatia e verës, për të dhënë mbështetje për këtë tragjedi që kemi pasur, për këtë plagë që kemi pasur, dhe mund t’iu them se qytetarët tanë treguan se e ndjejnë thellë këtë plagë dhe ne të gjithë gjithmonë do të jemi me këto gra. Sepse ne shqiptarët gjithmonë kemi qenë një, edhe në luftëra, edhe në vuajtje edhe në sakrifica, por tani do të jemi një edhe për ta çuar përpara idealin tonë kombëtar dhe shtetëror, natyrisht për të vazhduar që të përparojmë në çdo fushë kombin tonë, shtetet tona, edhe Kosovën, edhe Shqipërinë edhe gjithë shqiptarinë.
Tani më lejoni që në emër të Bordit Drejtues të Peticionit të falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës në nivelin qendror dhe lokal, shoqërinë civile, mediat, kompanitë profesionale, donatorët, dhe të gjithë të tjerët që kontribuuan për suksesin e këtij aktiviteti.
FALËNDEROJMË
• Qeveria e Republikës se Kosovës
• Kabineti i Zëvendëskryeministres Edita Tahiri
• Agjencia për Barazi Gjinore – ABGJ / ZKM, Edona Hajrullahu
• Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – MAPL, Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm
• Komunat e Republikës së Kosovës – KRS – Kryetarët e Komunave , koordinatoret, zyrtaret për barazi gjinore, ekipet
• Agjencioni i Statistikave të Kosovës – ASK – Isa Krasniqi, Kryeshef
• Asociacioni i Komunave të Kosovës – AKK – Naim Ismajli, Kryetar

MEDIAT PËRKRAHËSE TË PETICIONIT
RTK, RTV 21, KTV, Klan Kosova, RROKUM TV, dhe ato lokale
Të gjitha gazetat, radiot dhe portalet që e kane mbuluar këtë aktivitet
Kontribuesit e tjerë
PR Solutions
Eliza Hoxha
Kube Studios
MEGAMEDIUM – Gani Iberdemaj
Medica Kosova
Për fund falënderoj gjithë anëtarët e Bordit dhe Sekretariatit:
Bordi i peticionit dhe Sekretariati
Bordi Drejtues i Grave për Peticionin
Edita Tahiri, Vlora Çitaku, Luljeta Vuniqi, Suzana Novoberdali, Edona Hajrullahu, Veprore Shehu, Luljeta Selimi, Eliza Hoxha, Mimoza Kusari-Lila, Teuta Sahatçiu, Donika Kada-Bujupi
Sekretariati
Arjeta Rexhaj, Edi Gusia, Enkela Bisha, Visar Xani, Visar Piperku, Zoga Ceta, Sebahate Greiçevci.
Ju falënderoj edhe njëherë dhe prezenca juaj masovike sot si media, tregon rëndësinë që i keni dhënë dhe po e jepni për këtë çështje nacionale dhe ndërkombëtare, tha znj. Tahiri
*****************
PETICION
KËRKOJMË DREJTËSI NDËRKOMBËTARE PËR GRATË E DHUNUARA GJATË LUFTËS NË KOSOVË
Për: Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së
Rreth 20.000 gra janë dhunuar dhe sulmuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Edhe pas pesëmbëdhjetë viteve pas luftës, kjo tragjedi e tmerrshme dhe krim gjenocidal kundër njerëzimit nuk është trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Shumë nga këto gra nuk janë ndjerë në gjendje të flasin për atë që ka ndodhur me to dhe është ironike që autorët e krimeve të tilla nuk janë ndjekur dhe ndëshkuar ende.
Dhuna seksuale si armë lufte raportohet shumë pak edhe në nivel global, për arsye të shumta, përfshirë këtu rreziqet që hasin të mbijetuarit. Në fakt, në përgjithësi çështjet e grave mbeten ende pak të njohura, sepse gratë janë ende pak të përfaqësuara në proceset e vendimmarrjes, paqes dhe të drejtësisë në të gjithë botën.
Ne gratë e Kosovës kemi vendosur të flasim. Ne i dërgojmë këtë peticion Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Në nivel kombëtar, jemi duke bërë të gjitha përpjekjet për të siguruar drejtësi dhe mbrojtje për gratë viktima të dhunimit gjatë luftës. Si pjese e mjeteve juridike të adresimit të pasojave të luftës, statusi dhe të drejtat e grave viktima të përdhunimit janë të garantuara me Ligjin NR. 04/L-172 i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Megjithatë, ka ardhur koha për drejtësi ndërkombëtare për gratë e Kosovës të përdhunuara gjatë luftës në vitet 1998-1999. Drejtësia është e drejtë universale e çdo qytetari në këtë botë. Drejtësia dhe mbrojtja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftërave duhet të konsiderohet e drejtë mbi çdo të drejtë, sepse ajo përfaqëson formën më brutale të johumanitetit. Heshtja mbi këtë çështje është paradoksale në aspektin e etikës dhe drejtësisë, ndërsa mosndëshkimi i autorëve është i turpshëm dhe i papranueshëm.
Thirrja jonë është ligjore, legjitime dhe morale. Kjo sepse drejtësia është një vlerë universale, dhe në mënyrë të veçantë për shkak se e drejta ndërkombëtare humanitare, KEDnG (CEDAW) dhe rezolutat e OKB-së për këtë çështje, bëjnë thirrje të qartë se çështjet e dhunës seksuale gjatë konflikteve nuk duhet të mbeten të pa trajtuara dhe të pa ndëshkuara.
Rezoluta 2106 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e datës 24 qershor 2013, ndër tjerash, konfirmon se dhuna seksuale, kur përdoret ose porositet si metodë apo taktikë lufte ose si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile, mundet në mënyrë të konsiderueshme të përkeqësojë dhe zgjasë situatat e konfliktit të armatosur dhe mund të pengojë rivendosjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Më tej përcakton se dhuna seksuale si mjet lufte mund të përbëjë një krim kundër njerëzimit ose një akt gjenocidal; më tutje, përkujton se përdhunimi dhe format e tjera të dhunës serioze seksuale në konfliktet e armatosura janë krime lufte.
Gjithashtu pranon se hetimi dhe dokumentimi efektiv i dhunës seksuale në konfliktet e armatosura është i rëndësishëm si në sjelljen e autorëve dhe aktorëve para drejtësisë ashtu edhe për sigurimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit.
Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për dhunën seksuale në konflikte i datës 14 mars 2013 (A/67/792–S/2013/149) ofron dokumentacionin e vlefshëm mbi këtë fenomen në shumë konflikte në mbarë botën, megjithatë nuk e përfshinë rastin e Kosovës.
Për më tepër, Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi (ICTY) nuk e ka trajtuar përdhunimin e grave gjatë luftës si fenomen të luftërave të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Prandaj, kërkesat tona janë si në vijim:
1. Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë
2. Kërkojmë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së që të fillojë hetimet për përdhunimin e grave gjatë luftës në Kosovë dhe të nxjerrë një raport mbi këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur.
3. Kërkojmë që të gjithë përgjegjësit, kryerësit dhe autorët, për politikat dhe veprimet e këtij krimi gjenocidal kundër njerëzimit të sillen para drejtësisë ndërkombëtare dhe të ndëshkohen.
4. Kërkojmë themelimin e mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë në mënyrën më të besueshme dhe më të efektshme në mënyrë që të sigurohet një drejtësi e paanshme dhe e drejtë.
Sinqerisht,
Bordi Drejtues i Grave për Peticionin
1. Edita Tahiri, Kryetare e Bordit Drejtues
2. Vlora Çitaku
3. Luljeta Vuniqi
4. Suzana Novobërdaliu
5. Edona Hajrullahu
6. Eliza Hoxha
7. Veprore Shehu,
8. Luljeta Selimi
9. Mimoza Kusari-Lila
10. Teuta Sahatçiu
11. Donika Kada-Bujupi
