Prishtinë, 17 mars 2016
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër djegien një natë më parë të disa veturave zyrtare, në disa qytete të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, këto akte kriminale, në dukje të koordinuara, i konsideron sulme të drejtuara kundër shtetit të Kosovës dhe institucioneve legale dhe legjitime të tij, veprime kundër stabilitetit dhe progresit të Kosovës në proceset zhvillimore e eurointegruese.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin këto ngjarje kriminale dhe të vënë para drejtësisë kryesit e tyre.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje të gjitha subjekteve dhe individëve të cilët mund të jenë të implikuar në këto akte, që të heqin dorë nga rruga e dhunës dhe përpjekjet për realizim të synimeve politike përmes metodave anarkiste antishtetërore.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë për angazhim maksimal në avancimin e zhvillimit ekonomik e social, për integrime euroatlantike dhe për ndërtimin e shtetit ligjor në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
