Prishtinë, 12 shtator 2014
Riatdhesohen mbetjet mortore të 24 personave të zhdukur, të identifikuar nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Rashkë
Sot, në pikëkalimin kufitar, në Merdare, janë riatdhesuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës, përmes EULEX-it, mbetjet mortore të 24 personave të identifikuar, nga mbetjet mortore të zhvarrosura gjatë gërmimeve në Rashkë, në Serbi.
Së bashku me riatdhesimin e mbetjeve mortore të 24 personave, po ashtu, sot janë dorëzuar edhe disa pjesë kockore të identifikuara që ndërlidhen me mbetjet mortore të 16 viktimave, të riatdhesuara më 22 gusht 2014.
Mbetjet mortore të riatdhesuara, iu përkasin viktimave civile shqiptare nga fshatrat Rezallë, Komuna e Skenderajt, dhe fshatrave Çikatovë e Vjetër dhe Zabel i Ulët, Komuna e Drenasit, të cilët u morën të gjallë dhe u ekzekutuan, gjatë luftës së viteve 1998 – ’99, në Kosovë, nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë.
Me këtë rast, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu shprehu ngushëllime të gjithë familjarëve që ishin të pranishëm gjatë këtij procesi të riatdhesimit. Kryetari Gjetaj shtojë, se ‘megjithë identifikimet që janë bërë, ende është shqetësim numri i personave që evidentohen si të zhdukur, dhe që obligon Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, institucionet dhe organizatat kompetente të punojnë në mbledhjen e informatave që ndihmojnë procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur’. ‘Në veçanti kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare me mekanizmat e vet të bëjë presion dhe ta detyrojë palën serbe të tregojë për vendndodhjen e varrezave masive ku qëndrojnë trupat e personave të zhdukur’.
Sipas Gjetaj, ‘Serbia vazhdon të ketë informacione dhe të dijë për fatin dhe vendndodhjen edhe të personave tjerë që vazhdojnë të na mungojnë. E në veçanti tani me gjetjen e varrezës masive në Rashkë, ku për vite me radhë, mbi këtë varrezë, Serbia, mbajti asfalte dhe shtëpi për ndërmarrje shërbyese publike, madje edhe më emër provokues ‘Kosmet Put’, gjithnjë në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit’.
Kryetari Gjetaj, në fjalën e tij falënderojë të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare për angazhimin dhe punën në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, dhe shprehu mirënjohjen para se gjithash për familjarët për mirëkuptimin dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë tërë këtij procesi, për ekspertët vendor dhe të EULEX-it, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, për Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të gjitha institucionet dhe organizatat e angazhuara në këtë proces.
Me përkrahjen e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbetjet mortore të personave të riatdhesuar, janë dërguar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, për procedim të mëtutjeshëm mjekoligjor me qëllim të përgatitjes për të iu kthyer familjeve për rivarrim, gjithnjë në respektim të të drejtave dhe kërkesave të familjarëve.
Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur, pret që edhe në ditët në vijim, të pranojë përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, nga pala serbe njoftimet zyrtare mbi identifikimet e reja nga mostrat e mbetjeve mortore, të cilat tashmë janë proceduar për analizë të ADN-së, në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.