Prishtinë, 18 gusht 2010
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm sulmin ndaj qytetarëve të kthyer, që ndodhi sot në fshatin Zallq të Istogut.
Republika e Kosovës, si shtet demokratik që përbëhet nga komunitete të ndryshme etnike e konsideron si një ndër vlerat më të larta tolerancën dhe bashkëpunimin ndërmjet këtyre komuniteteve.
Sulmi i sotëm ndaj qytetarëve të kthyer të komunitetit serb, është veprim në kundërshtim me këtë frymë dhe paraqet një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve kompetente që menjëherë të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e të kthyerve dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që aktorët e këtij sulmi të nxirren para drejtësisë.
Qeveria është e përkushtuar plotësisht për të mbështetur procesin e rikthimit të qëndrueshëm dhe vazhdimin e rindërtimit të shtëpive për kthimin e qytetarëve në Zallq.