Prishtinë, 18 dhjetor 2014
Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së ku u diskutua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve.
Në këtë takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Byrove Evropiane palët diskutuan për rëndësinë e avancimit të këtij procesi që pritet të rezultojë me uljen e tarifave të sigurimeve të automjeteve duke përmirësuar më tej lëvizjen e lirë mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, në bazë të standardeve evropiane. Takimi u zhvillua në një frymë të mirë dhe bashkëpunuese në mes palëve në dialog për këtë çështje ku kontribut të veçantë dhanë Byrotë e sigurimeve të të dyja shteteve dhe Këshillit të Byrove Evropiane.
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri theksoi rëndësinë e avancimit të procesit në drejtim të përfundimit të marrëveshjes kornizë për çështjen e sigurimeve kufitare për automjete. Përfundimi i kësaj marrëveshje në mes të përfaqësuesve të industrisë së sigurimeve të përfaqësuara nga institucioni përgjegjës Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe institucionit homolog të Serbisë, do të kontribuoj në masë të madhe në uljen e çmimeve të sigurimeve kufitare dhe njëkohësisht edhe lehtësoj lirinë e lëvizjes në mes të dy shteteve fqinje, theksoi ajo. Ajo vlerësoi përparimet në këtë takim trepalësh dhe shprehu bindjen se të dyja palët është me rëndësi që të fokusohen te interesi i qytetarëve i të dyja shteteve, të cilët meritojnë një lëvizje të lirë pa ngarkesa financiare.
Në vazhdim të qëndrimit në Bruksel, Ministrja Edita Tahiri zhvilloi një takim me Drejtorin për Evropën, z. Fernando Gjentilini. Në takim u bënë shqyrtime dhe vlerësime për rrjedhat në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe ishte dakordim i përbashkët se Dialogu i Brukselit ka prodhuar rezultate të rëndësishme mirëpo mbeten edhe shumë punë për t’u bërë në të ardhmen ku angazhimi i të tre palëve është i domosdoshëm.
Ministrja Edita Tahiri, me këtë rast vlerësoi përkrahjen e Këshillit Evropian për integrimin evropian të Kosovës dhe shprehu kënaqësinë që Kosova dhe BE do ta nënshkruajnë së shpejti Marrëveshjen Stabilizim Asocim, duke hapur kështu një kapitull zyrtar të marrëdhënieve që padyshim do të shërbejë si një motivim i fuqishëm për Qeverinë e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit në mënyrë që të intensifikojmë reformat evropiane dhe euro-atlantike në vend.
z. Gjentilini nga ana e tij shprehu përgëzimet për krijimin e Qeverisë në Kosovë duke theksuar se pret që dialogu në nivelin politik të rifilloj sa më shpejtë. Ai theksoi nevojën e intensifikimit të Dialogut të Brukselit duke paralajmëruar që takimi i radhës mes Kryeministrave dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini do të mund të mbahet gjatë muajit janar.
Në bisedimet për çështjet e sigurimeve kufitare, delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Ministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje z. Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit, z. Rrahim Pacolli udhëheqës i delegacionit në nivelin e grupit teknik, Fatmir Gashi zëvendësguvernator i BQK-së, Faton Abazi drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, dhe Rrexhep Idrizaj kryetar i Asamblesë së Sigurimeve.
