Prishtinë, 9 prill 2014
E nderuara Presidente Jahjaga,
I nderuar Kryeparlamentar Krasniqi,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit gjyqësor,
Të nderuar zv.Kryeministra
Të nderuar Ministra,
Të nderuar dhe shumë të respektuar ambasadorë të SHBA-ve dhe vendeve të Bashkimit Evropian,
Sot mbushën gjashtë 6 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 6 vite kur bazuar në efektet e deklarimit të pavarësisë është hartuar një nga kushtetutat më moderne, përparimtare dhe akt që mbron dhe promovon vlera të larta demokratike.
Sot, 6 vite më herët, më 9 prill Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Kushtetutën, duke shënuar një datë historike dhe sublime për Kosovën, që shënon ditën më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës, pas asaj të pavarësisë.
Me ketë ditë dhe me ketë akt vendoset baza ligjore e shtetit të pavarur të Kosovës, e cila po ashtu vendos themelet e krijimit të identitetit të ri shtetëror.
Kushtetuta, pasqyron vlerat e shtetit demokratik, parlamentarizmin e ekuilibruar me parimet e sundimit të ligjit, dhe përcakton vlerën e Kosovës Evropiane.
Duke qenë një kushtetutë e vlerave dhe përmasave të tilla, çdo qeveri në Kosovë do të ndjejë përgjegjësinë e veprimeve dhe obligimeve në një piedestal të lartë.
Qeveria e Kosovës ka arritur në këto 6 vite të vendos themelet për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik me sovranitet në tërë territorin e saj; me të drejta për të gjithë qytetarët e saj, bazuar në sundimin e rendit dhe ligjit; me ndarje të kompetencave të qarta institucionale, ku Kuvendi është institucioni më i lartë i demokracisë; me përkujdesje për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të saj; vend të sigurt dhe me zhvillim ekonomik.
Në procesin e vendosjes së një shteti funksional, me institucione të mirëfillta, të cilat shtrinë përgjegjësinë dhe funksionet e tyre në çdo fushë dhe pjesë të territorit të Kosovës.
Kemi arritur ta themelojmë administratën, që kujdeset për shtetin, por edhe shteti kujdeset për të.
Mbi të gjitha, si obligim i kapitullit të parë të kësaj kushtetute, kemi arritur të vendosim sovranitetin dhe integritetin territorial në të gjithë territorin e Kosovës, duke e garantuar këtë sovranitet me policët tanë në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, përfshirë këtu edhe pikat në Jarinjë dhe Bërnjak.
Qeveria e Kosovës dhe të gjithë aktorët politik në Kosovë kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në aspektin e të drejtave të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë pa dallime etnike dhe fetare në respektim të plotë të parimeve të Kushtetutës, si një vend evropian dhe multietnik.
Kemi zhvilluar një kuadër të avancuar strategjik dhe legjislativ, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për përafrimin e tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj,
I një rëndësie të veçantë është amandamentimi dhe hyrja në fuqi të Kodit të ri Penal të Kosovës.
Kemi vazhduar reformimin e gjyqësorit dhe në të njëjtën kohë thellimin e luftës së pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve dhe dukurive tjera negative.
Parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve ka qenë filozofia udhëzuese e Qeverisë në respekt të plotë të institucioneve ekzekutive, legjislative, dhe të drejtësisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka qenë forumi ku Qeveria është drejtuar për të gjitha vendimet e rëndësisë nacionale, edhe pse në shumë raste kanë qenë kompetencë e saj.
Gjatë këtyre gjashtë viteve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kemi vendosur bazat e mirëfillta që shoqëria dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë përkujdesje të plotë për mirëqenien e tyre.
Si rezultat, është arritur të ulët niveli i varfërisë në 29% nga 45% sa ka qenë në vitin 2007 dhe kjo duhet të vazhdojë të jetë synim i të gjithë spektrit politik, që qytetarët e Kosovës mos të ballafaqohen me varfëri në të ardhmen. Gjithmonë duke qenë të vetëdijshëm mbi obligimet e parimeve kushtetuese që të ruajmë kornizën makrofiskale të vendit në synim të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.
Po ashtu është, pas një procesi të qartë të planifikimit nga i gjithë spektri institucional dhe politik, është arritur të ridefinohet sektori i sigurisë së Kosovës.
Është vendosur që Forca e Sigurisë të transformohen në Forca të Armatosura të Kosovës dhe kështu të marrin përgjegjësitë e institucioneve simotra të saja në të gjithë botën demokratike, përgjegjësi të një ushtrie moderne, në funksion të plotë të ruajtjes së sovranitetit të vendit, dhe kontribut në sigurinë rajonale dhe globale.
Këtë kushtetutë që 6 vite më parë e kemi proklamuar dhe të cilën me aq përkushtim e mbrojmë dhe zbatojmë, duhet amandamentuar për të përfshirë arritjet e Kosovës në sektorin e sigurisë, duke zëvendësuar Forcën e Sigurisë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Besoj se kjo çështje do të përmbyllet nesër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Shpresoj dhe bejë thirrje të gjithë spektrit politik të Kuvendit të Kosovës që të akomodojnë këto ndryshime kushtetuese në një kohë optimale, pasi që tani veç është futur në rendin e ditës së seancës së nesërme të Kuvendit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Kosovës, dhe në emrin tim personal t’ju uroj ju këtu të pranishëm dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës 6 vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Unë dua të ju premtoj këtu që të arriturat e deritanishme në zbatimin e kapitujve dhe parimeve të Kushtetutës do të thellohen në të ardhmen dhe do të punohet më përkushtim të plotë në zbatimin e Kushtetutës në të gjithë territorin dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Falëmnderit shumë.
