Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së


Image

New York, 10 Shkurt 2014

Faleminderit e nderuara znj. Presidente,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë t’ju adresohem sot në seancën e parë të këtij viti dhe të prezantoj progresin në Republikën e Kosovës gjatë tre muajve të fundit, në veçanti rreth mbajtjes së raundit të dytë të Zgjedhjeve të para Lokale në tërë territorin e Republikës, konstituimin e pushtetit lokal në komunat veriore të Kosovës, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe rezultatet e fundit në Dialogun ndër-shtetëror për Normalizimin e Marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Më lejoni të filloj duke çmuar lart përpjekjet e vazhdueshme të  Sekretarit të Përgjithshëm, z. Ban Ki Moon, për paqen dhe progresin në Kosovë dhe rajon.

Po ashtu, dua të përgëzoj anëtarët e rinj të Këshillit të Sigurimit, respektivisht: Chadin, Kilin, Jordaninë, Lituaninë dhe Nigerinë.

Mbajtja e zgjedhjeve të lira në tërë territorin e vendit, bazuar në legjislacionin e Kosovës, të organizuara në mënyrë  të drejtë dhe transparente dhe të konfirmuara me standardet më të larta ndërkombëtare, është sinjali më i mirë që u dërgua nga Kosova për mbarë botën demokratike, për miqtë dhe mbështetësit e proceseve demokratike në Kosovë.

Policia e Kosovës, EULEX, KFOR, OSBE, Misioni Vëzhgues i zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian dhe të gjithë aktorët lokalë ishin në krye të një detyre e cila solli rezultate të jashtëzakonshme për demokracinë kosovare.

Konstituimi i kuvendeve komunale në veri të Kosovës, ku kryetarët e komunave kanë dhanë betimin në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke respektuar rezultatin zgjedhor si vullnet i popullit, tregon se kjo fazë e rëndësishme e funksionalizimit të organeve komunale është kryer me sukses dhe në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me Marrëveshjen e Brukselit të 19 Prillit 2013.

Fatkeqësisht, kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës veriore ka dështuar të bëjë betimin dhe pranimin e detyrës në përputhje me ligjet e Kosovës.

Për pasojë, ai e ka humbur mandatin e fituar dhe në përputhje me ligjin për zgjedhje lokale, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarin e komunës së Mitrovicës veriore, të cilat do të mbahen me 23 shkurt të këtij viti.

Të gjitha përgatitjet për këtë proces janë bërë dhe ne presim që qytetarët e komunës së Mitrovicës veriore të dalin në zgjedhje, të zgjedhin liderin e tyre lokal, i cili është i gatshëm të pranojë dhe respektojë ligjet e Kosovës.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
E nderuara Presidente,

Më 16 Janar, fatkeqësisht një ngjarje e rëndë ka lënë hije të keqe procesin pas-zgjedhor. Vrasja e asamblistit  Dimitrije Janiçijeviç që njëkohësisht ishte edhe kandidat për kryetar të Mitrovicës Veriore nga  Partia e Pavarur Liberale Serbe, ka tronditur thellë qytetarët e Kosovës.

Pa dashur të paragjykoj epilogun e hetimeve, kjo ishte një vrasje e paramenduar nga ato qarqe të cilat tentojnë edhe më tutje t’i mbajnë peng qytetarët serbë të Kosovës të cilët duan të bëhen pjesë dhe të kontribuojnë në institucionet e Republikës së Kosovës, ata që njohin realitetin dhe që punojnë për një jetë më të mirë aty ku jetojnë.

Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet relevante e kanë dënuar aktin kriminal të vrasjes së asamblistit dhe jemi munduar të gjendemi pranë familjes së të ndjerit, në këto ditë të rënda.

Ky akt dhune është i patolerueshëm për ne dhe për këtë arsye kemi kërkuar nga autoritetet përkatëse të hetojnë rastin për t’i nxjerrë para drejtësisë autorët e krimit.

E nderuara Presidente,

Në Republikën e Kosovës vazhdojnë trendet pozitive të stabilitetit ekonomik e financiar, që reflektohen në buxhetin për vitin 2014, i cili është i bazuar në burime të qëndrueshme dhe ka si veçori kryesore  –  rritjen e mirëqenies qytetare.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2014 është në harmoni me direktivat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe parashikon rritje ekonomike me mbi 4% nga më të lartat në rajon.

Ndërsa, me anëtarësimet në mekanizmat financiar botëror, është krijuar mundësia për marrjen e kredive zhvillimore, dhe gradualisht po i hapet mundësia sektorit privat për të marrë rolin udhëheqës.

Një sërë marrëveshjesh për eliminim të tatimit të dyfishtë, mbrojtjes dhe promovimit të investimeve, bashkëpunimit ekonomik dhe doganor janë nënshkruar me shtetet të ndryshme ose pritet të nënshkruhen gjatë këtij viti.

Të gjitha këto të arritura janë dëshmuar edhe në raportet kredibile të Bankës Botërore.

Stabiliteti politik dhe perspektiva e integrimeve evropiane kanë dhënë frytet e tyre në ekonomi.

Kur jemi tek Agjenda Evropiane e Republikës së Kosovës, më lejoni që të falënderojë Parlamentin Evropian, që me 16 Janar 2014 ka miratuar rezolutën për Kosovën, të prezantuar nga raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë znj. Ulrike Lunaçek, e cila rezolutë u votua me shumicë dërrmuese nga eurodeputetët e të gjitha grupimeve.

Kjo rezolutë përshëndet të arriturat dhe rezultatet, të cilat Kosova i ka bërë në rrugëtimin e saj 6 vjeçar,  si shtet i pavarur dhe sovran, si në procesin e shtet ndërtimit për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie apo besimi, ashtu edhe në procesin e integrimeve evropiane.

Ndër të tjera përgëzohet Kosova për  arritjen e një sërë reformash të rëndësishme politike, administrative dhe ekonomike nga autoritetet dhe populli i saj, si dhe përafrimi i legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian, si një nga kriteret për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave dhe rritja e kapaciteteve për adresimin e prioriteteve të procesit të integrimit evropian, të dala nga  studimi i fizibilitetit të Komisionit Evropian.

Si rezultat i të arriturave të cekura, rezoluta e Parlamentit Evropian  i jep Kosovës mbështetje të madhe politike, përmes së cilës iu bëhet thirrje  5 shteteve të Bashkimit Evropian  (Spanjës, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros), që ta njohin Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Po ashtu, kjo rezolutë shpreh mbështetje për avancimin e mëtutjeshëm  të procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke i bërë thirrje BE-së që t’i hap dyert për integrimin e plotë të Kosovës.

Integrimi i Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian është synimi ynë parësor dhe i pa-alternativë, si rrugë e modernizimit dhe konsolidimit të rajonit në familjen evropiane.

Ne jemi duke zhvilluar negociata me Komisionin Evropian për të përcaktuar përmbajtjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të sigurojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë në vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht zonën Schengen.

Zhvillimi me sukses i negociatave me Bashkimin Evropian për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të cilat negociata sipas parashikimeve pritet të mbyllën në pranverën e këtij viti, mbeten lart në agjendën tonë qeverisëse.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

E nderuara Presidente,

Pak ditë pas kësaj seance të Këshillit të Sigurimit, Republika e Kosovës do të festoj 6-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së saj, të njohur tashmë nga 105 vende prej të gjitha kontinenteve të botës.

Falënderoj të gjitha shtetet që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe gjithashtu iu bëj thirrje vendeve të tjera, duke përfshirë anëtarët e këtij Këshilli të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të marrin ketë hap dhe të bashkohen me botën demokratike në përkrahjen e Kosovës si anëtar i barabartë dhe i plotë i bashkësisë ndërkombëtare.

Njohja formale e Kosovës do të ishte kontribut i drejtpërdrejtë i forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Në këtë vazhdë të procesit integrues,  Qeveria  e Kosovës falënderon Sekretariatin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (RESPA) me seli në Mal të Zi dhe shteteve anëtare të kësaj organizate me rëndësi rajonale, për anëtarësimin e Kosovës.

Ne vlerësojmë se anëtarësimi i Kosovës në mekanizma të ndryshëm rajonal dhe ndërkombëtar do të ndihmojë në forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal, parakusht i rëndësishëm për anëtarësim në BE.

Së fundi, pjesërisht mori fund edhe izolimi prej më shumë se 2 dekadash ndaj sportistëve të Kosovës ku Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA, pas takimeve me krerët e Federatave të Futbollit të Kosovës dhe ato të Serbisë, ka arritur në mirëkuptimin që Republika e Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare.

Këtë e shohim vetëm si hapin e parë të rëndësishëm drejtë anëtarësimit të plotë në mekanizmat botërorë dhe evropian të sportit kosovar.

Ndërsa zhvillime akoma më të mira kemi nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Hendbollit, që i lejon Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare pa kushtëzime.

E nderuara Presidente,

Marrëveshja e 19 Prillit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hapur kapitullin e ri të bashkëpunimit dhe paqes së ndërsjellë.

Dialogu, që është ende duke vazhduar, tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ashtu edhe në avancimin e integrimeve evropiane për Kosovën.

Ne mbesim të përkushtuar që Dialogu me Serbinë të vazhdojë edhe në vitin 2014, përmes hapjes së çështjeve të reja të cilat janë të rëndësishme për fqinjësinë e mirë dhe kualitetin e jetës së qytetarëve.

Për sa i përket Republikës së Kosovës, janë respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, prandaj i bëjmë thirrje Serbisë që ta rrisë përkushtimin  e saj ndaj zbatimit të marrëveshjeve.

Më 14 Dhjetor 2013 ka ndodhur fillimi në implementimin e Marrëveshjes për mbledhjen e të hyrave doganore  nga pikat kufitare në veri, përmes Doganave të Kosovës.

Po ashtu, ka filluar së funksionalizuari edhe Bordi Menaxhues i Fondit për Zhvillim të komunave të veriut – si mekanizëm i krijuar për të avancuar zhvillimin ekonomik lokal të komunave veriore të Kosovës.

Përkundër këtij suksesi, fatkeqësisht Serbia vazhdon të paraqes pengesa në implementimin e marrëveshjes për përfaqësim e Kosovës në organizata dhe iniciativa rajonale.

Bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal është më se i nevojshëm, sepse nuk mund të ketë luftë të suksesshme kundër dukurive negative si terrorizmi, krimi organizuar, trafikimet, korrupsioni pa një koordinim dhe bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Viti 2014 është një mundësi e mirë që bota të kthejë sytë nga rajoni ynë, i cili 100 vite më parë u bë burim i një lufte kolosale, të cilën njerëzimi e ka vuajtur shumë.

Po ashtu, këtë vit shënohet 25-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, fantazmës së fundit artificiale që ndante botën.

Në prill të këtij viti do të kemi 1 vjetorin e marrëveshjes së parë ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 19 Prillit është marrëveshje e cila duhet të shërbejë si model për të zgjedhur kontestet që shqetësojnë  rajonin dhe me gjerë.

E nderuara znj.Presidente,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Më lejoni të ritheksoj se në këto 6 vite Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, ka shënuar progres të rëndësishëm, si në konsolidimin e brendshëm ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar.

Republika e Kosovës ka ndërtuar shoqëri multietnike dhe me institucione demokratike, stabile e të qëndrueshme, ku si rezultat, Kosova është bërë faktor i paqes dhe eksportues i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Vendi im është mirënjohëse për rolin dhe kontributin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë procesit të shtet-ndërtimit të vendit tonë megjithatë, duke marrë parasysh rrjedhën e zhvillimeve në vend, që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, roli i misionit të UNMIK-ut është minimizuar dukshëm dhe tani roli i UNMIK-ut ka mbetur vetëm raportues.

Kosova është një nga rastet më të suksesshme të shtet-ndërtimit dhe paqe-ndërtimit në histori të OKB-së dhe qeverisjes ndërkombëtare dhe këto përpjekje paraqesin suksesin e përbashkët.

Duke u nisur nga kjo dhe duke vlerësuar arritjet e Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe stabilitetit ekonomik, social dhe politik, si dhe duke theksuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

E  nderuara znj. Presidente,

Është koha për Këshillin e Sigurimit të konsideroj transformimin e UNMIK-ut në zyrë politike të Organizatës të Kombeve të Bashkuara me qëllim të përfaqësimit të Agjencioneve të Specializuara dhe politikave të OKB-së si dhe të ndihmojë Republikën e Kosovës në realizimin e aspiratave të vendit tonë për të ju bashkuar komunitetit të kombeve të lira.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors