Prizren, 11 janar 2014
Së pari dëshiroj t’ju uroj mirëseardhje të ngrohtë dhe vëllazërore, kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z Edi Rama dhe gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar të Shqipërisë!
Mirë se erdhët në shtëpinë e përbashkët!
Unë më të vërtetë jam shumë i privilegjuar dhe lumtur për këtë takimit të sotëm të përbashkët.
Nuk kam fare dyshim që qytetarët e dy shteteve tona po ashtu janë shumë të lumtur për takimin tonë të përbashkët sepse janë të vetëdijshëm se mbledhja e sotme dhe mbledhjet e ardhshme të përbashkëta ndërmjet dy qeverive të shteteve tona respektive, do të sjellin vendime shumë të rëndësishme, të cilat do të ndikojnë në rritjen e mirëqenies se qytetarëve në Shqipëri dhe Kosovë.
Më ketë rast, unë dua të ju përgëzoj juve kryeministër Rama dhe qeverisë së Suaj për punën e serioze që jeni duke bërë në avancimin e reformave të gjithanshme për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë.
Unë ju përgëzoj për frymën e re dhe praktikat novatore që keni aplikuar në qeverisje dhe shpreh bindjen që ato do të japin rezultatet konkrete shumë shpejt.
Unë jam i sigurt që kabineti juaj qeveritar, i përbërë me kuadro të kualifikuara mirë, ka për t’ia dalë me sukses në ballafaqimin me vështirësitë që keni përpara.
I nderuar kryeministër Rama,
Ministra të dy kabineteve qeveritare,
Kjo mbledhje e dy qeverive tona në këtë vend të shenjtë të zanafillës së Rilindjes Kombëtare shqiptare është një dëshmi dhe respekt ndaj heronjve tanë të periudhave të ndryshme, se mundi djersa gjaku i dëshmorëve nuk ka shkuar kot.
Falë veprës së tyre, brezat e sotshëm e të ardhshëm mund të gëzojnë më shumë paqe, liri e begati dhe qytetarët e dy vendeve tona mund të jetojnë afër njëri-tjetrit, pa barriera dhe me dinjitet në trojet e veta.
Këto monumente historike të këtij qyteti kanë qenë dëshmitarë të fillimit të përpjekjeve për liri e pavarësi.
Pak kombe në botë mund të kuptojnë me të vërtetë vuajtjen e madhe që ka pësuar populli ynë.
Prej Lidhjes së Prizrenit e në vijim historia ka qenë e mbushur me luftëra, diskriminime, asimilime, shpronësime, bastisje, dëbime e pastrim etnik.
Vetëm pak kilometra larg prej këtu është shtrirë ai që Uinston Çërçill ka quajtur mur i hekurt, i cili për ne ka qenë dyfish më i rëndë.
Jo vetëm pse simbolizonte ndarjen ideologjike dhe izolimin e totalitarizmit, por për faktin se përbënte një të çarë të madhe mu në zëmër të popullit shqiptar.
Dhe kur flas për atë periudhë të atij regjimi, më lejoni të bëj një digresion e të shpreh krenarinë dhe kënaqësinë time të veçantë për homologun tim, mikun tim kryeministrin Rama që është ndër të parët intelektual të Shqipërisë që pati kurajon dhe largpamësinë t’i kundërvihej totalitarizmit komunist.
Unë i jam mirënjohës zotit Rama dhe të gjithë atyre intelektualëve të tjerë, që ishin në pararojë të rrëzimit të atij regjimi dhe udhëheqës të lëvizjes demokratike në Shqipëri, në fillim të viteve 90-të.
Ata kanë luajtur një rol kyç në nxjerrjen e shqiptarëve nga rrethi i izolimit dhe në mundësimin e hapjes së vendit ndaj lirisë, ekonomisë së tregut dhe demokracisë.
Por, ne nuk jemi këtu për të vajtuar për kohën e humbur, por për t’u distancuar nga ai kapitull i errët i historisë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
Ne, e shohim të kaluarën jo vetëm për të kuptuar më mirë realitetin që trashëgojmë, por për të mësuar nga gabimet dhe për tu kujdesur që ato të mos të ripërsëriten.
Në këtë kontekst, nuk ka asnjë dyshim se shpallja e pavarësisë së Kosovës, procesi i shtetndërtimit dhe përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare shënon arritjen më të madhe në historinë e dy shteteve tona.
Ne këtë vit do të festojmë gjashtë vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ky do të jetë moment edhe reflektimi për rrugën tonë të deritanishme dhe për synimet tona për të ardhmen.
Kemi arritur shumë suksese, përkundër shume sfidave me të cilat jemi ballafaquar.
Mirëpo, neve na mbetet ende shumë punë për të bërë për qytetarët tanë.
Duhet të përpiqemi të kemi rritje ekonomike më të lartë, investime të huaja, punësim më të madh, pensione më dinjitoze, sistem arsimor dhe shëndetësor të standardeve evropiane dhe mbi të gjitha, një përkujdesje sociale dinjitoze për qytetarët tanë.
Më lejoni të ndaj me ju një ndër sfidat dhe suksesin më të madh të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këto tri vitet e fundit.
Kjo ndërlidhet me një ndër zhvillimet më të rëndësishme që dëshmojnë se po jetojmë në një kapitull të ri.
Pas vitesh negociatash të mundimshme ne tanimë po shkojmë me hapa të sigurt drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Falë frymës së dialogut dhe mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, është mundësuar jo vetëm konsolidimi i sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe shtrirja e strukturave shtetërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, por edhe shkrirja e strukturave paralele serbe dhe integrimi i gjithë këtij komuniteti në jetën institucionale e politike të shtetit tonë.
Këtu gjej rastin të falënderoj përfaqësuesit e komunitetit serb dhe gjithë pakicave të tjera që janë të integruar e po respektojnë ligjet dhe institucionet e shtetit të Kosovës.
I nderuar kryeministër Rama,
Të nderuar ministra;
Unë besoj se ekspertët tanë nga të dy anët e kufirit kanë bërë një punë të mirë në shqyrtimin e marrëveshjeve të mëparshme mes dy shteteve tona, si dhe në identifikimin e fushave të tjera, ku mund të thellohet bashkëpunimi.
Qëllimi i këtij takimi mes dy qeverive, dhe i atyre të ardhshmëve, ka për të qenë pikërisht përshpejtimi apo përmirësimi i zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme dhe njëherazi zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral nëpërmjet hartimit të marrëveshjeve të reja.
Ne duhet t’i kapitalizojmë mundësitë e jashtëzakonshme që na ofrohen nga përmirësimi i infrastrukturës fizike ndërmjet dy vendeve.
Konkretisht, Rruga e Kombit duhet të rezultojë në një qarkullim më masiv dhe intensiv të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve ndërmjet dy vendeve tona, dhe, po ashtu, ndërtimi i linjës se interkoneksionit duhet të përkthehet në një integrim të dy sistemeve energjetike.
Kosova, dihet, prodhon e rrymë nëpërmjet termocentraleve ndërsa Shqipëria e përmes hidrocentraleve. Kështu, falë linjës së re, këto dy sisteme do ta plotësojnë njëra tjetrën në mënyrë efikase.
Të nderuar të pranishëm,
Për shumë arsye që janë të njohura nga të gjithë, Republika e Kosovës ka një partnership apriori të pakushtëzuar me Republikën e Shqipërisë.
Fatmirësisht ka vullnet të bollshëm politik në nivelet më të larta të të dy palëve që marrëdhëniet mes dy shteteve tona të jenë shembull për rajonin dhe më gjerë.
Por, ndonëse jemi në një familje, kjo nuk do të thotë që lidhjen tonë thjesht ta marrim të mirëqenë e ta lëmë të pa kultivuar.
Prandaj nevojiten veprimtari të tilla, si kjo e sotshmja, për ta çimentuar këtë lidhje vëllazërore dhe për t’i materializuar ato nisma e projekte konkrete.
Dy shtetet tona kanë një të kaluar e një të tashme të afërt, por ne duhet të ecim drejt një të ardhme të përbashkët.
Që të dy shtetet kemi si aspiratë kryesore të qytetarëve tanë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe kjo është një fushë që do trajtohet në mbledhjen e sotshme.
Përveç kësaj, të dy vendet tona kanë si bosht qendror të politikës së jashtme një aleancë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ne krenohemi me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe jemi të bindur që do përfitojmë shumë nga ndihma e Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në NATO.
Po ashtu të dy vendet tona luftojmë të ndërtojmë demokracinë, të konsolidojmë sundimin e ligjit dhe të zhvillojmë ekonominë, – e në të gjithë këto sfida, – ne do mund të shkëmbejmë njohuri e përvoja dhe të ndihmojmë njeri-tjetrin pa rezervë.
Ne këtu, në këtë mbledhje, zotohemi jo vetëm që të bëjmë çmos për përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të shteteve respektive, por do marrim përsipër edhe përgjegjësinë historike që kemi, për t’u kujdesur për bashkëkombësit tanë që gjenden pakicë në rajon, si dhe për të forcuar lidhjet me mbarë diasporën tonë.
Jo rastësisht, një ndër vendimet kryesore që do merren në mbledhjen e sotme është krijimi i një fondi për shqiptarët e rajonit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Ky forum ndër-qeveritar do të shërbejë më së miri në të ardhmen për të harmonizuar politikat dhe akorduar qëndrimet lidhur me problemet e pazgjidhura të shqiptarëve kudo që ata janë.
Zhvillimi i mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të dy shteteve është një praktikë relativisht e re në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe është huazuar prej modelit Franko-Gjerman që ka një traditë tashme 11 vjeçare.
Vitet e fundit kjo praktikë e re diplomatike ka hyre në përdorim në mënyrë të intensifikuar edhe në Ballkan dhe tashmë harta rajonale e këtyre mbledhjeve të përbashkëta, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të kabineteve qeveritare, nga të dy shtetet, është tepër e larmishme, duke përfshirë pothuaj të gjithë shtetet ballkanike.
Duhet pranuar që adoptimi i kësaj praktike nga dy qeveritë tona është relativisht i vonuar, duke pasur parasysh se sa shumë herë janë organizuar këto mbledhje të përbashkëta qeveritare në rajon.
Kjo mbledhje, por edhe të ardhshmet që do organizohen mes nesh, duhet të jenë edhe më të ngjeshura e të ngarkuara me punë për të kompensuar kohën e humbur dhe për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit.
Në planin diplomatik, politik dhe të sigurisë, zhvillimi i kësaj mbledhje të përbashkët të qeverive të dhe atyre të tjerave në Ballkan duhet marrë si një zhvillim pozitiv për rajonin, sepse thellojnë frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes fqinjëve, duke konsoliduar paqen dhe stabilitetin.
Mbajtja e një mbledhje të tillë duhet parë si një mundësi dhe hapësirë më e gjerë e diskutimit të marrëdhënieve dhe të problemeve dypalëshe.
Organizimi i saj në vetvete dëshmon një shkallë më të lartë besimi dhe niveli marrëdhëniesh mes dy shteteve si dhe demonstron një vullnet të madh për t’i konsoliduar marrëdhëniet bilaterale.
Bashkëpunimi rajonal dhe zgjidhja e çdo problemi me fqinjët ka qenë gjithashtu një ndër rekomandimet e kriteret e anëtarësimit në Bashkim Evropian, dhe, e gjithë kjo praktikë shkon në harmoni me procesin e integrimit.
Prandaj, pa humbur më shumë kohë, këtij takimi po i uroj zhvillim të mbarë të punimeve, duke ia dhënë fjalën e rastit kryeministrit Rama.
