Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në manifestimin e Ditës së Drejtësisë


Image


Image

Prishtinë, 22 korrik 2013

Të nderuar të gjithë ju ta pranishëm,

Faleminderit të gjithë juve për prezencën tuaj në këtë manifestim madhështor të Ditës së Drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Të gjithëve ju kujtohet 22 korriku 2010, kur me padurim prisnim kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të prezanton edhe publikisht opinionin për shpalljen e Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Ne, në Kosovë nuk e kemi pasur as edhe një dilemë më të voglën, sa i përket opinionit, sepse vendimi për shpalljen e Kosovës së pavarur dhe sovrane ishte vendim i përfaqësuesve legjitim të popullit të Kosovës, ishte respektim i plotë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për statusin e tyre politik, ishte një vendim që erdhi edhe si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.

Tri vite më parë definitivisht dhe botërisht, opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë tregoi, se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte plotësisht në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare.

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke uruar fillimisht qytetarët e Kosovës, të falënderoj edhe gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës tash e 16 vite me radhë: në  procesin e tranzicionit gjatë kohës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara; në procesin gjithashtu të negociatave për statusin e Kosovës; gjithashtu edhe të shpalljes së pavarësisë dhe tash, të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë.

Ju falënderoj shumë, ambasadore Trasy Jakobson, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ju të gjithë ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian, të gjithë botës demokratike.

Zonja dhe zotërinj,

Ditët e mëdha sikurse dita e sotme, dita e drejtësisë,  shënojnë momente  të historisë më të re dhe më të  ndritshme  të vendit tonë.

Qytetarët e Republikës së Kosovës padrejtësisht janë privuar nga e drejta për të festuar këtë ditë për një shekull.

Shikuar nga aspekti historik përpjekjet tona të përhershme për drejtësi i shërbyen vendit tonë si udhërrëfyes për liri, barazi dhe paqe, kurse shikuar në kohën e sotme drejtësia i shërben Republikës së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe kontribuon në proceset integruese.
 
Qeveria e Republikës së  Kosovës më  përkushtim  të  thellë, udhëheq proceset për arritjen e këtyre qëllimeve, ku njëri nga prioritetet  që zë vendin më me peshë në këtë proces është sundimi i rendit dhe i ligjit që njëherësh paraqet prioritetin thelbësor të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Të nderuar të  pranishëm,

Më lejoni të  theksoj se sot, si asnjëherë më parë, shënojmë këtë ditë në  një fazë jashtëzkonisht të rëndësishme dhe të veçantë për vendin dhe qytetarët tanë.
     
Kur sundimi i rendit dhe ligjit përfundimisht po shtrihet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; tani kur para një viti ne kemi përmbyllur mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë; tani kur po konsolidohemi dhe forcohemi si vend sovran; kur Republika  e Kosovës ka marrë dritën e gjelbër për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit; kur Republika e Kosovës ka kaluar numrin 100 të  njohjeve nga shtetet e ndryshme të mbarë botës; kur Republika e Kosovës është anëtarë e organizatave ndërkombëtare; kur  Kosova ndër vendet e pakta në rajon dhe më gjerë shënon rritje ekonomike  dhe pozitive; kur  Republika e Kosovës ka arritur  të  ketë marrëdhënie të  shkëlqyera me shumicën e vendeve të botës; tani, kur Republika e Kosova ka filluar procesin jashtëzakonisht të rëndësishëm, atë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që në të njëjtën kohë edhe ky proces shënon fillimin e drejtësisë edhe në Kosovë, por mund të them edhe në rajon.

Të gjitha  këto bëjnë  që kjo ditë të jetë madhështore u arritën në  sajë  të angazhimit të pandërprerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimit të saj me institucionet ndërkombëtare dhe vendore, ku për këtë bashkëpunim i falënderohem të gjithë akterëve relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera që janë sot prezentë këtu, janë të përkushtuara maksimalisht që të ketë më tepër rend dhe ligj në Kosovë, që të ketë betejë më të suksesshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative.

Pra, asnjë çështje tjetër nuk është më thelbësore për Qeverinë e Republikës së Kosovës se sa garantimi i barazisë para ligjit  dhe sundimi i ligjit që  në fakt paraqesin thelbin e ekzistimit dhe mbizotërimit të drejtësisë në vendin tonë.

Përveç kësaj, që u  tha deri me  tani,  më  lejoni që  në  mënyrë  të  fokusuar të përmend disa nga  hapat konkret  të  ndërmarrë  nga Qeveria e Republikës së Kosovës  për  ti  kontribuuar progresit të sotëm në  fushën e drejtësisë ku ndër  më të rëndësishmet  janë:

•    Reformat e thella  në  sistemin e  drejtësisë;
•    Pavarësia e plotë e Gjyqësorit;
•    Reformimi i legjislacionit dhe harmonizimi i plotë me legjislacionin e   Bashkimit Evropian
•    Investimit në infrastrukturë (si Pallati  i Drejtësisë  dhe  objekte  të ndryshme të  gjykatave  nëpër  qytete të ndryshme  të  Republikës së Kosovës)
•    Realizimi me sukses dhe funksionalizimi i profesioneve alternative në të gjitha  fushat e jurisprudencës.

Këto dhe zhvillime të tjera  pozitive  deri me tani, kanë bërë që sot qytetarët tanë dhe shoqëria në përgjithësi të kenë qasje  të  barabartë  dhe besim në drejtësi.

Dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të falënderoj edhe misionin e  rendit dhe ligjit, EULEX-in për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, që ka qenë një bashkëpunim i suksesshëm.

Gjithashtu, kam besim të plotë se edhe procesi i tranzicionit do të jetë një proces i bashkëpunimit dhe i suksesit të përbashkët, në mënyrë që edhe shteti i Kosovës, institucionet e saj në bazë të aktiviteteve, angazhimeve dhe kapaciteteve që kanë, si dhe punës së dëshmuar, të punojnë me përgjegjësi të plota kushtetuese dhe ligjore.

Zonja dhe zotërinj,

Dita që  shënojmë ne sot nuk do  të  ishte  kaq e  rëndësishme dhe me të arritura kaq të theksuara  pa punën e  palodhshme të  institucioneve të drejtësisë së Republikës e Kosovës.

Prandaj dëshiroj t’i falënderoj edhe njëherë të gjithë për punën e bërë, natyrisht gjithmonë duhet të bëjmë edhe më tepër.

Si Kryeministër i vendit edhe njëherë këtu para jush dua t’i uroj, falënderoj dhe t’i siguroj këto institucione për mbështetje të vazhdueshme më qëllim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta, pra për rend, ligj dhe drejtësi.

Urime Dita e Drejtësisë në Republikën e Kosovës

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors