Prishtinë, 2 prill 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në fund të debatit parlamentar lidhur me punën 100 ditëshe dhe Programin Qeverisës, i është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalë përfundimtare.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Isa Mustafa para deputetëve.
Faleminderit z. kryesues,
Të nderuar deputetë,
Anëtarë të Qeverisë.
Unë e konsideroj të rëndësishëm këtë debat, i cili është zhvilluar lidhur me programin qeveritar dhe me punën 100 ditëshe. Natyrisht që të gjithë ne që kemi punuar në përgatitjen e këtij programi, jemi munduar që programi të jetë një dokument që mund të implementohet, nuk është program i cili është punuar në prag të themelimit të Qeverisë, është një program të cilin ne si subjekte politike, unë flas tash për pjesën e LDK-së, që e kemi punuar së paku 2 vite, kanë punuar ekspertët e ndryshëm nga të gjitha fushat, kanë punuar po ashtu mendoj edhe në Partinë Demokratike. I kemi ulë ekspertët e dy fushave, e kanë bashkërenditur programin, janë pajtuar që në disa objektiva në të cilat kemi pas dallime t’i bëjnë objektiva të përbashkëta. E kemi shpërndarë programin në të gjitha ministritë dhe agjencionet, i kemi marrë inputet nga të gjitha ministritë në mënyrë që programi të jetë i implementueshëm, është bërë pastaj amza e realizimit të çdo objektivi nëpër ministri, për të gjitha fushat që i ka programi, dhe të gjitha ne i kemi dhe mënyra se si do të implemetohet programi. Unë mendoj se programi është i realizueshëm dhe se programi i përgjigjet nevojave aktuale të Republikës së Kosovës. Nuk them se është një program ideal, sepse idealen nuk mund ta arrijmë tani, por është një program i cili mund të bëjë ndryshime dhe unë vlerësoj se në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në këtë koalicion të të gjithëve, ka vullnet që të bëhen ndryshime.
Unë vlerësoj se kjo Qeveri e ka misionin e vet që duhet ta realizoj, e ka vizionin e vet që duhet ta arrij dhe i ka objektivat e veta të cilat i ka qarta se si do t’i arrij. Unë mendoj se misioni ynë themelor i kësaj Qeverie është që t’i kthehemi problemeve të brendshme të vendit, t’iu kthehemi problemeve të zhvillimit ekonomik, problemeve të punësimit, krijimit të vendeve të punës dhe të luftimit të korrupsionit, por jo të luftimit të korrupsionit përmes deklaratave por përmes politikave aktive ekonomike, në mënyrë që të lemë hapësirë sa më të vogël për korrupsion dhe në mënyrë që pastaj prokuroria, gjyqësia dhe organet e tjera ta bëjnë punën e vet që duhet ta bëjnë dhe ne të mos përzihemi atje. Dhe mendoj se ne do të angazhohemi në këtë pjesë të zhvillimit ekonomik, do të merremi me problemet e brendshme dhe ky është misioni që ne duhet ta arrijmë tash dhe ky është ndryshimi ynë që ne mendojmë ta bëjmë në këtë Qeveri.
E dyta është që ne t’i bëjmë të gjitha përpjekjet dhe ta arrijmë që ta ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, edhe në komunat në veri të Kosovës, në të gjitha fushat. Është e saktë deklarata që e kam dhënë lidhur me FSK-në dhe lidhur me Forcat e Armatosura. Por, ky nuk është qëndrim i imi. Ne kemi pas përkrahjen e NATO-s, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe anëtarëve të NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe në themelimin e shtetit tonë dhe ne dëshirojmë ta zhvillojmë një partneritet me NATO-n, me anëtarët e NATO-s dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne këtë partneritet do ta ndërtojmë edhe në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, në Forcat e Armatosura të Kosovës. Ne Forca të Armatosura të Kosovës jashtë këtij partneriteti nuk shohim. Ne e kemi KFOR-in këtu, i cili ka mision paqësor, ne e kemi një pajtueshmëri që unë e kam trashëguar, që themelimi i Ushtrisë së Kosovës të bëhet në bashkëpunim me NATO-n, dhe në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët tanë strategjik, dhe unë si Kryeministër e vlerësoj si rrugë të cilën ne duhet të vazhdojmë, dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë. Kjo, assesi nuk nënkupton që një ditë Forcat e Armatosura të Kosovës, të mos dalin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por nënkupton që ne zhvillimin e këtyre forcave do ta bëjmë në bashkëveprim dhe në bashkëpunim me NATO-n, dhe me partnerët tanë strategjik, por assesi nuk nënkupton që ne tani po heqim dorë nga sovraniteti jonë, por nënkupton që ne këtë pjesë të përgjegjësisë tonë do ta zhvillojmë me partnerët tanë strategjik, veçmas me NATO-n.
Sa i përket Programit Qeverisës dhe punës, unë kam pritur të themi një qasje më pragmatike dhe më reale të të gjithëve, veçmas të opozitës, sepse në asnjë punë dhe në asnjë fushë nuk mund të shohim vetëm zi.
Unë kam parë që më është thirrur emri prej disa deputetëve nga 20 deri 30 herë, ajo mandej ka kaluar thuajse në ritual fetar ose në ritual të sektit, por po i lëmë ato gjëra. Unë e konsideroj veten Kryeministër të këtij vendi dhe e konsideroj veten përgjegjës para këtij Kuvendi, e konsideroj veten si njeri i cili duhet të krijoj bashkëpunim dhe bashkëveprim së bashku me ju dhe mos t’i ndaj njerëzit a janë të pozitës a të opozitës, sepse sukseset tona kanë me qenë suksese tona të përbashkëta, humbjet, humbje të përbashkëta dhe ne pastaj kemi me dhënë llogari para votuesve tanë dhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Dhe, unë nuk konsideroj se e gjithë ajo që është në Program Qeverisës dhe e gjitha ajo punë që është bërë për 100 ditë është më e mira dhe është më idealja, por konsideroj se Programi Qeverisës, ka fusha shumë të mira, ka komponente shumë të mira dhe ato mund t’i realizojmë së bashku, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët që të punojmë bashkë, sepse është në interesin e Republikës së Kosovës që ne këto punë t’i bëjmë bashkë.
Unë i pranoj dallimet që i kemi, që kanë të bëjnë me konceptin programor dhe me konceptin politik, jemi parti të ndryshme dhe kemi dallime. Kemi dallime edhe brenda koalicionit që janë shumë të natyrshme.
Por, programi ynë qeverisës bazohet në orientimin kah ekonomia e tregut, më saktësisht kah ekonomia sociale e tregut, që është koncept i partive të qendrës së djathtë, që nënkupton se ne i respektojmë të gjitha rregullat e ekonomisë së tregut por e respektojmë poashtu edhe komponentën sociale të ekonomisë së tregut dhe nuk konsiderojmë se në këtë ekonomi të tregut janë vetëm ata të cilët prodhojnë dhe vetëm ata që blejnë, ose vetëm ata që shesin dhe blejnë, por konsiderojmë se pjesë e kësaj ekonomie janë edhe ata që nuk mund të punojnë, janë të papunët, janë pensionistët, janë të paaftit për punë, për të cilët ne duhet me pas kujdes dhe duhet të krijojmë politika aktive sociale si pjesë të ekonomisë së tregut dhe këtë jemi munduar ta përvijojmë në të gjitha pjesët e programit tonë qeverisës.
Unë pajtohem me këtë që z.Kurti e tha këtu, se ajo është thënë vetëm njëherë në fillim dhe nuk është thënë në pjesët tjera, mirëpo natyra e programit që ne në orientimin tonë e kemi për ekonominë sociale të tregut si koncept i partive të qendrës së djathtë.
Unë shoh dallime këtu sepse ne shohim tash orientimin që promotor i zhvillimit ekonomik të jetë biznesi privat dhe jo sektori publik, por poashtu të pajtohemi që privatizimi i kompanive publike të mos bëhet shkel e shko, por për këtë privatizim ne të gjejmë një gjuhë të përbashkët, ta bëjmë një analizë të përfitimit dhe të kostos, të kos-benefitit të asaj se a kemi më shumë llogari që ta mbajmë një kompani publike në pikëpamje të efiçiencës ekonomike, në pikëpamje të qeverisjes koorporative edhe në pikëpamje të ekonomisë së shkallës, që nënkupton koston ose çmimin që do ta paguajnë konsumatorët për shërbimin e një kompanie publike, a ofron PTK-ja si kompani publike çmime më të ulëta për konsumatorët dhe shërbime më të mira për konsumatorët si kompani publike apo si kompani e privatizuar.
Në qoftë se këtu ne gjejmë llogari të përbashkëta, atëherë s’kemi asnjë arsye që të mos kemi edhe qëndrim të përbashkët së i përket kësaj.
Sa i përket Trepçës unë vlerësoj se ne kemi bërë një punë të mirë për Trepçën për arsye se e kemi penguar që Trepça të shkoj në falimentim. Ka qenë rrezik të shkoj. Tash për Trepçën ne duhet të mendojmë mbi baza ekonomike në këtë fazë dhe jo mbi baza pronësore. Asnjëri këtu nuk ka argumente të thotë se më mirë Trepça të jetë kompani publike ose dikush tjetër të thotë Trepça të jetë në komponentën dhe në autoritetin e AKP-së, dhe që të vazhdojë të jetë kompani shoqërore ose që nesër të bëhet partneritet publiko-privat.
Por, të gjithë ne mendojmë që Trepçën duhet ta shohim në aspektin ekonomik, të shohim se a përfiton më shumë Kosova që Trepça të jetë kompani publike, a përfiton më shumë Kosova që Trepça të jetë në partneritet publiko-privat, apo në çfarë forme ne përfitojmë më shumë dhe përgjigjen në këto e jep Strategjia dhe e jep një studim i cili do të bëhet për Trepçën, i cili nuk guxon që të vonohet. Unë pajtohem me të gjithë ata që kërkojnë që ne duhet ta afatizojmë, edhe do ta afatizojmë, do t’i japim afatet AKP-së tashti që themelohet, dhe që Strategjia të bëhet, dhe që në bazë të strategjisë pastaj ne të vendosim.
Pasuritë tona natyrore nuk na i merr askush, sepse ato janë pronë e shtetit të Kosovës. Ato që janë mbi tokë, makineria, pajisjet, ndërtesat, e kanë statusin tash të kompanive shoqërore, përkatësisht statusin shoqëror, dhe unë jam për atë që ne t’ia lëmë çështjen Strategjisë dhe do të bëhet Ligji. Ne obligohemi që ta bëjmë Ligjin e veçantë për Trepçën, dhe me këtë ligj pastaj ne e rregullojmë statusin pronësor dhe ekonomik të Trepçës.
Unë kam pritur që në këtë debat ne do të kemi edhe alternativa, sepse në qoftë se deputetët thonë se diçka nuk vlen nga programi, atëherë është e arsyeshme të thonë se çka është ajo që vlen. Si duhet një masë ose një objektiv që e kemi paraparë ne me Program, ta zëvendësojmë me një tjetër që është më dobiprurës, më i realizueshëm, dhe që i jep Kosovës më shumë efekte se sa që i jep tash.
Ne dëgjuam kritika se pse ne jemi bërë bashkë për të themeluar një Qeveri, dhe pikërisht e gjithë pikënisja ishte aty. Tash unë pajtohem me ju, se edhe unë kisha dashur dhe për mua zgjidhja ideale kishte me qenë që LDK-ja me i fitua mbi 50 për qind të votave, dhe që LDK-ja ta bëjë Qeverinë. Por nuk i kemi fituar. Asnjë parti nuk i ka fituar në këtë vend tonin, e cila mundet vetë të themelojë Qeverinë. Dhe ne jemi të detyruar të bashkëpunojmë njëri me tjetrin dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët njëri me tjetrin. Edhe tjerët nuk ishin pajtuar me mua por kishin thënë “ne është dashur të dalim të parët”. Dhe kjo na ka pru këtu, do të thotë është një zgjidhje përfundimtare në të cilën ne kemi ec, jemi munduar të gjejmë zgjidhje dhe kemi ardhur këtu, dhe tash këtë zgjidhje ne duhet me e përdor. Qeveria tash duhet të punoj për realizimin e synimeve që kanë qytetarët tanë, dhe unë ju garantoj pa marrë parasysh vlerësimet që jepen, sepse unë s’kam prit që dikush të thotë që për 100 ditë ne e kemi shpëtuar Kosovën. Për 100 ditë as nuk mundemi me e shpëtu, e as nuk mundemi me e fundos. 100 ditë janë që ne me i pa letrat aty. 100 ditë janë që ne e konsolidu buxhetin dhe çështjet të cilat mundësojnë që ky shtet me funksionu. 100 ditë është me i pru disa vendime emergjente, në mënyrë që të bëhet një kthesë dhe të orientohet zhvillimi. Për 100 ditë as s’mundemi të themi që ne bëmë punë të mëdha, dhe të gjithë ata që thonë që për 100 ditë kanë qeveris mirë apo kanë bërë punë të qeverisjes së mirë, unë se them këtë. Unë them se për 100 ditë jemi munduar të bëjmë punë të mëdha, kemi stabilizuar ecuritë në disa fusha, mirëpo neve na nevojitet të punojmë shumë, për t’i bërë ndryshimet të cilat i presin qytetarët tanë.
Por, poashtu jam i gëzuar as askush nga ju nuk mundi të thotë që kjo Qeveri është e korruptuar, kjo Qeveri ka skandale, ose që kjo Qeveri ka bërë shkelje të ligjit. Aty po mundohem me u ndal, mos me leju, dhe do të mundohemi që mos të kemi raste korruptive, sepse nuk është pastaj punë e Qeverisë, është punë e jona, e Kosovës në përgjithësi, për arsye se po synojmë të integrohemi në Bashkimin Evropian, të bëjmë liberalizimin e vizave, dhe të ofrohemi nga Bashkimi Evropian, dhe maksimalisht do të mundohemi që këto çështje t’i respektojmë.
Unë vetë thashë në fjalën e djeshme, që unë vetë kam vërejtje, që disa shërbyes civilë akoma vazhdojnë të punojnë në disa ministri tona, ndaj të cilëve janë ngritur procese penale. Ata s’mund të punojnë dhe duhet të ngrihet masa që mos të punojnë. Edhe në agjenci kemi të tillë. Dhe këtë gjë ne do ta bëjmë. Do të thotë nuk do të lejojmë që të kemi raste të tilla, dhe që poashtu do të mundohemi që të jemi transparentë sa të mundemi.
Ne në Qeveri, me Program Qeveritar, edhe me zotime qeveritare, prej që e kemi themeluar Qeverinë, nuk kemi thënë që do t’i punësojmë as 200 mijë as 250 mijë, as 240 mijë, e as se do ta kemi buxhetin 2 miliardë e 500 milionë. E kemi trashëguar atë buxhet që e kemi trashëguar por kemi thënë se do t’i krijojmë të gjitha kushtet ekonomike, do t’i marrim masat sistemore, të cilat e nxisin sektorin privat, dhe të cilat mundësojnë që ne atë objektiv që e kemi thënë gjatë fushatës, ta realizojmë përmes një programi qeverisës të cilin ne e kemi premtuar, për arsye se nuk mundemi që në mënyrë arbitrare t’iu themi tash bizneseve private që ti tash ke me i punësu 50, ti njëmijë, ti njëmijë e 500, dhe krejt këta do të bëjnë, ose s’mundemi ne tash të mbledhim numrat e të punësuarve nëpër firma, sepse së pari duhet të themelohen firmat. Atë që duhet ne ta bëjmë fillimisht është që të tërheqim investime nga jashtë. Ne po punojmë në një Ligj për investime strategjike të cilin do ta sjellim në Kuvend do ta diskutojmë me ju bashkë, i cili do t’i mundësojë Qeverisë, që në qoftë se neve na paraqitet ndonjë partner, ndonjë investitorë strategjik nga jashtë për të investuar në Kosovë, pajtohemi dhe themi se ne do ta pranojmë këtë investim, do ta marrim një pronë nga AKP-ja, do t’ia japim këtij investitori dhe do të punësojmë 500, 1000 a 1500, sepse kështu nuk shkon. Nuk janë investitorët e jashtëm ata që po qëndrojnë në rend për të investuar në Kosovë. Asnjëri nuk është këtu. Por ne tash duhet që t’ua krijojmë kushtet atyre, që ata të vijnë në Kosovë dhe të investojnë, edhe këtë ne do të mundohemi ta bëjmë. Pa tërheqjen e investimeve të jashtme, me kapitalin financiar që ne kemi në banka komerciale, me kushtet e kreditimit nga bankat komerciale, me përkrahjen që kemi pasur deri më tash nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, nga Banka Botërore, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Banka Evropiane për Investime, ne nuk mund të zhvillohemi, sepse nuk ka kredi që janë të përshtatshme për sektorin e prodhimit. Dhe ne duhet t’i sigurojmë këto kredi, për arsye se ne pa e nxitur sektorin e prodhimit, nuk mundemi vetëm me shërbime dhe tregti me zhvillu Kosovën. Ne tash duhet t’i bëjmë këto ndryshime, dhe unë ju premtoj që do të punojmë maksimalisht që t’i bëjmë këto ndryshime.
Tash unë vlerësoj se ne mund të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe mund të gjejmë interesin e përbashkët tek ky Program, sepse nuk është interes i një ane që të bëhen kursime, mos me shpenzu për nevoja që ne tash nuk kemi mundësi t’i përballojmë në këtë fazë të buxhetit dhe në këtë fazë të zhvillimit. Është interes i përbashkët që ne të luftojmë që aty ku është kap shteti me ç’kap shtetin. Sepse duhet ta bëjmë këtë. Duhet ta bëjmë që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës të punojnë në mënyrë të pavarur dhe që të gjitha të japin përgjegjësi para ligjit dhe para Kushtetutës.
Nuk është në interesin tonë që ne mos ta përkrahim faljen e borxhit, për të cilën ne jemi marrë vesh, jemi orientuar, nuk jemi orientuar që t’i falet një grupacioni, por që të pastrohen llogaritë, me i liru njerëzit nga kompleksi se ata kanë borxh dhe nuk munden kurrë që ta paguajnë këtë borxh, dhe të krijohet një situatë e tillë kur njerëzit fillojnë në mënyrë normale të përballojnë borxhet e reja dhe detyrimet e reja ndaj shtetit.
Nuk është Fondi për Zhvillim, ose për Punësim, ose Fondi për garantim të kredive, një fond i cili nuk meriton përkrahjen e të gjithë neve, sepse është fond i cili orientohet për zhvillimin e vendit. Nuk është disiplina financiare, që ne po bëjmë përpjekje maksimale, edhe ministri i Financave, ta bëjmë, një çështje te e cila ne nuk mundemi të gjejmë interes të përbashkët dhe që nuk duhet ta përkrahim në Kosovë.
Nuk është ulja e evazionit fiskal ajo që ne nuk duhet ta bëjmë bashkërisht. Duhet të niset nga kufiri brenda, dhe të bëhet maksimumi që të gjithë të paguajnë tatimet, të bëhet një shtrirje më e thjeshtë dhe më e gjerë e bazës tatimore, të krijohet kultura e pagimit të tatimit, dhe të ulet ky evazion fiskal.
Nuk është tërheqja e investimeve të huaja direkte ajo që neve nuk na lidh, ose investimeve strategjike që nuk na lidh. Dhe unë mendoj se këto investime strategjike duhet të zhvillohen në tri fusha të caktuara: në energjetikë, sepse nuk kemi energji elektrike për investitorët që vijnë në Kosovë. S’ka!. Ne me këtë kapacitet të energjisë nuk mund të presim që dikush të vijë dhe të investojë në Kosovë. Duhet të kërkojmë investime strategjike në miniera, veçmas në Trepçë, në aktivizimin e tyre dhe në përdorimin ekonomik të tyre, jo vetëm të konsiderojmë se jemi të pasur se kemi xehe, por të konsiderojmë se jemi të pasur se mund t’i finalizojmë këto xehe në produkte finale, dhe mund t’i eksportojmë dhe mund ta ndryshojmë bilancin tregtar me jashtë, dhe ta rrisim GDP-në në bazë të eksportit tonë, e jo ta ulim në bazë të importit që ne e bëjmë. Dhe si investim strategjik tani për tani është investimi në kanalet e ujitjes, sepse kemi tokë bujqësore të cilën ne e shfrytëzojmë në mënyrë ekstenzive, dhe duhet ta shfrytëzojmë në mënyrë intenzive, me më shumë kultura, dhe me më shumë përfitueshmëri, edhe të jemi konkurrent, në mënyrë që mos të importojmë, por t’i plotësojmë nevojat. A mundemi ne të eksportojmë apo jo produkte bujqësore qofshin primare, qofshin ato të përpunuara, është punë tjetër.
Dhe poashtu është një fushë strategjike investimi në arsim dhe në shëndetësi, sepse të dy këto fusha produktive, njëra siguron që të kemi popullatë të shëndoshë, produktive, tjetra siguron që të kemi popullatë të dijshme edhe e cila është në gjendje që të aplikoj teknologjitë e reja dhe që të mos kemi investime suplementare apo investime shtesë, në kuadrin që e mësojmë, e që duhet ta rimësojmë nëpër shkollat tona.
Unë bëj apel te ju që ne të gjejmë një përkrahje të përbashkët, për arsye se ky nuk është Program që i shërben një subjekti ose një koalicioni, ose një partie politike, është program që ne dëshirojmë t’ju shërbej qytetarëve të Kosovës, dhe puna që ne po e bëjmë, është punë e orientuar në atë drejtim.
Unë ju falënderoj për gjithë debatin që e keni bërë, pa marrë parasysh pozicionet dhe pozicionimet, por vlerësoj se neve debati na shërben dhe se bashkërisht duhet të punojmë.
Faleminderit.
